Asambleja e Këshillit të Europës/ Dërgon në Komisionin e Venecias paketën Antishpifje” të qeverisë shqiptare. Rrezikon Lirinë e Fjalës

426
Sigal

Asambleja e Këshillit të Evropës dërgon në “Venecia” paketën “Antishpifje”

Komiteti i Monitorimit të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, i është drejtuar Komisionit të Venecias për të kërkuar prej tij një opinion lidhur me të ashtuquajturën “Paketë anti-shpifje” të propozuar nga qeveria shqiptare e të kritikuar gjerësisht, jo vetëm nga komuniteti i gazetarëve shqiptarë por dhe organizata ndërkombëtare të gazetarëve si dhe nga institucione ndërkombëtare. Shqipëria është ndër vendet anëtare që ende ndodhet nën vëzhgim dhe misioni i fundit në tetor të vitit të kaluar, i dy relatorëve për Shqipërinë, e pati çështjen e ndryshimeve në dy ligjet “Për mediat audiovizive” dhe “Për komunikimet elektronike”, një nga temat kryesore të takimeve që pati në Tiranë. Mbetet i paqartë nxitimi i shumicës për të kaluar me urgjencë këtë paketë, në një kohë kur dhe nga institucionet ndërkombëtare është theksuar se kthimi pas i ndryshimeve ligjore nga presidenti Meta duhet të shfrytëzohet si një mundësi për të bërë përmirësime. Përfaqësuesi i OSBE-së për shtypin, Harlem Desir, bëri të qartë javën e shkuar, përmes një deklarate, se “asnjë pjesë e legjislacionit të ri nuk duhet të pengojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit”, duke theksuar se shpresonte se”rivotimi i ligjit do t’u hapë rrugën sqarimeve dhe përmirësimeve të mëtejshme të këtij ligji në mënyrë që të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare”. Zoti Desir u shpreh gjithashtu se ishte “i gatshëm të punoj me autoritetet shqiptare për përmirësimin e ligjit të shtypit, veçanërisht atyre pjesëve që lidhen me gjobat dhe parimin e proporcionalitetit siç parashikohet në ligjin ndërkombëtar”. Më herët kryeministri dhe përfaqësues të lartë të shumicës kishin këmbëngulur se varianti i votuar në parlament kishte pasur miratimin “100 për qind” të OSBE-së. Të martën ndërkohë, dhe Komisioni evropian iu përmbajt qëndrimit të vet kritik. “Ne e kemi bërë të qartë se Bashkimi Evropian mbështet rekomandimet e Këshillit të Evropës në rastin e ligjit të medias në Shqipëri. Shqetësimet dhe rekomandimet përkatëse janë sërish të vlefshme dhe ato duhen trajtuar sërish. Faktin që Presidenti i Shqipërisë ka kthyer ligjin në Parlament e shohim si një mundësi për t’i pranuar ato. Ne shpresojmë që kjo të realizohet”, deklaroi zëdhënësja Ana Pisonero, duke shtuar se “ne mbështesim rekomandimet e Këshillit të Evropës jo vetëm për promovimin e vetërregullimit. Por ne e mbështesim rekomandimin për ta kufizuar rregullimin vetëm për shërbimet e mediave audiovizive online, trajtimin gjyqësor të pavarur të ankesave lidhur me mediat, forcimin për transparencën e pronësisë së mediave në vend. Pra, ne mbështesim të gjitha rekomandimet e Këshillit të Evropës. Ato janë në përputhje me pritshmërinë tonë, që duhet ndjekur nga një vend aspirant”. Presidenti Meta e ktheu pas ligjin “Për mediat audiovizive”, pasi sipas tij, bie në kundërshtim me dispozitat kushtetuese që mbrojnë të drejtën e lirisë së shprehjes, të lirisë së shtypit dhe të drejtës së informimit, bie në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, vendimet e së cilës përbëjnë norma të detyrueshme për zbatim, si dhe nuk është në harmoni me standardet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Presidenti Meta tha se miratimi i këtyre dispozitave në thelb përmban elementë censurues të drejtpërdrejtë që kufizojnë të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të medias. Sipas tij, hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve do të krijojë një mjedis arbitrar dhe të pasigurt ndaj operatorëve mediatikë elektronikë. Ndërsa lidhur me ndryshimet në ligjin “Për komunikimet elektronike” Presidenti Meta shprehu shqetësim për fuqinë e tepërt ndëshkimore që merr AKEP ndaj mediave.