Basha në Uashington për të marrë pjesë në ceremoninë e Presidentit të ri Donald Trump

501
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ndodhet në Uashington për të marrë pjesë nesër në ceremoninë e përurimit të presidentit të ri Donald Trump. Por, ndërsa në Shtetet e Bashkuara nesër fillon nga detyra administrata e re, Shqipëria ndodhet në prag të zgjedhjeve të përgjidhshme që do të zhvillohen në qershor. Në intervistën për shefin e shërbimit shqip Arben Xhixho, zoti Basha flet për gjendjen në Shqipëri në prag të zgjedhjeve dhe kërkesat që ka bërë Partia Demokratike për to.
Zëri i Amerikës: Zoti Basha ju ndodheni këtu në Uashington për ceremoninë e përurimit të Presidentit të ri Donald Trump. Fillimisht do të kërkoja një sqarim për statusin me të cilin po merrni pjesë ju në këto ceremoni. Ka pasur spekulime në shtypin shqiptar për mënyrën se si vijnë zyrtarët shqiptarë këtu në Uashington. Ajo që dihet është që nuk ka ftesa zyrtare nga qeveria amerikane. Ftesat lëshohen nga anëtarët e kongresit, ligjvënës ose senatorë. Cili është statusi juaj?
Lulzim Basha: Unë jam ftuar në ceremoninë e inaugurimit dhe në ceremonitë e tjera me rastin e inaugurimit, nga anëtarë të mazhorancës, pra të partisë republikane të kongresit amerikan. Për shembull, dje kam qenë i ftuar i senatorit Ted Cruz. Për ceremoninë e inaugurimit kam ftesë të përbashkët nga kryetari i komisionit për Europën në komisionin e jashtëm të Kongresit dhe nga bashkëkryetari i komisionit për OSBE-në, nga dy kongresmenë të njohur republikanë dhe po kështu kam një numër ftesash nga kongresmenë dhe senatorë të partisë demokratike për disa nga aktivitetet e tjera që organizohen gjatë inaugurimit të presidentit Trump. Pra, ftesat janë ftesa, nuk janë bileta, janë të papaguara, janë të dërguara dhe jo të kërkuara dhe unë jam i nderuar që u jam përgjigjur ftesave të përfaqësuesve të shumicës në kongresin amerikan dhe të partisë republikane, komitetit kombëtar republikan për të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit Trump, pra, në ceremoninë e inaugurimit dhe të gjithë festimet dhe ceremonitë e tjera.
Zëri i Amerikës: Në fakt do të bëj një sqarim. Do të thotë se ju i quani ftesa ato që quhen po bileta. Por dallimi është që disa prej këtyre dalin në forume të ndryshme të shtiblerjes online, përfundojnë atje, në rrugë pa të drejt dhe njerëz të ndryshëm mund të arrijnë t’i blejnë me çmime nga pesëqind deri në disa mijë dollarë.
Lulzim Basha: Nuk e kam ndjekur këtë proces, me thënë të drejtën. Unë jam i ftuar zyrtarisht nga anëtarë të kongresit, nga anëtarë të mazhorancës dhe nga komiteti kombëtar republikan për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit dhe në të gjitha ceremonitë e tjera që zhvillohen gjatë kësaj jave, disa prej të cilave kanë filluar.
Zëri i Amerikës: E qartë. Zoti Basha zgjedhjet e tanishme presidenciale këtu në Shtetet e Bashkuara ishin nga më interesantet dhe në të njejtën kohë më përçarëset në historinë e Amerikës. Megjithatë, nesër kur të bëhet ceremonia e përurimit presidenti i zgjedhur Trump do ta filloj ditën me një takim në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Obama. Prej andej, të dy do të shkojnë në kongres. Do të fillojnë pastaj ceremonitë e tjera përuruese. Rivalja e tij kryesore, Hillary Clinton do të jetë e pranishme në ceremoninë e përurimit. Pra kjo do të thotë se në Amerikë, një nga thelbet, çelësi i demokracisë, tranzicioni paqësor i pushtetit nuk po cënohet aspak. Të kthehemi në vendin tuaj në Shqipëri. Pas gjithë këtyre viteve të tranzicionit në sistemin demokratik, zgjedhjet, tranzicioni i pushtetit ka qënë gjithmonë jo aq i suksesshëm. A ka ardhur koha që edhe në Shqipëri këto ndryshime pushteti, pasi mbarojnë zgjedhjet pala humbësa ta përgëzoj palën fituese dhe jeta të vazhdoj normalisht?
Lulzim Basha: Unë do të thoja se konstatimi është pjesërisht i drejtë. Në zgjedhjet e 2005 dhe në zgjedhjet e 2013 pati rotacion pushteti. Të dyja këto unë do t’i vlerësoja si relativisht të qeta dhe joproblematike. Do të vlerësoja në veçanti tranzicionin e vitit 2013, kur mazhoranca e atëhershme përgatiti dosjet për të gjithë institucionet në mënyrë të plotë dhe substantive për t’i lehtësuar tranzicionin e pushtetit qeverisë që erdhi drejtuar nga zoti Rama dhe zoti Meta. Kjo u vlerësua nga shoqëria shqiptare edhe ndërkombëtarisht. Pra, ishte një hap drejt konsolidimit të praktikës demokratike në Shqipëri. Problemi është se që nga ky moment kemi patur probleme të njëpasnjëshme me zgjedhjet. Dy muaj pas tranzicionit të pushtetit ne patëm zgjedhje lokale në Korçë për shkak se ish-kryetari i bashkisë u emërua zëvendës-kryeministër. Nga mediat shqiptare, të cilat nuk mund t’i akuzosh se janë afër opozitës, u filmua një proces i turpshëm i shit-blerjes së votës. Opozita protestoi dhe ngriti zërin. Unë insistova për një hetim të plotë. Hetimi nisi dhe në korrik të vitit tjetër, pra, në 2014, maxhoranca në mënyrë të njëanshme kaloi një amnisti për të bllokuar nxjerrjen para drejtësisë të autorëve të shitblerjes së votës në Korçë. Mosndëshkimi i këtij krimi elektoral ishte paralajmërim për atë që ndodhi në 2015, për atë që OSBE e quajti minim të besimit tek vota e lirë. Ky ishte konkluzioni i OSBE për zgjedhjet e 2015. Për të arritur në shfaqjen më të shëmtuar në zgjedhjet e Dibrës në shtator të vitit të kaluar, ku përveç shitblerjes së votës, problemi i madh i rolit të kriminelëve në politikë dhe në zgjedhje, i infektuar edhe me problemin e drogës, sollën asgjësimin e procesit politik. Çfarë është procesi politik? Ai është një garë. Edhe këtu në Amerikë patëm garë mes dy alternativave.
Zëri i Amerikës: Keni të drejtë. Ideja është kjo që në Amerikë ose në Shqipëri kur të mbarojnë zgjedhjet të mos vazhdojnë më thirrjet për bojkotim parlamenti, protesta të kryesuar nga partitë ose deputetët vetë. A është maturuar sa duhet politika shqiptare?
Lulzim Basha: Problemi numër një me Shqipërinë sot është se qeveria është treguar jo e paaftë për të mbajtur zgjedhje të lira e të ndershme, por autore e kapjes dhe prishjes së zgjedhjeve. Sot në Shqipëri kemi një problem, që është konstatuar botërisht nga shumë sondazhe të pavarura, që shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk besojnë se zgjedhjet e ardhshme do të jenë të lira e të ndershme. Dhe ky është një problem i madh jo vetëm për opozitën, për partinë demokratike apo për mua. Ky është një problem i jashtëzakonshëm për vendin. Sepse të mos besosh që do të kesh zgjedhje të lira e të ndershme do të thotë të mos besosh tek e ardhmja, të mos kesh shpresë se përmes votës mund të ndryshosh politikën. Kjo ka sjellë një valë të re emigracioni. Shqiptarët po largohen nga Shqipëria, sepse ka një humbje besimi te politika si instrument ndryshimi. Kjo është detyra jonë e parë dhe kryesore; të rikthejmë besimin te politika, si instrument në duart e qytetarëve për të ndryshuar, e jo për të ndryshuar ministrat apo klientët e qeverisë, por për të ndryshuar jetën e qytetarëve. Që kjo të ndodhë, duhet të kemi zgjedhje të lira e të ndershme. Sot zgjedhjet janë të kërcënuara nga shitblerja e votës, nga moszbatimi i ligjit të dekriminalizimit, apo kriminelët në politikë, nga përdorimi i shtetit. “Shteti u bë njësh me partitë” – tha OSBE-ja. Ndaj ne kemi propozuar një paketë ku përfshihet votimi dhe numërimi elektronik, dekriminalizimi i shpejtë i politikës, aksesi i barabartë në media, kufizimi i shpenzimeve elektorale dhe transparenca e financimit të partive politike.
Sigal