Bashkëpunimi Rama-Meta; Pse PS-ja nuk di të menaxhojë pakënaqësitë e shqiptarëve ndaj qeverisë

479
Sigal

INTERVISTA/Kryetari i PSM, Gjergj Koja: “Në Shqipëri, po instalohet rrezikshëm kultura e mosndëshkueshmërisë kur shkelet ligji”

 

Eshtë e qartë që të gjitha palët politike, po rishikojnë qëndrimet e tyre politike, për t’i përshtatur me konjukturat politike, në kuadrin e afrimit të mesit të tetorit, kur do të jepet edhe vendimi i BE-së për fatin e statusit të kandidatit. Qëllimi final i palëve politike, është që, në rastin më të keq, të mos bjerë mbi të përgjegjësia e dështimit të mosmarrjes të statusit kandidat. Sikurse, pohon edhe Gjergj Koja, Kryetari i partisë Socialiste të Moderuar, asnjëherë reformat në Shqipëri nuk janë kryer nga vullneti i maxhorancës qeverisëse, por nga presioni i ndërkombëtarëve. Ndaj, Kryeministri, tashmë nuk ngutet më, sikurse para 6 gushtit, sepse për të, nuk është më problem koha, por referendumi. Ndërsa Edi Rama, hoqi dorë nga 4 kushtet, më tepër, të mos akuzohet si bllokues, sesa i kishte strategji politike ato kushtëzime që justifikoi mosvotimin e reformës të kufizimit të imunitetit në 6 gusht. Edhe LSI-ja, ditët e fundit, e ndryshoi qëndrimin e saj, duke mos e mbështetur më idenë e Kryeministrit për referendum, por duke u bërë palë me PS-në, për ta diskutuar në Parlament. Sipas Kojës, PS-ja më shumë është e interesuar që të veprojë me kujdes, që në ndryshimet që do të bëhen në Kushtetutë, për reformën në fjalë, të mos bëhen më gabimet e 2008-s. Stërzgjatja e votimit të reformave, është kohë politike që fiton Berisha dhe zoti Koja e shpjegon se, kështu tërhiqet vëmendja nga problemet e mëdha ekonomike. Sepse, në fund të fundit, thotë zoti Koja, nuk është kjo reformë që do të luftojë korrupsionin, por është vullneti politik. Çdo dështim i marrjes të statusit kandidat, sipas zotit Koja, është penalizim i të gjithë shqiptarëve, por përgjegjësia ekskluzive i takon maxhorancës.

– Zoti Koja, Edi Rama, sërish ka ndryshuar qëndrimin politik për reformën e imunitetit, duke hequr dorë nga katër kërkesat e ndryshimeve kushtetuese dhe duke pranuar ta ridiskutojnë në Parlament. Kjo, ka të bëjë me esencën e problemit të kufizimeve të imunitetet, apo është derivat i ndikimeve të ndërkombëtarëve?

– Z. Rama, me sa e kam ndjekur unë, nuk ka manifestuar ndonjë ndryshim në esencën e qëndrimit të tij, përsa i përket kufizimit të imunitetit. Ai, por edhe opozita në tërësi, kanë qenë dhe mbeten pro kufizimit të imunitetit, por pas një konsultimi produktiv dhe të kujdesshëm me të gjithë faktorët e nevojshëm. Ky konsultim do të bëjë të mundur që PS-ja të mos përsërisë gabimin e pariparueshëm që bëri, duke u ngutur në ndryshimin e Kushtetutës në vitin 2008.

– Edhe Berisha ka ndryshuar politikën për këtë reformë, duke lënë kohën të rrjedhë, pa u ngutur, derisa do të dorëzojë kërkesën e referendumit deri në mes të shtatorit. Referendumi, a mund të jetë zgjidhja e ngërçit të kësaj reforme?

– Është në interesin e Berishës që çështja e kufizimit të imuniteteve të zgjatet pambarim. Kjo do ta ndihmonte mjaft atë për të mbyllur vitin shumë të vështirë 2012, vit kur ekonomia dhe financat u tkurrën ndjeshëm dhe kur borxhi publik u rrit në mënyrë të frikshme. Nëse gjatë gjithë pjesës së mbetur të vitit 2012, politika e në veçanti opozita do të merrej vetëm me çështjen e imuniteteve, atëherë kjo klimë do ta favorizonte maxhorancën, për të nisur vrullshëm dhe me një presion të gjithanshëm ndaj shqiptareve, fushatën për zgjedhjet e vitit 2013.

– Mendoni që PD-PS, vërtet kanë dëshirën për të luftuar korrupsionin, pavarësisht nga kundërshtia që kanë me njeri-tjetrin?

– Nuk është çështja e kufizimit të imunitetit pengesa për të luftuar korrupsionin, por mungesa e vullnetit politik. Në Shqipëri, si asgjëkundi në BE, ku aspirojmë të pranohemi, po instalohet rrezikshëm kultura e mosndëshkueshmërisë, kur shkelet ligji. Kur është kërkuar heqja e imunitetit për deputetë të ndryshëm, Kuvendi ka votuar pro heqjes së këtij imuniteti, për një numër të konsiderueshëm deputetësh, por kjo nuk ka ndryshuar asgjë në luftën kundër korrupsionit. Ç’ka tregon se heqja e madhe tek ne nuk është në procedurë, por në mentalitet

– Reformat i bëjmë për vete, apo duam t’u mbushim mendjen ndërkombëtarëve se po bëjmë ato që ata na thonë?

–  Asnjëherë në Shqipëri reformat nuk janë kryer nga vullneti i maxhorancës qeverisëse, por nga presioni i ndërkombëtarëve, që i është adresuar klasës sonë politike në forma të ndryshme, nëpërmjet Pyetësorit të Anëtarësimit, Progres Raporteve, 12 Rekomandimeve apo edhe në formën e takimeve të panumërta të Trojkës së Ambasadorëve me krerët shqiptarë.

– Rama, ditët e fundit,  bëri edhe një përpjekje të re që të gjejë rrugë komunikimi e bashkëpunimi me Metën. LSI-ja, pa dalë nga koalicioni qeveritar, a mundet që opozita të bashkohet me atë, në një koalicion parazgjedhor?

– Është pak herët për të konkluduar mbi fatin e bashkëpunimit politik midis PS-së dhe LSI-së. Për momentin PS-ja është në opozitë të pastër dhe LSI-ja në themel të qeverisjes. Mendoj që LSI-ja do të qartësojë qëndrimin e saj pas zgjedhjes së Kryeprokurorit të ri. Akoma më e paqartë mbetet çështja e koalicioneve parazgjedhore, jo vetëm se është herët, por edhe sepse negociatat për këto koalicione nuk do të jenë aq të lehta.

– Faleminderit!

 

______________________________________________________________________

‘SHQIPËRIA NË FLAKË’ NASA FOTOGRAFON SITUATËN, MAT RREZIKOHEN 4 FAMILJE

Gjatë ditë së djeshme helikopteri i vënë në dispozicion nga Republika Turke,  operoi në lartësinë e Priskës duke mundësuar izolimin e plotë dhe lehtësuar veprimet nga toka për shuarjen tij. Gjatë ditës së nesërme helikopteri do të operojë në zonën veriore dhe verilindore të vendit. Ndërkohë që, në vatrat e tjera të zjarrit kanë operuar pa pushim forcat e PMNZSH-së, Forcave të Armatosura dhe Shërbimit Pyjor, me mjete zjarrfikëse dhe mjete të rënda. Bazuar në informacionet e grumbulluara në Drejtorinë Operacionale të Drejtim Komandimit të Emergjencave Civile nga specialistët e Emergjencave Civile në Institucionin e Prefektëve, Stacionet e PMNZSH-së në rrethe, drejtuesit dhe përfaqësuesit e njësive të Qeverisjes Vendore, nga strukturat e Shërbimit Pyjor, si dhe nga pika të tjera kontakti në nivel qendror dhe vendor, situata ka qenë si më poshtë:

Në të gjithë territorin e vendit mbeten 31 vatra aktive zjarresh. 

Qarku Dibër: Ka 7 vatra zjarri aktive. Qarku Elbasan: Ka 1 vatër zjarri aktive.  Qarku Kukës: Ka 7 vatra zjarri aktive.  Qarku Korçë: Ka 2 vatra zjarri.  Qarku Lezhë: Ka 4 vatra aktive zjarri.  Qarku Shkodër:  Ka 10 vatra zjarri aktive.  Në rrethin Malësi e Madhe ka 4 vatra zjarri aktive dhe 4 të izoluara. Në Rrethin Puke. Kemi 5 vatra aktive dhe 1 të izoluar.  Qarku Tiranë: Ka 1 vatër zjarri aktive. Zjarri në Qafë Priskë, në malin e Dajtit është vënë nën kontroll. 40 forca të pyjores dhe komunitetit, 50 forca të ushtrisë si dhe helikopteri që vazhdon të operojë nga ajri, kanë vënë zjarrin nën kontroll. Qarku Vlorë. Ka 1 vatër aktive.  Qarku Durrës: Nuk ka vatra zjarri aktive. Në fshatin Skafinë, Komuna Ishëm vatra e zjarrit që u shfaq në paraditen e sotme u izolua plotësisht. Qarku Berat: Nuk ka vatra zjarri aktive.  Qarku Fier: Nuk ka vatra zjarri aktive. Qarku Gjirokastër: Nuk ka vatra zjarri aktive.