‘Prishja e koalicionit me PS, vendimi më i mirë’/ Kryemadhi: LSI i ka kallur datën Ramës

302
Sigal

Pas sulmeve të kryeministrit Rama në Asamblenë Kombëtare të PS-së, ka ardhur edhe reagimi i kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi.

Në prononcimin e saj para mediave, Kryemadhi tha se vendimi për tu shkëputur nga koalicioni me Ramën ka qënë më i miri që LSI-ja ka marrë ndonjëherë.

Ndër të tjera Kryemadhi tha se kjo forcë politike i kall datën Ramës.

Gjithashtu Kryemadhi shtoi se kryeministri ia ka përmendur emrin aq shumë sot, sa edhe bashkëshorti i saj, Presidenti Ilir Meta nuk i ka thënë të dua në jetën e saj.

Fjala e plotë e Monika Kryemadhit:

‘Mirmbrëma të dashur qytetarë!’

‘Sot pas një kohe shumë të gjatë dëgjova disi me ëndje, fjalën panik e sipër të kryetarit të rilindjes dhe kryeministrit në ikje, zotit Edi Rama. Tashmë, ai tregoi se historinë e tij e ka mbaruar me shqiptarët por edhe me socialistët.

Me anëtarët e Partisë Socialiste të cilët panë përfundimisht fytyrën e personit që ka grabitur Partinë Socialiste dhe kuptuan se kush është frika e grabitësit të vlerave të majta në Shqipëri dhe kush është partia politike e cila përfaqëson vetë ata dhe interesat e socialistëve në Shqipëri.

Sot, dua të ndaj me të gjithë ju që Lëvizja Socialiste për Integrim vazhdon të ngrihet në përgjegjësi të asaj force politike që në 2010 iu dha qytetarëve liberalizimin e vizave të cilën Edi Rama prej vitesh e bllokonte. I kujtoj Ramës edhe të gjithë shpurës së tij, se deklaratat publike që bënte mos liberalizoni vizat për shqiptarët sepse do të ikin mbi 1 milionë shqiptarë nga Shqipëria. Dhe me të vërtetë nuk ikën 1 milionë shqiptarë.

Dhe vet grafiku i Ramës që e ndëroi me vrap në asamblenë e tij, tregon që shqiptarët përkundrazi, në momentin e liberalizimit të vizave dhe gjatë kohës që ai qeveriste së bashku me Lëvizjen Socialiste për Integrim largimi i të rinjve dhe të rejave ishte në numër më të vogël. Por nga 2017 ku mori kazanin, tepsinë, garuzhden, tenxheren, me çfarë ai ka dëshirë të ndajë jetën e tij, rritja ishte në stratosferë dhe më shumë se në vitin 1992. Dhe me vrap ja ndryshoi regjia dhe e çoi tek digjitalizimi i famshëm i tij.

Dua të them dhe të përsëris dhe një herë ata që tha zoti Rama për koalicionin me LSI për të vazhduar një mandat të dytë ne sektin e rilindjes.

Është një nga vendimet më të mira që Lëvizja Socialiste për Integrim ka marrë. Sepse kjo do të ndante një herë e përgjithmonë zullumin dhe llumin që Rama kishte futur jo vetëm qeverinë shqiptare por edhe Partinë Socialiste dhe gjithë shqiptarët në varfërinë që vinte më pas. Dua të falënderoj të gjithë të rinjtë dhe të rejat e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Të gjithë mbështetësit e Lëvizjes Socialiste për Integrim të cilët i kanë kallur datën Edi Ramës saqë i gjithë fjalimi i tij i kushtohej Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Monikës. Nuk po merrem me presidentin se presidenti ja kthen vet përgjigjen. Me thënë të drejtën aq herë se ka përmendur emrin tim Edi Rama në fjalimin e tij nuk më ka thënë Ilir Meta të dua në kaq vite. Edi Ramën tashmë nuk e shoqëron frika e humbjes, por e shoqëron frika e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Sepse socialistët gjejnë veten tek Lëvizja Socialiste për Integrim’, ka përfunduar Kryemadhi.