Basha: Me Ramën, Shqipëria është kthyer në një plaçkë private të 10-15 vetëve

277
Sigal

Kreu i PD-së Lulzim Basha duke folur në një intervistë televizive, është shprehur se Shqipëria nën udhëheqjen e Edi Ramës është kthyer në një plaçkë të 10-15 njerëzve.

‘Pyetjet e vërteta dhe që duhet t’u japë përgjigje qeveria janë: sa shqiptarë kanë marrë ndihmën ekonomike, sa nuk e kanë marrë, ku janë lekët e taksave të tyre, pse bizneset janë lënë të falimentojnë apo të largojnë njerëzit nga puna, pse Kosova me një buxhet dy herë më të vogël  se Shqipëria arriti të japë tre herë më shumë para qytetarëve të vet në nevojë, ndërsa Shqipëria vazhdon të paguajë oligarkë dhe klientë të Edi Ramës?!

Opozita gjithë betejën e saj e ka përqendruar për të bërë transparencë totale dhe për të ndihmuar shqiptarët për të dalë nga kjo e zezë që ka dy pjesë: koronavirusin që nisi siç nisi në të gjithë botën dhe për këtë nuk mund t’ia vëmë fajin qeverisë dhe Ramavirusin, i cili po gërryen tash 7 vite ekonominë shqiptare, po gërryen shëndetësinë shqiptare, po gërryen arsimin shqiptar, po gërryen mirëqenien e shqiptarëve dhe, siç e patë sot edhe nga studimi i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, nga gjithë vendet e tjera të rajonit Shqipëria pritet të ketë krizën më të keqe ekonomike për një arsye të vetme: sepse gjatë gjithë këtyre viteve Edi Rama ka rritur taksat, ka rritur faturat, ka rritur çmimin e energjisë, ka rritur çmimin e naftës.

Këto para që ka marrë nga xhepat e shqiptarëve duke i varfëruar ata më shumë, duke i shpunësuar ata, i ka çuar në dy drejtime: i ka çuar në projektet e korruptuara fasadë të ashtuquajturave ‘rilindje urbane’ edhe i ka çuar për një grusht miqsh të tij, me të cilët ndan paratë dhe të cilët janë oligarkët, një tufë oligarkësh, një grusht oligarkësh që vazhdojnë të marrin paratë e shqiptarëve. Siç e shikoni vetëm te afera e Unazës së re janë shpenzuar po aq para sa u ka dhënë gjithë shqiptarëve në kohë krize.

Sot Shqipëria me Edi Ramën është kthyer në një plaçkë private të 10 apo 15 vetëve, gjithë të tjerët, s’ka rëndësi nëse janë demokratë, nëse janë socialistë, nëse janë për bukën e gojës, nëse janë shtresë e mesme apo dhe njerëz të sipërmarrjes, të gjithë të tjerët janë të detyruar të paguajnë haraçin në këtë çiflig që nuk është më Republikë por është një regjim i Edi Ramës’, tha kreu i PD-së Lulzim Basha