Mit Romney zyrtarisht kandidati i Republikanëve për President

576
Sigal

Konventa e Partisë Republikane zgjedh me unanimitet kandidatin për President të SHBA-ve

Në Shtetet e Bashkuara, Partia Republikane mbajti dje ditën e parë të Kuvendit, ku Mitt Romny u shpall zyrtarisht kandidati republikan për president, ndërkohë kongresmeni Paul Ryan, u emërua zyrtarisht nënpresident. Kandidati presidencial republikan ka një sfidë të komplikuar në kuvendin kombëtar të partisë së tij për emërim në Tampa, Florida, këtë javë. Z.Romney duhet të kapërcejë dyshimet në mesin e disa republikanëve se ai është vërtetë konservator dhe në të njëjtën kohë të gjejë një mënyrë për të tërhequr votuesit e pavendosur të moderuar për zgjedhjen në nëntor. Partia Republikane e hapi zyrtarisht Kuvendin e saj dje, por i shtyu shumicën e aktiviteteve për shkak të stuhisë tropikale Isaac që preku paksa brigjet e shtetit juglindor Florida ku mbahet Kuvendi.

 ________________________________________________________________________

SKANDAL NË GREQI, PËRGJOHEN TELEFONATAT E 50 000 PERSONAVE

Policia dhe Shërbimi Informativ Kombëtar e kanë kthyer Greqinë në një “Big Brother” të madh me anë të përgjimit telefonik. Provat tregojnë se rreth 50 000 telefona fiks dhe të lëvizshëm kanë qenë nën përgjim, ndërkohë që 7 kompani të komunikimit telefonik kanë raportuar probleme sigurie në rrjetin e tyre.  Të dhënat që vijnë nga Autoriteti i Privatësisë së Komunikimeve ADAE, dhe që publikohen nga gazeta “To Vima”, janë tronditëse.  Sipas ADAE, gjatë vitit 2011 janë lëshuar 4061 urdhra përgjimi nga Prokuroria, në krahasim me 2950 urdhrat e vitit 2010. Sipas raportit, gjatë viteve 2010-2011, përgjimet janë rritur me 70%. Autoriteti i Privatësisë së Komunikimeve bën të ditur gjithashtu se ka marrë mjaft ankesa nga qytetarët për shkelje të fshehtësisë së komunikimit me celular, në telefona fiks, por edhe në e-maile dhe në lidhjet e internetit.  Policia dhe Shërbimi Informativ grek përmendin luftën kundër terrorizmit, kriminalitetit dhe çështjen e sigurisë kombëtare, për marrjen e vendimeve të përgjimit. Me rëndësi është fakti që, Autoriteti i Privatësisë së komunikimit ka dyshime rreth monitorimit duke vërejtur parregullsi ligjore dhe “vrima të zeza” në proces. ADAE i ka dërguar një letër Gjykatës Supreme, me rekomandimet dhe vëzhgimet e veta për këtë çështje.

 ___________________________________________________________

MAQEDONI, KOALICIONI I PAQARTË, GRUEVSKI NË SHBA

Marrëdhëniet brenda koalicionit qeveritar në Maqedoni ako ma janë të paqarta pas tensioneve të krijuara midis dy partive VMRO-DPMNE dhe BDI. Burime qeveritare pranë kabinetit të kryeministrit Gruevski kanë informuar se vizita është e planifikuar dhe e rregullt dhe ka për qëllim tërheqjen e investimeve amerikane në Maqedoni. Ndërsa nga ana tjetër, nuk komentohen zhvillimet brenda koalicionit qeveritar. Ndërsa situata brenda koalicionit qeverisës mbetet e paqartë, kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski prej sot do të udhëtojë për një turne disaditëshe në SHBA dhe Kanada, në mision të kërkimit të investitorëve të huaj dhe promovimit të kapaciteteve investuese në Maqedoni. Në kuadër të delegacionit qeveritar do të jenë vetëm zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Vlladimir Peshevski, drejtori për zonat e lira ekonomike dhe industriale, Viktor Mizo, ministri pa portofol për investime Vele Samak, ndërsa akoma nuk është publikuar se a do të jetë ndonjë nga zyrtarët shqiptarë, përfshirë ministra apo drejtorin e Agjencisë për Investime të Huaja, Visar Fida. Delegacioni qeveritar do të prezantohet në Montreal dhe Toronto në Kanada, si dhe në Atalanta, Majami, Detroit, Tampa dhe Sharlot të SHBA-ve. BDI gjatë kësaj jave pritet të vendos për qëndrimet e saj të reja lidhur me mbetjen ose jo si pjesë e koalicionit, pasi që VMRO-DPMNE nuk ka hequr dorë nga Projekt – ligji për përkujdesje institucionale për ish-pjesëtarët e forcave maqedonase të sigurisë pjesëmarrës në konfliktin e 2001. Më 10 shtator është caktuar seanca parlamentare lidhur me debatin për këtë projekt – ligj, i cili përjashton zgjidhjen e statusit të ish-pjesëtarëve, familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të UÇK-së.

  ________________________________________________________________________

STUHIA ”ISAAC” SHNDËRROHET NË URAGAN TË KATEGORISË SË PARË

Stuhia ”Isaac” është shndërruar në një Uragan të kategorisë së parë gjatë afrimit për në Luiziana, në jug të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i prekur edhe nga uragani “Katrina” i kategorisë së tretë në vitin 2005, njoftoi sot Qendra amerikane e Vëzhgimit të Uraganeve (NHC). “Sipas informacioneve që kemi marrë, kjo stuhi ka marrë statusin Uragan i kategorisë së parë në orën 16:20 GMT”, deklaroi NHC-ja në faqen e saj të internetit. Presidenti Obama i bëri thirrje banorëve të zonave që mund të preken nga stuhia të ndjekin me kujdes lajmërimet e zyrtarëve lokalë dhe atyre shtetërorë, sidomos në se jepet urdhri për evakuim. Presidenti tha se, në këto kushte nuk është koha që për të mos u kushtuar rëndësisë paralajmërimeve. Dje presidenti deklaroi gjendjen e emergjencës për Luizianën, që në vitin 2005 u shkatërrua nga uragani “Katrina”. Deklarata e presidentit i hap rrugën financimeve federale për këtë shtet. Isaac, një stuhi tropikale që përparon ngadalë, mund të sjellë me vete reshje të shumta dhe të shkaktojë përmbytje në pjesën më të madhe të shteteve bregdetare. Guvernatori i Luizinëas i ka thënë banorëve të rajoneve të ulëta të evakuohen. Kjo stuhi për të cilën meteorologët thonë se mund të forcohet deri në kategorinë e Uraganit, shkaktoi shtyrjen e fillimit të Kuvendit Kombëtar të Partisë Republikane në Tampa të shtetit Florida. Republikanët do të emërojnë zyrtarisht Mitt Romnin dhe kandidatin për nënpresident, Paul Ryan si kandidatët e tyre, që do të vihen përballë presidentit demokrat, President Barack Obama dhe nënpresidentit Joe Biden në zgjedhjet e 6 nëntorit.