Materiali kallëzues i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, që flet për ndërhyrjen në sistemin TIMS të Policisë së Shtetit, ende nuk është regjistruar si procedim penal në prokurorinë e kryeqytetit. Dosja hetimore e AMP-së që u depozitua me shumë urgjencë në prokurori, nuk ka një emër prokurori që do hetojë skandalin e vjedhjes së të dhënave. AMP-ja, ka referuar rastin për hetime të mëtejshme në datën 21 gusht 2023, ndërsa deri në këtë fazë dosja nuk ka një emër prokurori. Kjo pasi pjesa dërmuese e prokurorëve janë me pushime gjatë ditëve të gushtit,- shkruan Ora Neës. Pritet që me nisjen e muajit shtator 2023, kjo çështje të hidhet në short, për t’u përcaktuar emri i prokurorit, që do hetojë rastin. Më herët, drejtori i Departamentit të Teknologjisë dhe Informacionit pranë Policisë së Shtetit, Ervin Muça, u pezullua nga detyra me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në lidhje me këtë skandal. Muça, kishte urdhëruar vartësit e tij të eksportonin të dhënat e TIMS në një hard-disk të jashtëm. Ishte një nga punonjësit që menjëherë përmes një email-i vendosi në dijeni Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë duke ngritur shqetësimin se këto të dhëna po dalin jashtë institucionit. Ka dyshime se Muça mund të ketë bashkëpunuar edhe me persona të tjerë për marrjen e të dhënave sensitive ku përfshihen të gjitha hyrjet dhe daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj si dhe informacionet për personat e shpallur në kërkim. Kallëzimi i AMP-së erdhi, pas shqetësimit të ngritur më herët nga Ambasada Amerikane. Në një takim të të ngarkuarit me punë të Ambasadës Amerikane në Tiranë Martin McDoëell me ministrin e Brendshëm Taulant Balla, u ngrit shqetësimi në lidhje me shkeljet në sistemin TIMS, për të cilat u kërkua një hetim i plotë.