Basha: Në 2 vite nis Rruga e Arbrit

491
Kryetari demokrat vijon takimet elektorale, duke premtuar edhe hapjen e universitetit në Dibër

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u kërkoi dibranëve dhe korçarëve të votojnë planin e tij ekonomik që do të sjellë rritje ekonomike, ulje taksash, vende pune, stazhe për të rinjtë, para për fermerët dhe pensione më të larta. Basha u shpreh se vota për numrin 6 është mundësia për një të nesërme të sigurt. Basha nënvizoi se plani i tij lindi nga nevojat e njerëzve, gërshetuar me potencialet e vendit dhe ekspertizës e njohësve më të mirë të ekonomisë, njerëzit e Angela Merkel. Ai u zotua se brenda dy vitesh do nisë ndërtimin e Rrugës së Arbrit dhe do të hapë Universitetin në Dibër. “Edi Rama kishte 4 vite, 16 miliardë euro dhe nuk mbajti asnjë premtim, sepse nuk kishte prioritet, prioritetet tuaja, por qejfet, tekat dhe interesat e tij. Ishte pa plan. Është pa plan ndaj shkoi kuturu. Kuturu i rriti taksat, kuturu i rriti çmimet, e groposi ekonominë. Prapë vjen me të njëjtat premtime. Nuk ka plan, dhe të njëjtat gjëra do bëjë, dhe taksat nuk do të ulen por do të rriten. Pas 4 viteve qeverisje të tij, gjysma e Shqipërisë do të ikë. Kjo është e vetmja mundësi me Edi Ramën dhe me Rilindjen. Mundësia tjetër është; vota për mua, vota për numrin 6, vota për Republikën e Re. Unë nuk vij me premtime. Unë vij me plan dhe në qendër të planit nuk është timoni apo pushteti im por është timoni juaj, fati juaj në duart tuaja. Është motori, ekonomia e fortë pa të cilën nuk mund të ketë të nesërme të sigurt. Ekonomia mund dhe do të rritet vetëm me uljen e taksave”, tha Basha. Kreu i demokratëve shtoi se dita e diel është dita e votës për të rinjtë, fermerët, pensionistët, bizneset për të vendosur për fatin e tyre. “Le të jetë dita e diel, dita ku ju fermerë vendosni për subvencione për ju që do tu ndihmojnë, do të zerojnë koston e mekanikës, do të ulin çmimin dhe koston e plehrave do ta zerojnë atë. Le të jetë dita e diel vota për të ulur TVSH-në e për të kthyer 400 milionë euro çdo vit në xhepat e shqiptarëve. Le të jetë dita e diel dita e votës për taksën e sheshtë sepse është e vetmja mënyrë për të pasur një ekonomi të fortë, konkurruese që sjell investime. Le të jetë dita e diel dita për votën që do të ulë çmimin e naftës me 240 lekë në pak për litër dhe brenda një viti Shqipëria do të ketë naftën më të lirë në rajon. Le të jetë dita e dielë dita kur do të kthejmë fashën mbrojtëse të energjisë për 75% të shqiptarëve, ku do të falim kamat-vonesat e do t’u mundësojmë familjeve në ndihmë ekonomike pagesën e energjisë për konsum familjar”, tha Basha. Ai shtoi se e diela do të jetë dita kur pensionistët shqiptarë do të votojnë për nisjen e menjëhershme të rritjes së vërtetë të pensioneve që brenda 4 viteve të shkojnë në pensionin minimal prej 25 mijë lekësh të reja. “Le të jetë dita e diel dita e votës së çdo të riu dhe të reje për 10 mijë stazhe pune me pagesë për tu futur në tregun e punës. Le të jetë dita e diel dita e bashkimit të madh, dita e festës së madhe, dita e Bajramit të Madh, le të jetë ditë e festës së çdo shqiptari për të kthyer njëherë e mirë pushtetin, timonin në duart tuaja. Me Lulzim Bashën kryeministër të ekonomisë së fortë e të nesërmes së sigurt”, tha Basha.
“Më 25 qershor mbaron ora e bandave”
Partia Demokratike ka mbyllur fushatën elektorale në Elbasan në një miting ku qytetarët kishin dalë në mbështetje të kryedemokratit Lulzim Bashës dhe PD-së. Basha ftoi të gjithë shqiptarët që në 25 qershor të votojnë masivisht për t’i mbyllur derën njëherë e përgjithmonë bandave. Ai tha se vota për numrin 6-të është vota për rritjen e ekonomisë dhe uljen e taksave. “Ora e bandave mbaron në 25 qershor. Bashkë do ta çlirojmë, unë do ta shtyp krimin dhe do t’ju liroj nga ai. Ka ardhur ora të ndërtojmë institucione ekonomike për të nesërmen e sigurt për çdo shqiptar. Kudo që shkoj të gjithë janë të bashkuar, opozita, demokratët por edhe socialistët e zhgënjyer nga premtimet e pambajtura nga Edi Rama”, tha Basha.
Sigal