Banorë të qytetit të Korçës, jemi pa punë, lekët po na mbarohen…

399
Sigal

70 drejtues mjetesh shkelin rregullat e ndalim- qarkullimit

 Nga Vepror Hasani

Nëse në rrugët e Korçës takon qoftë edhe një njeri të vetëm në rrugë, e para fjalë që të thotë është: “Plasëm bre vëllaçko, natë e ditë brenda, s’na kishte ndodhur ndonjëherë kështu, u bëmë të marrim malet! Pa punë jemi, lekët po na mbarohen, muajin tjetër nuk kemi me se të marrim bukën. Të gjitha punërat janë të mbyllura; hë më thuaj ti, si t’ia bëjmë, apo të jep njeri veresie, sepse e dinë që deri më 3 prill nuk ka as punë as zanat. Po nëse puna nuk hapet as pas 3 prillit çdo të bëjmë o byrazer?!

Dhe qyteti i Korçës është vërtet i boshtisur, gjithandej ka vetëm policë, të pranishëm në kryqëzime në hyrje-dalje të qytetit e kudo tjetër. Ndalojnë çdo mjet për të parë nëse janë të pajisur me autorizimin përkatës nga Policia e Shtetit, kurse përdoruesit e automjetev, (banorë të qytetit të Korçës), shohin me zili ata që vazhdojnë të punojnë çdo ditë. Dhe që në fund të muajit do të marrin rrogën e radhës.

Sipas korçarëve, me fat qëlluan drejtuesit e furgonave, minibuzve dhe autobuzëve që transportojnë personelin dhe punonjësit e bizneseve prodhese industriale dhe bujqësore, të automjeteve të punonjësve të policies së burgjeve, të personelit shëndetësor, transportuesit e mallrave brenda dhe jashte vendit, furnizuesit me produkte buqësore dhe blegtorale, drejtues mjetesh që ofrojne sherbime për qytetarët, furnizuesit me ushqim për blegtorinë, mjetet e shërbimeve të emergjencës, ambulanca dhe zjarrfikëse, mjete të policisë së shtetit dhe të ushtrisë dhe mediave. Edhe e diela e ndaluar!

70 drejtues mjetesh shkelin rregullat

Të mbetur për shumë ditë brenda mureve të shtëpisë, pa shkuar dot asgjëkundi, as për një kafe në Boboshticë, në Voskopojë apo në Dardhë, të mbetur brenda ditë e natë, së fundi morën mundimin t’i thyjnë rregullat e ndalim-qarkullimit, që u vendosën si masa për ndalimin e përhapjes së koronavirusit që tashmë ka trembur gjysmën e botës.

Dhe për më tepër ishte ditë e diel; mirë gjithë ditët e tjera të javës janë të ndalura, por edhe të dielën që gjithnjë e kemi patur gjithnjë pushim, të mos dalim dot nga shtëpia!- kishin menduar. Ah, një korçar nuk rri dot një javë brenda, sepse diku e pret një kitarë dhe një serenatë.

70 drejtues mjetesh u hipën makinave të tyre dhe dolën në rrugë (jo të gjithë në një kohë), por secili sipas planeve që kishte bërë për të kaluar një ditë ahengu në çdo lokal që mund ta gjenin hapur kudo që të ishte ai, ose thjesht për të dalë jashtë qytetit.

Nuk e dimë nëse u realizuan planet e tyre, sepse policia vendosi masa administrative ndaj tyre. Thyerja e rregullave të ndalim-qarkullimit u bë i ditur nga burime të policisë, të cilat pohuan se “Gjatë ditës së dielë u vendosën 70 masa administrative për drejtuesit e mjeteve, të cilët shkelën ndalimin e qarkullimit”.

Disa prej tyre ishin justifikuar duke pohuar se nuk e dinin që kishte qenë e ndaluar të lëvizje me automjet, ashtu siç kishte patur të tjerë që e kishin pranuar fajin.

Qarkullim i mjeteve vetëm me autorizim

Mësohet se policia u bëri të ditur shkelësve të rregullave të ndalim-qarkullimit se drejtuesit e mjeteve mund të lëviznin vetëm me autorizim, dhe kjo është e mundur çdo paradite nga ora 6.00 deri në orën 8.00, ndërsa pasdite nga ora 16.00 deri në orën 17.00.

Edhe për këtë arsye dita e hënë prezantoi një Korçë të boshatisur, pa automjete dhe pak njerëz, të cilët përsërisnin të njëjtin refren: “A mund të rri njeriu brenda për ditë të tëra, dimri po ikën dhe në shtëpi nuk kemi as dru për të çarë që të merreshim më diçka, sepse për të shkuar në punë tani shpej, as nuk bëhet fjalë. Megjithatë, ata nuk harrojnë të përsërisnin shqetësimin e tyre: Leket po na mbarohen, në punë nuk shkojmë, kush do të na japë lekë për bukën?

Ndoshta kjo është dhe arsyeja që njerzit duan të dalin nga ankthi, qoftë edhe duke tentuar të anashkalojnë rregullat e vendosura.

Për shumë familje jeta e përditshme do të vijë duke u përkeqësuar dhe kjo ka filluar të ndihet.