Basha: Referendumi e ka emrin zgjedhje të parakohshme

484
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama për reformën në drejtësi në një intervistë televizive ditën e djeshme. Kreu i PD-së e quan Ramën tregtar të paskrupullt, spekulant i pazareve të pista dhe politikan që s’ka mbajtur një premtim.
“Kush e quan pazar, konsensusin që kërkon komisioni i Venecias për reformën në drejtësi? Tregtari i paskrupullt i politikës, spekulanti më i madh i pazareve më të pista në vend, ai që ka bërë pakt me krimin, themeluesi i aleancës së qelbësirave, ai që i zvarritej Nanos dhe i përkuljes Metës kur ia lypte nevoja dhe sa kalonte lumin ngrinte kurthe për ta, politikani që s’ka mbajtur një fjalë apo një premtim që ditën e parë e deri më sot.
E quan pazar konsensusin, njeriu që futi kriminelët në bashki, zyra publike e Parlament, erdhi me ta në pushtet e ndau pushtetin me ta. E quan pazar konsensusin për drejtësinë, kumbari i pazareve me doganat dhe tatimet, me Shullazët dhe Habilajt, me tenderët dhe koncesionet, me Papulët dhe Carapulët, Nushët e Beqët”, tha Basha.
Për kreun e PD-së, konsensusi që kërkon komisioni i Venecias, është rruga që e shpëton drejtësinë nga kapja politike. “Konsensusi zhduk pazarin, është e kundërta e tij. Pikërisht, kësaj i druhet Rama, ky është temjani që e tremb atë. Sepse një drejtësi e pakapur është problem serioz për këtë që ndau me CEZ-in 600 milionë euro, për këtë që ka dhënë mbi 360 milionë euro koncesione miqve të tij. Është problem drejtësia e pakapur për përgjegjësin e 777 milionë euro vjedhje në tenderë, për 400 milionë dollarë që u vodhën vjet në dogana”, deklaron ai.
Sipas Bashës, ‘një drejtësi e pakapur do të ishte në anën e Qamil Zelës, Llazi Nasit, Gjovalin Lazrit, Arif Dodës, Bruna Mekës, Mark Brahimajt, Fluturim Cukut e shumë qytetarëve që korrupsioni, padrejtësia, arroganca e qeverisë dhe bandave të Edi Ramës u mori jetën. E po kështu, një drejtësi e pakapur do të ishte problem për Prengët, Ndokët, Bushët, Roshët, Pecët, Ndonët e cubat e Edi Ramës, për Kokëdhimët, Tahirët, Beqajt, Ahmetajt e Gjiknurët e për vetë kreun e bandës së 40 hajdutëve. Dhe një drejtësi e pakapur, do të zhvlerësonte armën diabolike që ka Rama, dosjet dhe shantazhet që mban për aleatin e tij Meta dhe kundërshtarët brenda partisë e të korruptuarit e politikës kudo qofshin’.
Kreu i PD-së tha se Rama kërkon me çdo kusht të kapë drejtësinë dhe se referendumi është një mundësi e shkëlqyer dhe e ka emrin zgjedhje të parakohshme.
“Kjo është e tmerrshme për Edi Ramën, ndaj ai këmbëngul të kapë me çdo kusht drejtësinë, edhe pse ashtu si Venecia edhe opinioni vendas e ndërkombëtar kërkon të kundërtën. Referendumi është vërtet një mundësi e shkëlqyer. Referendumi e ka emrin zgjedhje të parakohshme, shansi që qytetarët të cilët me kohë e kanë grisur kontratën me Edi Ramën, të japin gjykimin e tyre përfundimtar për qeverisjen e tij të dështuar, të korruptuar dhe kriminale”, deklaron Basha.
Sigal