Arvizu takon Ramën: “Gati t’ju ndihmojmë për reformat e integrimit”

531
Sigal

 Kryeministri i ri paralajmëron Shkupin, që të respektojë të drejtat e shqiptarëve

 Kryeministri Edi Rama zhvilloi dje një takim me ambasadorin amerikan në vendin tonë, Alexandër Arvizu. Në përfundim të takimit, Kryeministri Rama dhe ambasadori amerikan dhanë një prononcim të shkurtër për mediat, ku theksuan se, në qendër të bisedës ishte forcimi i bashkëpunimit të mëtejshëm mes SHBA-ve dhe vendit tonë. Kryeministri i ri  e garantoi ambasadorin amerikan për atë që e cilësoi si, besnikëri pa kushte ndaj SHBA-së, si aleati më strategjik i vendit . “I garantova ambasadorit Arvizu përkatësinë tonë të plotë ndaj parimeve dhe vlerave që SHBA mishërojnë. Besnikërinë tonë pa kushte ndaj SHBA si aleati ynë i madh strategjik dhe padyshim edhe ndjenjat e thella të miqësisë sonë për popullin amerikan, me të cilin ndjehemi pranë. Gjithashtu e garantova ambasadorin se vitet e këtij mandati do të jenë vitet e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit me SHBA”- deklaroi kryeministri Rama. Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu theksoi se në këtë takim i përcolli kryeministrit të ri urimet e Presidentit amerikan Barack Obama. Arvizu u shpreh SHBA janë të gatshëm të japin ndihmën e tyre në përmbushjen e reformave.  “Ishte kënaqësi dhe nder që pata mundësi ta përgëzoja dhe njëherë kryeministrin Edi Rama në emër të Presidentit Obama për qeverinë e re. Zoti kryeministër e shprehu në mënyrë me elokuente afërsinë e marrëdhënieve tona dhe marrëdhënien tonë strategjike. I kam shprehur zotit Kryeministër mbështetjen tonë të plotë, për të asistuar administratën e tij me këtë axhendë. Pritjet janë shumë të larta. Ne jemi gati të gatshëm të japin ndihmën tonë në përmbushjen e reformave në interes të marrjes së statusit dhe të integrimit të mëtejshëm të Shqipërisë në BE. Mirënjohës gjithashtu për kontributin dhe ndarjen e pikëpamjeve siç është dhe çështja e Sirisë. Dhe kemi besim të plotë që qeveria e drejtuar nga Kryeministri Rama do jetë faktor stabiliteti për paqen në rajon”.

Rama-Ivanov: Respektoni të drejtat  e shqiptarëve në Maqedoni!

Zbatim dhe implementim rigoroz të marrëveshjeve ndërkombëtare për bashkëjetesën harmonike mes pjesës maqedonase dhe shqiptare në Maqedoni. Ishte ky thelbi i takimit në Kryeministri mes kreut të qeverisë Edi Rama dhe presidentit të Maqedonisë, George Ivanov. Rama shprehu shqetësimin për shqiptarët të cilët jetojnë në Maqedoni, teksa bëri publike dhe kërkesën e presidentit Ivanov që pakicat maqedonase në vendin tonë të kenë më shumë vëmendje. “Nga ana tjetër ne kemi qenë dhe mbetemi të shqetësuar për implementimin e marrëveshjeve dhe mekanizmave të dakortësuar lidhur me mbarëvajtjen e bashkëjetesës së shqiptarëve në Maqedoni. Zoti president më shprehu shqetësimin e tij që të ketë më shumë vëmendje dhe hapësirë për pakicën maqedonase në Shqipëri.  Unë e marr këtë mesazh, jo thjesht si detyrim të shtetit tonë ndaj çdo pakice, por edhe si shprehje të një fakti të thjeshtë, që ne nuk u kërkojmë të tjerëve atë që ne vetë nuk jemi në gjendje ta plotësojmë për të tjerët. Dua të shpresoj e të besoj se së bashku si fqinj dhe si miq ne do çojmë para një proces bashkëpunimi, ku implementimi me rigorozitet i marrëveshjeve dhe mekanizmave ndërkombëtare për të dakortësur bashkëjetesën mes pjesës maqedonase dhe shqiptare të Maqedonisë do jetë i padiskutueshëm”, u shpreh Rama.