Video e Al-Kaedas: Italia romane ka pushtuar Tripolin, Alfano: Jemi vend në rrezik

515
Agjensia Al- Akhbar ka shpërndarë imazhet e një videoje që i ka mbërritur në redaksi ku numri dy i Al Kaedas, algjeriani Abu Ubaydah Yusuf al-Anabi, akuzon Italinë se ka pushtuar Libinë.
“Italia romane ka pushtuar Tripolin, thuhet në videon prej 23 minutash. Pushtuesit italianë do të pendohen, do të poshtërohen e do të nënshtrohen.”
Abu Ubaydah Yusuf al-Anabi, prej shtatorit të 2015 ka hyrë në listën e terroristëve global të Departamentit Amerikan të Shtetit, i identifikuar si anëtar i Al Kaedas në Magrebin Islamik (Aqmi), anëtar i kryesisë së lartë të kësaj organizate e drejtues i strukturës mediatike të saj.
Në video ai akuzon për një komplot të vërtetë kundër Libisë, i nisur me nënshkrimin e paktit të qeverisë së bashkimit kombëtar, nënshkruar më 17 dhjetor në Skhirat të Marokut, mes përfaqësuesit libian të parlamentit të Tripolit e Tobruk, nën ndërmjetësinë e ONU e me një rol të rëndësishëm të Ministrit të jashtëm italian Paolo Gentiloni, e deri në atë që ai quan pushtimi i Libisë nga Italia”.
“Është një kryqëzatë kundër Islamit, thotë Yusuf al-Anabi në videomesazhin e tij, ku viktima sot është Libia, kundër të cilës janë vërsulur sundimtarët arabë e romanë”.
Duke iu drejtuar libianëve ai thotë; ” Italianët kanë pushtuar kryeqytetin uaj. Lini menjanë dallimet, forconi rradhët, bashkoni forcat. Pushtuesit italianë duhet të shporren.”
Pa shumë detaje në video thuhet se “një gjeneral italian është në krye të qeverisë kukull, ku bëjnë pjesë njerëz të racës tonë e që kanë shitur fenë e tyre. Ashtu siç ndodhi në Irak me emërimin e Paul Bremer, pas fushatës kriminale të George Bush, pa harruar parterin e tij në krime, Donald Rumsfeld i cili përbalti Bagdadin.”
Në fund të videos Abu Ubaydah Yusuf al-Anabi kërcënon Italinë, “ju pushtues të rinj, nipër të Rudolfo Grazianit, ( gjenerali që në epokën fashiste drejtoi luftën koloniale të Italisë), do të kafshoni duart e do të pendoheni se hytë në tokën e Omar al-Mukhtar (komandanti libian që drejtoi rezistencën ndaj pushtimit italian) e do të dilni të poshtëruar e të nënshtruar, falë ndihmës së Zotit.”
Pas publikimit të kësaj videoje Ministri i Brendshëm italian Anxhelino Alfano është shprehur se nuk është hera e parë që marrim kërcënime të tilla.
“Video është duke u analizuar e prej kohësh konsiderohemi një vend në rrezik terrorizmi e jemi një vend në rrezik. Por kemi një plan parandalimi që ndihmon për të reduktuar këtë rrezikun e plane të tjera të gatshme në raste emergjecash”.
Sigal