Basha: Zgjedhjet jashtë çdo standardi bashkëkohor evropian

443
Kreu i PD-së Lulzim Basha mblodhi sot për herë të parë pas zgjedhjeve vendore të 21 qershorit grupin parlamentar të kësaj parti. Gjatë fjalës së tij ai i konsideroi zgjedhjet pa standard dhe jo të lira dhe të ndershme. Basha akuzoi dyshen Rama –Meta se kandiduan në zgjedhje persona të inkriminuar dhe renditi një sërë shkeljesh sipas tij të konstatuara në këto zgjedhje.
“Për fatin e keq të shqiptarëve dhe turpin e qeverisë këto zgjedhje po vulosen dita ditës si zgjedhje jashtë çdo standardi bashkëkohor evropian si jo të lira dhe të ndershme. Tashmë në historikun e demokracisë shqiptare këto zgjedhje janë shënuar për aktin e kandidimit të përfaqësuesve të krimit. Aktivizimin e bandave të armatosura që vepruan nën mbrojtjen e policisë duke kërcënuar kadidatët e opozitës, mbështetësit të saj dhe zgjedhësit. Kërcënimin e administratës publike për votën dhe përdorimin e aseteve publike në funksion të fushatës. Derdhjen marramendëse të fondeve publike dhe parave të kirmit qeveritar për të blerë me lek votat. Manipulimin e listave zgjedhore dhe mbushje të kutive”, u shpreh Basha.

Sipas tij asetet publike u përdorën në funksion të kandidatëve të qeverisë, duke shtuar se janë derdhur shuma të marramendëse të fondeve publike. “Mijëra karta identiteti u blenë dhe u falsifikuan, u përfshinë në zgjedhje banda të lidhura me pushtetin. I dënuari me burgim të përjetshsëm për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamaj u përfshi në një fushatë të ethshme në Pukë, ku vetëm një javë para zgjedhjeve u takua me Edi Ramën. Si shpërblim ai u la të largohej jashtë shtetit vetëm pak ditë para dhënies së vendimit me bug përjetë”, u shpreh Basha. 
Ai tha më tej se ka pasur kërcënime me jetë edhe për kandidatët e këshillit bashkiak dhe për mbështetësit e PD. Në vijim Basha denoncoi bashki pas bashkie rastet e blerjes së votave dhe regjistrimin e votuesve fiktivë. 
Kreu i PD, deklaroi se Rama-Meta nxituan të shpalleshin fitimtarë të një pseudogare. Basha u zotua se PD do të jetë gjithmonë në fushën e betejës për të shkuar drejt fitores dhe për të mbrojtur vullnetin e qytetarëve. Sipas tij, bazuar edhe në konstatimet e ndërkombëtarëve zgjedhjet kanë dalë si problemi më i madh që ka vendi. 
Sigal