Ilir Meta: Lexoni Kushtetutën, në Shqipëri ka Pluralizëm. Tagrin për datën e zgjedhjeve e ka vetëm Presidenti i Republikës

809
Sigal

Zyrtare, Hyn në fuqi dekreti i Presidentit të Republikës, shfuqizimi i zgjedhjeve botohet në Fletoren Zyrtare

Ilir Meta: Tagrin për të vendosur datën e zgjedhjeve e ka vetëm Presidenti i Republikës. Lexoni Kushtetutën. Në Shqipëri ka pluralizëm

 

Ka hyrë në fuqi dekreti i Presidentit Ilir Meta për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve. Ditën e djeshme, ky dekret është botuar në Fletoren zyrtare.

Konferenca e Jashtëzakonshme e Presidentit Ilir Meta

Presidenti i Republikës Ilir Meta, doli dje në një Konferencë të Jashtëzakonshme për mediat, ku dha një mesazh të rëndësishëm pas deklaratave të maxhorancës, se ai “ka shkelur Kushtetutën me shfuqizimin e datës së zgjedhjeve” dhe debateve për synimet e Ramës për shkarkimin e tij. Presidenti Meta u bëri thirrje palëve politike që kishin dyshime në kushtetutshmërinë e aktit të tij, që të lexonin Kushtetutën e saktë të Republikës së Shqipërisë, madje duke ua nxjerrë atë përpara kamerave. Presidenti tha se ai kishte informacione, që më datën 8 qershor mund të kishte destabilitet në vend dhe u detyrua të merrte masa. Ai tregoi se kishte bërë disa takime sekrete me kryeministrin Edi Rama për çështjen e shtyrjes së datës së zgjedhjeve dhe vendimi i tij nuk ishte surprizë për të. Presidenti pati edhe disa mesazhe për ndërkombëtarët, të cilëve u kërkoi të mos kontribuonin me ngatërresa por vetëm për zgjidhjen e krizës.

Informacionet për destabilitet

Presidenti tha se kishte marrë informacione, se ditën e protestës së 8 qershorit mund të kishte destabilitet. Në këto kushte ai u detyrua të merrte një veprim urgjent për të ndihmuar në zbutjen e krizës dhe pengimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të saj.Me përgjegjësi të lartë, në datën 8 qershor, para zhvillimit të protestës bëra publik vendimin për shfuqizimin e dekretit të zgjedhjeve. Vendimi u mor me përgjegjësi të plotë, nisur nga faktet dhe informacionet, se në datë 8 qershor mund të kishte destabilitet për jetën e qytetarëve dhe rendin Kushtetues. Dje bëra të ditur argumentet. Që në momentin e shpalljes së vendimit kam vënë re, për fat të keq, disa reagime të ndryshme, se Presidenti ka shkelur Kushtetutën, duke krijuar qëllimisht një gjendje emullie.

 

“Çfarë të pres, të shënohet një viktimë?! “

Presidenti Meta tha se nuk dëshironte të priste të shënoheshin edhe viktima nga përplasja më 30 qershor, ndërsa e quajti shantazh reagimin e maxhorancës për vendimin e tij. “Kemi kohë për t’i konsumuar të gjitha hap pas hapi. Unë dua t’u siguroj që ky akt është bazuar edhe në një konsensus, jo si të mëparshmit, kur zhvillohej një dialog pastaj zgjidhej kriza, por përsëri mbi konsensusin e dy palëve për të mos dialoguar: Pretendimi i Ramës se 30 qershori nuk lëviz dhe pretendimi i Bashës se me Ramën si kryeministër nuk ka zgjedhje. Mendoj se Rama duhet të tregonte më shumë fleksibilitet. Kryeministër është përgjegjësi shumë e madhe. Edhe ata mijëra shqiptarë që protestojnë janë të Shqipërisë, ku ai është kryeministër, paguajnë taksa dhe kanë kërkesat dhe pretendimet e tyre dhe duhet të respektohen dhe jo të fyhen dhe denigrohen. Përpjekja ime ishte, jo vetëm për të parandaluar të keqen që mund të ndodhte, por edhe për një dialog. A do ta zgjidhë? Është një përpjekje mjaft kurajoze, por e kam bërë me bindje që t’u jap të gjithë palëve një mundësi që Shqipëria të vijojë në rrugën e integrimit. Në rast se do të kishte ndodhur diçka në datë 8, të gjithë do të thoshin, ‘shumë vonë zoti President!’, çfarë bëtë, pritët që të shënohej edhe një viktimë?! Pa një vullnet serioz të dy palëve. në radhë të parë të qeverisë, që duhet të japë garanci për zgjedhjet dhe, për fat të keq, me mënyrën që ka reaguar edhe iniciativa e fundit kundër presidentit është shantazh dhe presion që i bëhet institucionit më të lartë, kryetarit të shtetit, sepse bëri një përpjekje për të dhënë mundësi që kolonat e republikës së Shqipërisë të mos tronditen dhe të mos rrëzohen.

Socialistë, lexoni Kushtetutën!

Meta dha një mesazh për të gjithë ata që e kritikuan vendimin e tij për shfuqizimin e dekretit për datën e zgjedhjeve, duke e quajtur antikushtetues. Ai u bëri thirrje të lexojnë Kushtetutën. Ditën e djeshme kam bërë publike të gjitha argumentet mbi të cilat mora këtë vendim. Kam vënë re dhe disa reagime, se presidenti ka shkelur kushtetutën. Duke e ditur fort mirë,se në Tiranë qarkullojnë disa modele e botime të ndryshme të tekstit të Kushtetutës, jam i detyruar të dal sërish përpara jush. Që të lexojnë siç duhet, ju bëj me dije se Kushtetuta zyrtare është pikërisht kjo këtu që po ju tregoj unë. Që nga neni 1 deri në fund nuk përcakton afatin me ditë apo me muaj. Këto detaje formale i ka kodi zgjedhor, me të cilin partitë politike e dinë si janë sjellë e sa e kanë respektuar. Kanë ndryshuar jo vetëm kodin por edhe Kushtetutën brenda një nate? Si ka mundësi që ata nuk janë akuzuar për shkelje të Kushtetutës? Kolegët e mi, nuk e kam shkelur Kushtetutën, por kam vepruar në emër të stabilitetit të vendit. Kam dëgjuar, se dekretet e presidentit quhen Kushtetuese vetëm pasi të marrë leje nga dy partitë politike! Është publik fakti se precedenti i parë është krijuar falë kontributit të kryetarit të PS-së, dhjetor 2006, janar-2007. Vendimi për shfuqizimin e dekretit për datën e zgjedhjeve bë i domosdoshëm në kushtet e përshkallëzimit të qëndrimeve dhe aksioneve histerike të dy palëve politike, për të kulmuar në përplasje mes tyre, më 30 qershor. Të dy partitë e kishin shpallur datën 30 si ditë force, për jetë a vdekje midis tyre. Mora vendimin e duhur për të shmangur një konflikt civil në vend. Zgjedhjet për pushtetin vendor do të zhvillohen në një datë të mëvonshme, të lira, të ndershme, demokratike dhe konkurruese. Presidenti u bën thirrje palëve të thellohen dhe shfrytëzojnë këtë hapësirë kohore për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën..

Telefonata e regjistruar me Bashën

Presidenti Meta tregoi se, më 8 qershor pati një telefonatë me kreun e PD-së Lulzim Basha, telefonatë të cilën e regjistroi për arsye përgjegjësie. Ai theksoi se as Basha dhe as bashkëshortja e tij, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, nuk kanë ndikuar në marrjen e vendimit të tij për shtyrjen e datës së zgjedhjeve.“Për sa i takon, nëse vendimi është influencuar nga Basha, Berisha, ja po e shtoj edhe nga Monika…Absolutisht. Madje dëgjova edhe një politikan me përvojë që thoshte se Presidenti e ka bërë këtë vendim për t’i shërbyer opozitës, kur vetë është në opozitë, nëse kjo i shërben, i shërben pikërisht atij. Zoti Basha këtë vendim e ka marrë vesh vetëm në orën 7:10-15 të fillimit të mitingut, përmes një telefonate zyrtare dhe Basha nuk e ka ditur, e cila është e regjistruar përmes sekretarisë telefonike. Ku i është kërkuar që të ndërpritet mitingu në çdo moment që do të ketë manifestim dhune, edhe që do të bëhej publik vendimi për anulimin e zgjedhjeve për të shtensionuar manifestimin dhe që të përfundonte sa më shpejt. Ky vendim nuk bëhet për të plotësuar tekat e opozitës, përkundrazi opozita ka çështje mjaft të drejta që i ngre dhe unë i kam përkrahur edhe nga pozita të drejta. Por opozita ka edhe tekat e saj në kushte të caktuara dhe unë nuk jam këtu për të ndihmuar tekat e opozitës, por as kurrsesi për të toleruar që Shqipëria përveç datave mjaft problematike që ka në historinë e saj që nga 2 Prilli, 26 Maji apo më pas 28 Maji, 14 Shtatori, 21 Janari të kishte edhe 30 Qershorin apo diçka e tillë më përpara. Në bazë të gjithë ta dhënave, jo për shkak të vullnetit të drejtuesve të dy palëve, por për shkak të grupeve të interesave të caktuara jashtë dhe brenda vendit, situata në 8 qershor mund të shfrytëzohej për akte që do të dëmtonin rëndë stabilitetin e vendit dhe që faji të mbetet jetim. Vendimi u mor pas bisedave me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese këtu”.“Ajo ishte për përgjegjësitë e mia dhe të zotit Basha, nëse do të kishte probleme në miting.”

 

Takimet sekrete me Ramën

Presidenti zbuloi se gjatë këtyre ditëve ka zhvilluar disa takime sekrete me kryeministrin Edi Rama dhe se vendimi tek ai nuk ka ardhur aspak si surprizë. “Kam qenë dhe pak sëmurë këtë javë, me thënë të drejtën, por sikur po bëhem pak më mirë. Dreka ime me Berishën nuk ishte sekret, siç e patë dhe unë pata shumë kënaqësi. Nga e dinte zoti Rama? Kemi pasur një drekë sekrete? Kemi pasur disa. Kemi biseduar dhe ai e di shumë mirë se sa i shqetësuar jam unë për këtë situatë dhe për tejkalimin e saj dhe sigurisht i takonte atij si kryeministër të kërkonte një datë tjetër për zgjedhjet vendore. Që me datë 24 maj kam shprehur gatishmërinë time për t’i shërbyer një zgjidhjeje pas dakordësimit të palëve, për të gjetur zgjidhjen për një datë tjetër. Kjo nxitje e imja për dialog nuk ka funksionuar dhe dy tre ditë përpara se të merrej ky vendim, zoti Rama ka qenë në një emision televiziv dhe ka vënë në dijeni, se pala e tij nuk e vë në diskutim 30 qershorin. Nuk e kam parë të arsyeshme të vizitoj kryeministrin Rama ato ditë. E vërteta është që kam bërë një përpjekje për të takuar zotin Ruçi si kryetar Kuvendi, por ai ka qenë duke udhëtuar drejt Tepelenës, kështu që kjo është arsyeja se, pse zoti Rama nuk ka qenë i surprizuar pas këtij vendimi. Unë jam suprizuar nga vendimi i tij!

 

Tagrin e ka vetëm Presidenti

Meta theksoi jo një, por disa herë se tagrin për të vendosur datën e zgjedhjeve e ka vetëm ai. “Mos u bëni qesharakë ju lutem shumë! Në Republikën e Shqipërisë ka vetëm një institucion, i cili shpall zgjedhjet dhe ky institucion është presidenti i Republikës. Vendimet e tij i gjykon vetëm Gjykata Kushtetuese. Nuk i ndaloj t’i çojnë dhe në gjykatën Administrative apo Gjykatën e rrethit të Skraparit, por zgjedhje në Republikën e Shqipërisë nuk ka dhe nuk do të ketë pa e vendosur presidenti.”

Frikë nga Rama?

I pyetur nga gazetarët, nëse ai kishte frikë nga drejtësia e Ramës Meta kishte këtë përgjigje: “Kam unë frikë? Rama e di që unë nuk kam frikë nga asgjë, pastaj e di dhe Ambasada Amerikane. Unë kam frikë vetëm nga përgjegjësia që kam para popullit shqiptar për detyrat që unë kam dhe populli duhet ta dijë, se Reforma në Drejtësi, nëse u miratua në konsensus dhe, nëse sot Shqipëria ka një rekomandim pozitiv e ka prej asaj lufte që unë kam bërë për të arritur këtë konsensus, sepse Shqipëria as rekomandimin për çeljen e negociatave nuk do ta kishte.”

Përpjekjet për shkarkim

Presidenti Meta filloi të qeshte kur e pyetën për përpjekjet e maxhorancës për ta shkarkuar. Ai kujtoi se vetë ishte ofruar për të dhënë dorëheqjen në rast se i shërbente krizës dhe nuk e kuptonte arsyen e këtyre përpjekjeve nga ana e socialistëve.“Unë nuk e kuptoj, pse duan të më shkarkojnë. Kujtoj, se unë jam vetëofruar për ta lënë këtë detyrë edhe gjithmonë gati që kjo sakrificë të bëhet në zgjedhjen e kësaj krize dhe gjithçka të funksionojë normalisht. Zgjidhim krizën pastaj ikën presidenti.”

Kriza do zgjidhet

Meta në fund të fjalimit të tij u tregua i vendosur dhe i bindur se kriza politike në vend do të gjejë zgjidhje. “Ore si s’do ta zgjidhim krizën ne, jeni në terezi ju? Nuk kanë mbaruar as shqiptarët e përgjegjshëm, as evropianët e përgjegjshëm. Të kini besim ju! Mirupafshim! “,

 

Meta u tregon ‘rrugën’ ndërkombëtarëve: Nëse doni votime shkoni në Korenë e Veriut, në Shqipëri ka pluralizëm

I pyetur, nëse është apo jo i sigurt, se ka shmangur përplasjen me vendimin që ka marrë për të shtyrë datën e zgjedhjeve për sa kohë që KQZ-ja po vijon procedurat, Meta u shpreh: “Unë dua t’ju siguroj që ky akt është bazuar në një konsensus, jo si në rastet e dialogëve mes palëve, por është vendosur mbi konsensusin e palëve për të mos dialoguar. Kjo u shkaktua nga pretendimi i zotit Rama që thoshte se 30 Qershori nuk ndryshonte, dhe për shkak të zotit Basha që thoshte se nuk dialogonte me Edi Ramën kryeministër. Unë mendoj se duhet të lëshonte zoti Rama pasi ai është kryeministër i të gjithë shqiptarëve. Unë nuk e di, nëse kjo do ta zgjidhë situatën, por di që kjo është një përpjekje kurajoze që Shqipëria të ecë përpara në rrugën integruese. Nëse do të kishte ndodhur diçka në datën 8 do thoshin se reagimi i presidentit do të kishte qenë shumë i vonuar. Vendi nuk ka më nevojë për viktima. Tentativa për të shkarkuar presidentit është një presion dhe një shantazh që i bëhet institucionit më të lartë të shtetit. Shqiptarët kanë nevojë për zgjedhje dhe jo votime, votime kanë pasur 40 vite. Nëse ka ndonjë evropian apo amerikan që do të shohë votime le të shkojë në Korenë e Veriut, në Shqipëri pluralizmi është vendosur që në vitin 90.