Basha: Mbështes kërkesën për shpërblim suplementar për policinë

291
Sigal

Kreu i PD, Lulzim Basha ka dalë mbrëmjen e djeshme në terren. Basha është takuar me disa efektivë policie, pranë fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në kryeqytet.

Kryedemokrati ka përshëndetur efektivët të cilët janë krye të detyrës, ndërkohë që u ka dhënë atyre kurajo.

Policët janë po ashtu më të rrezikuarit nga lufta me Covid-19, ndërsa Basha këtë mëngjes kërkon nga qeveria edhe shpërblim për këta të fundit.

“Mbështes plotësisht kërkesën e drejtë të Sindikatës së Policisë për shpërblim suplementar për punonjësit e policisë.

Ashtu si çdo qytetar i këtij vendi jam dëshmitar për kushtet e vështira në të cilat ata po punojnë. Pas personelit shëndetësor, punonjësit e policisë janë në vijën e parë dhe ndër më të ekspozuarit ndaj rrezikut. Ata janë në shërbim me dhe pa orar në të gjithë vendin.

I bëj thirrje qeverisë që të gjejë mundësinë për të akorduar shpërblim financiar për punonjësit e policisë në krye të detyrës, dhe u kërkoj qytetarëve bashkëpunim të plotë dhe mirëkuptim e mbështetje për punonjësit e policisë në mënyrë që bashkarisht dhe duke u mbështetur tek njeri-tjetri ta tejkalojmë këtë situatë me sa më pak dhimbje”, shprehet Basha.