Basha: Shqiptarët po arratisen drejt Europës, Rama krihet para kamerave

435
Kreu i opozitës, Lulzim Basha, në një dalje për mediat nga selia blu tha se shqiptarët po marrin arratinë drejt Perëndimit për shkak të varfërisë dhe pasigurisë në vend, ndërsa Europa ka rihapur debatin e rikthimit të regjimit të vizave.
“Monologun banal të mbushur me mashtrime dhe shifra të gënjeshtra që i përgënjeshtrojnë vetë institucionet qeveritare mund të na e kishte kursyer ne si opozitë, ju si media, dhe qytetarëve vazhdimin e këtij debati të pabukë. Por Edi Rama u kreh gjatë sot para pasqyrës sot, ndërsa Shqipëria digjet nga varfëria, kriza ekonomike, pasiguria, mungesa e shpresës dhe besimit për të nesërmen. 
Ndërkohë që Rama krihej para kamerave mijëra familje shqiptare gjenden në krizë ekonomike dhe dhjetra e qindra, mijëra mallkojnë realitetin që ka krijuar kjo qeveri dhe bëjnë gati valixhet e nisen për kurbet. Mburret Edi Rama por në Europë ka nisur debati për kthimini e regjimit të vizave”, u shpreh Basha.
Basha tha se ka rënie të investimeve të huaja, dhe kundërshtoi Ramën edhe për konsumin. “Tha që është rritur konsumi, por TVSH, që është matësi më i mirë për ta treguar këtë, tregon të kundërtën.32 mln dollarë më pak nga janari i 2014-ës, ose 212 mln lekë më pak konsum se viti i kaluar.
Kreu i PD-së tha se qeveria nuk ka përmbushur as detyrimin ligjor; indeksimin e inflacionit. Në shëndetësi, vijoi Basha, situata është pak të thuhet skandaloze. “Çdo ditë vjedhje milionash me skema rimbursimesh, biznese dhe korrupsion edhe me jetën, me të sëmurët”, shtoi kreu i demokratëve. “Zor se gjen sot një kryeministër që të sajojë me kaq dhunë një bilanc. Sot do të kishte qenë e udhës që Edi Rama të fliste për ndryshim kursi, për ulje taksash, por siç e dëgjuat asnjë fjalë për hallet e vërteta të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha Basha.
Duke u ndalur tek dekriminalizimi, Basha akuzoi edhe njëherë tjetër Ramën se po pengon qëllimisht këtë proces, “për të mbrojtur personat me të cilët ndan sofrën e pushtetit. “Për të dënimi i Ndokës për prostitucion është një ngatërresë, Bushi është sajesë e medias së huaj, Elvis Roshi në zvicër është çështje emrash. Rama e di fare mirë kë ka ulur në sofrën e pushtetit, ndaj ka penguar dhe pengon, gënjyer dhe gënjen SHBA duke rrezikuar marrëdëhniet strategjike, sepse për të më strategjikë janë marrëdhëniet me kriminelët”, deklaroi Basha. Në fund, kreu i demokratëve shprehu vendosmërinë e opozitës për t’i shkuar deri në fund procesit të dekriminalizimit.
Sigal