Bardhyl Berberi: Pozita me opozitën duket ‘sikur merren vesh për të mos u marrë vesh’

415
Sigal

Gazeta Telegraf/

Reforma në drejtësi ende nuk është miratuar plotësisht. Opozita pretendon se janë futur për miratim  paragrafë për të cilat nuk janë marrë vesh midis tyre…E pamë dje  parlamentin të përfshirë si gjithmonë në akuza dhe kundërakuza të ndërsjella.  Pra a e mendoni normal faktin, që këta njerëz kanë fytyrë të flasin për shantazhe, degradime e prishje imazhi, për përgjime, për trafiqe, pë… Disa nga këta kanë vjedhur e vjedhin miliona. Harrojnë se jetojmë pikërisht në vendin e degraduar pikërisht nga ata, politikanët e korruptuar, harrojnë kriminelët e hajdutë, harrojnë Shqipërinë e  keq-qeverisur në këto 26 vite demokraci. Dhe çuditërisht fajtori u gjet! Të gjithë ulërijnë për korrupsion e drogë. Keqpërdoruesit e kërcënuesit duhet ndëshkuar, por jo duke rrahur ujë në hava, por me fakte konkrete. Si mund të flasim për përgjegjësi politike e morale për këtë klasë politike, kur abuzon me situatën e krijuar dhe duke u shtirur viktimë, përpiqet të mbulojë gjithë keq-qeverisjet e vendit ndër vite? Për më tepër, të gjithë e “kanë të qartë” se si kjo klasë politike duhet të miratojë të gjithë reformën në drejtësi. Sigurisht kuptohet se nga kjo reformë dikush do ta paguajë haraçin. Populli e ka kuptuar hilenë, i njeh mirë, se këta që janë në parlament janë të zhytur në batak dhe nuk kanë se si të miratojnë këtë reformë që i çon ata në burg, duke lënë milionat e eurove të depozituara në bankat e huaja, vilat e shumta në Shqipëri, bregdet dhe vende turistike, pushimet në Karaibe apo netët e nxehta erotike me dashnoret e tyre, që një takëm prej tyre tashmë i kanë gati të ligjëruara. Veprimit skandaloz që nuk ka të sosur çdo ditë e re që lind, do t’i shtohet një sebep fallto, do të ngrihet një tymnajë vetëm që të zhvendoset vëmendja. Pikërisht mungesa e kësaj  reforme ka nxjerrë në shesh pasojat e një sistemi të degraduar e të korruptuar. Pasi kanë abuzuar me votat e elektoratit dhe me keq-qeverisjen në vend, ndërkaq akuzohen edhe për keqmenaxhim të fondeve, akuzohen për rrënimin e ekonomisë. Me reformën po abuzohet. Klasa politike  e vendit tonë, në vend se të reflektojë e të marrë përgjegjësi, ajo krijon stuhi në gotën e ujit vetëm e vetëm që të mos miratohet reforma. Populli e ka vënë në “shënjestër” klasën politike aktuale dhe pritet që t’i ndëshkojë me votë…Kjo klasë politike nuk ka motivim moral, nuk ka mobilizim, nuk ka ide, nuk mbrohet, nuk mendohet, nuk pendohet, por vetëm rrëzohet dhe bie dhe bie vazhdimisht. Bie në gropën e vet që e ka hapur me korrupsion dhe paaftësi, e cila është e dukshme.  Në këto 26 vjet të demokracisë ka patur vetëm dështime populli ka ngelur në fukarallëk. Partitë politike nuk kishin parime, nuk kishin personalitete, por kishte vetëm ambicie fizike për të ardhur në pushtet dhe për ta shpërdoruar atë. Dhe arriti të bjerë në gropën e pushtetit, të cilën e zgjeronin vetë pasi mendonin vetëm për xhepat e tyre. Me shfaqen më të fundit  në parlament,  sytë ngelen vetëm tek faktori Ndërkombëtar dhe SHBA, si energjia rrezatuese dhe si fuqi riprodhuese. Sot ata janë më të ndërgjegjshëm se kurrë dhe më të vendosur, se shpëtimi nuk iu vjen prej kësaj klase politike, por nga faktori ndërkombëtar …Pasi tek ne aktualisht fajtorët po kërkojnë fajtorët, që mesa duket kanë ikur në drejtim të paditur…