Basha: Rama-Meta dëgjoni bashkimin e shqiptarëve: Ikni!

418
Sigal

TIRANE – Rama ik! Meta ik! Kjo ishte thirrja e shqiptarëve që marshuan në protestën e opozitës përreth një orë para Kryeministrisë. Lideri i demokratëve Lulzim Basha në fjalimin e shkurtër që mbajti në podiumin e ngritur para kryeministrisë, i bëri thirrje dy aleatëve në qeverisje, kreut të qeverisë Edi Rama dhe kryeparlamentarit Ilir Meta, që të dëgjojnë zërin e bashkuar të mijëra qytetarëve në protestë dhe të largohen nga pushteti.

Ndërsa pjesa e parë e fjalimit nisi me denoncimin e situatës ku ndodhet kriminaliteti dhe gjendja ekonomike e shqiptarëve, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha në fund u ndal në çështjen “Doshi”.  Lideri i opozitës kërkoi dorëheqjen e Metës dhe përballjen e tij me drejtësinë për akuzat që deputeti i përjashtuar nga PS Tom Doshi ka artikuluar, se ka urdhëruar vrasjen e tij dhe të deputetit demokrat Mhill Fufi. Për kryeministrin Edi Rama, kërkesa e zotit Basha është: Ndal trysninë ndaj organit të akuzës!

Kryedemokrati Basha paralajmëroi se vala e protestave nuk do të ndalet derisa Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama të largohen nga qeverisja.

“Jemi gati, jemi në këmbë, të gatshëm t’i dalim zot me çdo mjet demokratik vendit tonë, fateve tona, të fëmijëve tanë.  Do të qëndrojmë të mbledhur dhe të bashkuar deri në fitore, nga ky bashkim i shqiptarëve në këtë bulevard të mbushur si asnjëherë më parë. Përballë do të na keni derisa ta çlirojmë vendin nga krimi, derisa drejtësia të bëhet. Nuk ndalemi derisa ta shporrim të keqen, derisa Edi Rama dhe Ilir Meta të largohen”, u shpreh Basha. 

Ora 12:05 Çipa: Protesta shkoi shumë mirë, nuk kishte asnjë incident
Pavarësisht paralajmërimeve se në protestën e sotme të opozitës do të kishte dhunë, asgjë nuk ndodhi, e gjithçka shkoi shumë mirë. Drejtori i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa në një intervistë për median tha se protesta ishte normale. “Protesta shkoi shumë mirë, nuk kishte asnjë incident, asnjë nuk është ndaluar, protestë ishte normale. Gjithashtu organizatorët ishin të gatshëm për bashkëpunim me policinë”, theksoi Çipa. 

Ora 11.33 Basha: Rama-Meta dëgjoni bashkimin e shqitparëve, ikni!
“Të gjithë e panë se pamja e këtij sheshi mbylli parlamentin dhe pushoi ilir metën nga detyra e kryetarit të kuvendit. E panë bashkimin e shqiptarëve. Dëgjojeni bashkimin e shqiptarëve “Rama Ik, meta ik”! Jemi mbledhur sot më të bashkuar se kurrë se në jetën e 135do shqiptari, në ëndrrat që kemi, dëshirat tona për të pasur punë, dinjitet, dikush ka ndërhyrë brutalisht, qeveria Edi Rama dhe Ilir Meta që kanë përmbysur gjithçka. Njerëz të braktisur nga qeveria, mjerim, ndërsa oligarkët po mbushin xhepat, në cdo zyrë të qeverisë ka vjedhje. Zyrat e qeverisë janë kthyer në portat e ferrit të zhvatjes së qytetarëve, sipas modelit të dyshes Rama-Meta. Njerëzit po luten të shpëtojnë kokën që tritoli mos të shpërthejë, që fëmijët të kthen shëndoshë në Shqipëri. Nuk ka krim më të madh se mos të garantosh siguri. Nuk mund të ketë rend dhe siguri kur vjen në pushtet me krimin dhe qeveris me krimin. Bandat e Ilirit, të Edit, apo të Saimirit i kanë dorë të lirë dhe janë bërë të paprekshëm. Trafikantë droge dhe krerë bandash kana kapur zyrat publike dhe kanë arritur deri në Kuvend.

Ora 11.30 Paloka: Ti themi Ramës zhduku, ne nuk ju duam
“Sot dyshja e krimit mbylli parlamentit sepse nuk guxoi më të rrijë atje. Jemi sot më shumë se kurrë për ti treguar atyre që nuk mund të vazhdojnë me kriminelë. Të flejnë natën me kriminelë dhe paradite të futin në burg qytetarët e pafajshëm. Ti themi Ramës zhduku sepse kjo qeveri nuk mund të vazhdojë më. Ikni një orë e më parë se ne nuk ju duam. Jemi sot për të filluar protestën tonë dhe për ta cuar deri në fund derisa këta të zhduken. Nesër e gjithë Shqipëria do ti cojë aty ku ata e meritojnë”, u shpreh kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka.

Ora 11:30 Ristani: Qytetarët në protestë kundër pushtetarëve kriminelë
Në fjalën e tij në foltoren e protestës së Partisë Demokratike, Sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani u shpreh se qytetarët nuk mund të lejojnë që të keqqeverisjen, me pushtetarë kriminelë që e kanë mendjen vetëm tek xhepi i tyre.

Sipas Ristanit, populli po shkon në varfëri, ndërsa Rama urdhëron burgosjen e qytetarëve që nuk paguajnë energjinë, e ndërsa Meta vrasjen e deputetëve të Kuvendit.

“Të dashur qytetarë, jemi mbledhur sot kaq të shumtë në numër, kaq të vendosur dhe të indinjuar, sepse kemi nevojë të protestojmë, të na dëgjojnë, të na respektojnë, sepse na takon edhe e meritojmë një jetë më të mirë. Para pak më shumë se gjysmë viti, zgjodhëm pushtetarët tanë, që na premtuan mirëqënie, rend dhe siguri, se do na qajnë hallin. Të dashur qytetarë, pushtetarët tanë janë sot një grup oligarkësh e kriminelësh, ndërsa populli zhytet ccdo ditë në krim dhe varfëri. Është shtrenjtuar jeta, punë nuk ka. Nuk na shërbejnë më mirë në administratë, përkundrazi na dhunojnë. Është bërë e frikshme jeta me shpërthime me tritol dhe me vrasje. Por Rama dhe Meta nuk e vrasin mendjen, e kanë mendjen si të shtojnë pushtetin e tyre, ndërkohë që Rama urdhëron burg për qytetarët që nuk paguajnë dritat. Meta urdhëron vrasjen e deputetëve. Të dashur shqiptarë, të protestojmë sot fuqishëm, t’i tregojmë bandës së mafiozëve sa të vegjël janë. T’i tregojmë se banda nuk mund të na drejtojnë. E ardhmja është e jona, dhe jo e banditëve. Rroftë PD. RroftëShqipëria e burrave të ndershëm.” tha Ristani

Ora 11.10 Basha lë selinë blu, i bashkohet marshimit
Lideri demokrat Lulzim Basha ka lënë selinë e Partisë Demokratike për t’iu bashkuar marshimit të protestuesve.

Ora 11.00 Nis marshimi i protestuesve drejt Kuvendit
Në orën 11.00 ka nisur tubimi i protestuesve nga sheshi “Skënderbej” në drejtim të Kuvendit dhe Kryeministrisë, aty ku lideri demokrat Basha do të mbajë fjalimin.

Ora 10.45 Policia: Të armatosur me armë e tritol të infiltruar në turmë 
Policia e Shtetit përmes një njoftimi zyrtar tha se ka marrë informacione që në protestën e opozitës mund të ketë persona me armë zjarri apo me lëndë eksplozive të cilët mund të infiltrohen brenda turmës.

Njoftimi i Policise se Shtetit
Policia e Shtetit, ka marrë të gjitha masat për garantimin e mbarëvajtjes së tubimit të sotëm, si dhe për garantimin e rendit e sigurisë publike në qytetin e Tiranës dhe në të gjithë vendin. Përmes këtyre masave synohet parandalimi i çdo paligjshmërie dhe garantimi i plotë i të drejtës për të protestuar paqësisht.

Në kuadër të këtyre masave, si dhe në vlerësim të informacioneve të marra nga Policia e Shtetit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, sikurse është bërë me dijen gjatë ditës së djeshme, strukturat policore po ushtrojnë kontrolle në akset rrugore, me qëllim identifikimin e kapjen e personave që mund të lëvizin me armë apo sende të tjera të kundraligjshme, apo që në bazë të të dhënave mund të synojnë akte të paligjshme gjatë protestës.

Ndërkohë që prej orës 09:30 është bllokuar qarkullimi i automjeteve në akset e bëra publike më parë.

Sqarojmë edhe një herë opinionin publik se nga strukturat e policisë së Shtetit nuk ka asnjë pengim apo bllokim të automjeteve që transportonin qytetarë drejt Tiranës.

Policia e Shtetit porosit pjesëmarrësit në këtë tubim dhe organizatorët që të tregojnë kujdes, për shkak të informacioneve që disponon policia për mundësinë e personave me armë zjarri apo me lëndë eksplozive që mund të infiltrohen brenda turmës.

Policia e Shtetit, është e vendosur në përmbushjen e misionit të saj për garantimin e rendit e të sigurisë publike dhe të lirive dhe të drejtave të qytetarëve, në respekt të plotë të ligjit, duke ofruar rend e siguri për të gjithë qytetarët e këtij vendi.    

Ora 10.15 Edhe në Parlament Forca Speciale

Ora 09.50  Paloka: Të lirojnë pritat ndaj qytetarëve, përndryshe i paralajmëroj: Përgjegjësia do jetë e tyre!
Kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka ndërsa i drejtohej seancës plenare të kësaj të enjteje mbajti një prononcim për mediat ku dha një mesazh të fortë për atë se cka mund të ndodhë gjatë protestës së opozitës për dorëheqjen e Metës. Ai i bëri thirrje mazhorancës që të lejojë kalimin normal të protestuesve nga rrethet në Tiranë pa kontrolle nga policia, në të kundër tha ai, të gjithë përgjegjësinë do ta mbajë qeveria.
“Të lirojnë pritat që u kanë bërë qytetarëve që duan të protestojnë qetësisht. Të mos i provokojnë duke ngritur prita, të mos provojnë me vullnetarët e Enverit sepse përndryshe të gjithë përgjegjësinë do ta mbajnë vetë. Ata kanë ardhur të protestojnë qetësisht, të mos provokojnë, i paralajmëroj edhe njëherë, gjithçka pastaj do të jenë në përgjegjësinë e tyre. Të gjithë i dinë për skenarët e Metës me Ramën, po provokuan do jenë ata përgjegjësit kryesorë. Largoni vullnetarët e Enverit nëse nuk doni që të ikni sot nga qeveria”, -tha Paloka.

I pyetur nga Joniada Koçi nëse demokratët kanë siguri për mbarëvajtjen e protestës pa incidente dhe nëse i druhen apo jo një 21 janari të dytë, Paloka tha:

“Nuk duam të përsëritet një 21 janar, ai nuk ishte një rastësi, ishte një grup njerëzisht i vënë në urdhrat e Ramës. U qëllua Policia e Shtetit nga banditët e Edi Ramës, ne nuk duam asnjë përplasje. E kemi treguar dhe jemi vetëm për protesta paqësore derisa kjo qeveri të largohet”. 

Ora 09.30 Policia në gatishmëri, qindra forca para kuvendit e kryeministrisë
Policia është në gatishmëri të plotë për të garantuar zhvillimin pa incidente të protestës së opozitës. 

Ora 09.20 Mblidhen simpatizantët e LSI: Poshtë aleanca Doshi-Berisha
Qindra qytetarë janë mbledhur në selinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Simpatizantët e kësaj force politike të cilët kanë dalë në mbështetje të kryetarit Meta do të bllokojnë sheshin “Ëilson”. Po ashtu mësohet se parrulla e tyre do të jetë: Poshtë aleanca Doshi-Berisha.
 
Ora 08.15 Nga Shkodra dhe Berati nisen simpatizantë të LSI-së në mbështetje të Metës
Por nga qyteti i Shkodrës dhe Beratit, vec militantëve të Partisë Demokratike, janë nisur edhe simpatizantë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. 

Ora 08.10 Korçë, nisen 9 autobusë me protestues
Edhe qytetarët e Korcës janë nisur herët në mëngjes me autobusë të siguruar nga Partia Demokratike për t’iu bashkuar protestës. Janë rreth 9 autobusë me militantë demokratë që janë nisur drejt Tiranës.
 
 Ora 08.35 Vlorë, nisen 5 autobusë dhe 5 furgonë
Nga qyteti i Vlorës janë mijëra militantë të cilët janë nisur për t’iu bashkuar protestës në Tiranë. 5 autobusë dhe 5 furgona janë nisur nga xhamia në qendër të qytetit bergdetar dhe nga komunat përreth. Policia kryen kontrolle në hyrje të autostradës për cdo automjet personal dhe autobusët e ofruar nga PD për protestuesit.

Ora 08.30 Lezhë, nisen rreth 1500 militantë drejt Tiranës

Ora 07.55 Shkodër, niset autobusët me militantë, postblloqe në Kryebushat
Autobusët me militantë demokratë janë nisur edhe nga qyteti i Shkodrës për t’iu bashkuar protestës në Tiranë. Disa prej qytetarëve janë nisur edhe me makinat e tyre personale, ndërsa postblloqe policie janë vendosur në Kryebushat për të shmangur kalimin e personave me mjete që mund të përbëjnë kërcënim për zhvillimin paqësor të protestës.

Ora 07.50 Kukës, nisen me autobusë rreth 1 mijë militantë të PD. Rexhmati: Protestë paqësore
Rreth 1 mijë persona janë nisur nga qyteti i Kukësit për t’iu bashkuar protestës së Partisë Demokratike. Kryetari i PD-së Arif Rexhmati tha se protesta është kundër varfërisë, rritjes së cmimit të energjisë dhe faturave afrofe. Po ashtu, sipas tij, protesta bëhet edhe kundër dhunës policore, vrasjeve të porositura dhe keqqeverisjes sipas tyre të koalicionit Rama-Meta. Ai theksoi se protesta do të jetë paqësore. 

Protesta e PD-së pas akuzave të Tom Doshit për Ilir Metën
Tashmë është bërë e qartë prej një jave që opozita nëpërmjet protestës kërkon dorëheqjen e kreut të Kuvendit Ilir Meta dhe të qeverisë. Kjo thirrje për protestë u bë kauzë e opozitës pas akuzave që deputeti socialist Tom Doshi i drejtoi kryeparlamentarit me pretendimin se ky i fundit kishte bërë një skenar për vrasjen e tij dhe të deputetit demokrat Mhill Fufi.