BE: Tetë të meta në strategji dhe politika

187
Sigal

BE ka shërbyer si promotor i “Stabilokracisë“ në Ballkanin Perëndimor. Pavarsisht përpjekjeve të saj ajo është treguar e paaftë për të shpërblyer progresin, duke pasur një qasje të tepruar ndaj liderëve të 6 vendeve ballkanike të cilët kanë menduar më shumë për të forcuar kontrollin e tyre ndaj shoqërisë.

Nga Wouter Zweers dhe Giulia Cretti

‘8 të meta në strategji dhe politika’

  • -Raportimi jo i saktë mbi progresin e reformave
  •  -BE-ja ka treguar se është e paaftë për të shpërblyer progresin
  • -Një qasje e tepruar e fokusuar te liderët e 6 vendeve, përforcon dhe legjitimon pozicionin e elitave të cilat e përdorin miratimin publik të BE-së për të përforcuar kontrollin e tyre në shoqëri

 Nëpërmjet politikës së saj të zgjerimit, BE-ja kërkon të nxisë demokratizimin në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, të njohura edhe si gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (6VB). Pavaresisht përpjekjeve ndër viteve, politikat e BE-së nuk kanë sjellë ndryshimin e pritur. Procesi i zgjerimit ka humbur efikasitetin dhe vrullin politik. Në vend që të përjetojnë reforma vendimtare demokratike, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë shndërruar me ngadalë në ‘stabilitokraci’: vende me mangësi të dukshme demokratike që në të njëjtën kohë pretendojnë se punojnë drejt reformave demokratike dhe ofrojnë stabilitet.Raporti identifikon tetë të meta në strategjitë dhe politikat e BE-së dhe në zbatimin e tyre, të cilat besohet se kontribuojnë në formimin e stabilitokracisë:

  1. Qasja tepër teknike e BE-së ndaj zgjerimit ka dështuar të nxisë transformimin e thellë politik dhe shoqëror.
  2. Mungesa e qartësisë në përkufizimet mbi sundimin e ligjit pengon transferimin e vlerave të BE-së.
  3. Raportimi jo i saktë mbi progresin e reformave zbeh realitetet aktuale politike në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.
  4. BE-ja shpesh dështon të flasë kundër, apo të veprojë ndaj mungesës së progresit ose reagimeve kundërshtuese, duke ofruar në mënyrë të heshtur mbështetje për prirjet autokratike.
  5. BE-ja ka treguar rregullisht se është e paaftë për të shpërblyer progresin sepse nuk është në gjendje të gjejë mirëkuptim të përbashkët midis shteteve të saj anëtare, duke dëmtuar kështu besueshmërinë e saj.
  6. Një qasje e tepruar e fokusuar te liderët e 6 vendeve, përforcon dhe legjitimon pozicionin e elitave politike të Ballkanit Perëndimor të cilat e përdorin miratimin publik të BE-së për të përforcuar kontrollin e tyre në shoqëri.
  7. Marrëdhëniet politike partiake ndërmjet familjeve politike në BE dhe homologëve të tyre të 6 vendeve çojnë në mbështetje të panevojshme për partitë e 6 vendeve edhe kur ato shfaqin sjellje jodemokratike.
  8. Mungesa e përcaktimit të afateve kohore të përkohshme e bën BE-në të paaftë të monitorojë progresin e reformave dhe t’i mbajë qeveritë e rajonit përgjegjëse për moskryerjen e reformave të nevojshme demokratike.

Në secilin prej 6 vendeve Ballkanit Perëndimor rastet konkrete tregojnë se si ndikimi i BE-së ka kontribuar pa dashje në formimin e stabilitokracisë dhe se cilët faktorë kanë përcaktuar nëse qasja e BE-së ka qenë konstruktive apo jo.

Qasja teknike është e meta më e madhe në rastet studimore.

Shembujt variojnë nga paaftësia e BE-së për të harmonizuar interesat e grupeve të ndryshme etnike në Bosnje dhe Hercegovinë, dobësitë strukturore në Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), dështimi i masave mbrojtëse teknike për të luftuar kufijtë e paqartë ndërmjet degëve të pushtetit në Mal të Zi., një fokus tepër teknik në raportet e progresit mbi demokracinë dhe reformat e sundimit të ligjit në Maqedoninë e Veriut dhe një fiksim tepër teknik në zbatimin e metodologjisë së rishikuar në Serbi.

Për të shmangur kurthet e forcimit të mëtejshëm të stabilitetit, ne parashtrojmë rekomandime dhe reflektime kritike se si të përmirësohet roli i BE-së në rajon. Rekomandimet përfshijnë fokusimin më shumë në reagimet e vërteta për qeveritë e 6 vendeve, raportimin më të mirë për gjendjen e progresit, përmirësimin e komunikimit me qytetarët dhe specifikimin e standardeve duke i shoqëruar ato me afate kohore më të prekshme.

Megjithatë, rregullimi i procesit teknik është një kusht i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm për procesin e anëtarësimit në BE dhe axhendën e tij të demokratizimit për Ballkanin Perëndimor.

Prandaj, BE-ja dhe shtetet e saj anëtare duhet të marrin në konsideratë seriozisht propozimet për një rishikim të mëtejshëm të procesit të zgjerimit, në mënyrë që të lejojnë një trajektore pranimi të shkallëzuar për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. Në të njëjtën kohë, BE-ja mund të përshpejtojë angazhimin me 6 vendet përtej kornizës së zgjerimit, në mënyrë që të mos humbasë kontrollin në një rajon që i nënshtrohet konkurrencës në rritje të fuqive të mëdha. Së fundi, rekomandohet që Holanda të ndërmarrë veprime të mëtejshme për të vërtetuar ambiciet e saj si një shtet anëtar kritik por i angazhuar.