Bashkitë/ Mbi 30% e tenderëve mbi 1 mld lekë me 1 ofert

117

Në shtatë vite nga nisja e reformës territoriale e deri më sot, 46 nga 61 bashki kanë realizuar 138 tendera mbi 100 milionë lekë, të cilët konsiderohen të dyshimtë dhe janë klasifikuar si “Red Flag”. Tre bashkitë që kanë realizuar më shumë tenderë të tillë, si në numër ashtu dhe në vlerë totale janë Tirana, Durrësi dhe Vlora

Sigal

Tenderat “Red Flags” 2015-2022

Në 61 bashkitë e vendit, nga viti 2015 deri në vitin 2022 janë realizuar në total 453 tenderë me vlerë mbi 100 milionë lekë. Vlera totale e shpallur fituese për këto 453 tenderë është 108,6 miliardë lekë. Por nga këto 453 tenderë rezulton se 30% e tyre, ose 138 prej tyre janë klasifikuar si “red flag” nga openprocurement.al. Shënimi me flamur të kuq (red flag) i një procedure prokurimi tregon një ekspozim apo rrezik të mundshëm për sjellje të papajtueshme me ligjin ose jo-etike të biznesit, kryesisht në lidhje me mos-respektimin e ligjeve anti-korrupsion. Ndërkohë po të flasim në vlerë totale të 138 tenderëve mbi 100 milionë lekë rezulton se ato i kanë kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 34.2 miliardë lekë, ose rreth 31% e vlerës totale të tenderave mbi 100 milionë lekë të zhvilluar nga 61 bashkitë e vendit në 7 vitet e reformës territoriale.

Cilat janë bashkitë që kanë më shumë “red flag”

Nga 61 bashki në vend rezulton se vetëm 46 prej tyre janë futur në filtrin e realizimit të tenderëve mbi 100 milionë lekë, të cilët janë klasifikuar me “red flag”. Pra 15 bashki nuk kanë realizuar tenderë të tillë, të cilët të lënë të dyshosh për ekspozim ndaj korrupsionit. Nga një analizë e bërë sipas tabelës më poshtë, rezulton se peshën kryesore si në numër tenderësh ashtu dhe në vlerë, e mbajnë tre bashkitë kryesore, konkretisht, Tirana, Durrësi dhe Vlora.

Bashkia Tiranë rezulton se ka zhvilluar, jo pak por 36 tenderë mbi 100 milionë lekë, të cilët janë klasifikuar si “red flag”. Vlera totale e këtyre tenderëve arrin në 10.6 miliardë lekë. Kjo vlerë përbën

31% të vlerës totale të klasifikuar në këtë kategori tenderash. Ndërkohë, në vend të dytë renditet Bashkia Durrës me 15 tendera të tillë dhe me vlerë totale 3.8 miliardë lekë, ose afërsisht tre herë më pak se Bashkia Tiranë. Në vend të tretë renditet Bashkia e Vlorës me 7 tendera të tillë, me vlerë totale 2.3 miliardë lekë, e cila ndiqet nga bashkitë Elbasan, Pogradec dhe Kavajë, me nga 6 tendera të tillë. Ndërsa bashkitë e tjera vihet re se kanë numër më të vogël tenderash mbi 100 milionë lekë që janë klasifikuar me “red flag”, sipas tabelës më lart. Madje, 26 bashki kanë vetëm nga një tender të tillë.

Nga analiza e kryer nga Porta Vendore rezulton se shumica nga 138 tenderët e klasifikuar me “red flag” janë realizuar nga bashkitë për fushën e infrastrukturës dhe të ujit. Por nuk mungojnë dhe tenderë të dyshimtë për karburant dhe pastrimin e qyteteve. Ndërkohë, ajo që vihet re është fakti se pavarësisht se disa bashki kanë numër më të ulët tenderësh të dyshimtë, vlera e tyre totale është pothuajse e njëjtë me disa bashki që kanë numër më të lartë tenderash. Konkretisht, një prej rasteve të krahasuara është ai i Bashkisë Rrogozhinë me Bashkinë Poliçan. Bashkia Rrogozhinë ka realizuar 5 tenderë me vlerë totale 885 milionë lekë, ndërsa Bashkia Poliçan ka realizuar vetëm një tender të klasifikuar me “red flag” me vlerë 700 milionë lekë të reja.

Ekspertët: Pse ndodh kjo dhe dëmet që shkaktohen

Sipas ekspertëve, kjo lë dshime për korrupsion dhe që aksesi i plotë i pushtetit vendor mbi paranë publike po sjell korrupsion. Sipas ekspertit të ekonomisë Vjoldi Danaj, “pushteti” i bashkive mbi paranë publike e tregon edhe interesi i disa deputetëve për të lënë mandatin në mënyrë që të kandidojnë për kryetar bashkie. Kjo sipas tij tregon se fuqia ka kaluar nga pozicioni i deputetit, tek e kryebashkiakut. Ndërsa për ekspertin Pano Soko, prania e kaq shumë tenderëve me flamur të kuq tregon që kemi të bëjmë me një qasje të përgjithshme dhe se kjo vjen për shkak se korrupsioni është kthyer në një normalitet shoqëror. “Që me bërjen e re të reformës territoriale patëm edhe deputetë që lanë mandatin për të kandiduar në këto bashki. Porta Vendore