Artistët dhe qytetarët fitojnë (përkohësisht) policia tërhiqet nga rrethimi i Teatrit Kombëtar

380
Sigal

Qeveria, (sikurse ISIS), kundër Trashëgimisë Kulturore, policët dhunojnë artistët, as ujë nuk u lejojnë të ngujuarve

Jakup B. GJOÇA

Mëngjesi i djeshëm e gjeti Teatrin Kombëtar të rrethuar nga qindra policë, të cilët ndalonin lëvizjet rreth godinës. Madje policia vendosi në perimetrin e qendrës edhe gardh metalik Të gjithë, artistë dhe qytetarë të alarmuar, u dyndën për të mbrojtur TK. Disa prej tyre arritën të futeshin brenda, ndërkohë që policia nuk lejonte as lëvizjet e qytetarëve nëpër rrugicat përreth. Madje, policia largoi me dhunë edhe gazetarët dhe kamerat.

Shtetrrethim policor dhe artist të ngujuar

Shumë artistë, u ngujuan në sallën e Teatrit Kombëtar, për të penguar boshatisjen e tij, ndërkohë që policia mbylli edhe lokalet përreth. Pranë artistëve të ngujuar, u gjend edhe kryetari i Opozitës Lulzim Basha, si edhe ish ministri i PS-së Prof. Dr. Arben Malaj, i cili nga shkallët e TK u dërgoi mesazh kryeparlamentarit Gramoz Ruçi dhe Erion Braçes dhe Pandeli Majko (të 3 socialistë) dhe i ftoi të miratojnë një ligj për t’i dhënë zgjidhje krizës së TK. Gjatë ditës në sheshin e TK pati edhe njerëz që u ra të fikët, nga dhuna e policisë. Policia, në orët e mesditës nuk lejonte që artistëve të ngujuar në sallën e TK t’u çohej as ujë i pishë.

Gent Zenelaj arrin të dërgojë dy shishe ujë tek artistët e ngujuar, të tjerat ia derdhi policia

Aktori i njohur Gentian Zenelaj tentoi t’iu dërgonte ujë aktorëve dhe qytetarëve të ngujuar brenda Teatrit Kombëtar, por fillimisht ai u ndalua nga Policia. Pas disa përpjekjeve ai mundi të dërgojë vetëm dy shishe ujë, pasi pjesën tjetër ia derdhi policia

Tërhiqen forcat e policisë nga Teatri Kombëtar

Orët e gjata por edhe qëndresa e artistëve dhe qytetarëve kundër prishjes së Teatrit Kombëtar duket se ka bërë që forcat e policisë të tërhiqen. Pasdite forcat ishin shtuar ndjeshëm dhe madje pati disa fërkime mes efektivëve dhe protestuesve, por në orët e mbrëmjes, është vendosur që ato të tërhiqen. Nuk dihet nëse kjo do të jetë momentale apo ndonjë taktikë për të larguar kështu edhe protestuesit që qëndrojnë tek Teatri që prej mëngjesit të djeshëm për të mos lejuar prishjen e tij. Disa artistë madje janë ngujuar brenda godinës. Pas largimit të policëve, protestuesit janë futur brenda ambienteve të Teatrit.

Artistët te Teatri Kombëtar: Ku je Ismail Kadare? Hajde e na mbro!

Në mbrëmje artistët, nga sheshi përpara Teatrit Kombëtar i kanë bërë thirrje shkrimtarit të madh Ismail Kadare që të vijë e t’i mbrojë te Teatri, pasi ardhja e tij do jetë forca shpirtërore e një KOMBI. Këtu janë luajtur dramat e mëdha të filmave të Kadaresë, po thonë artistët e Teatrit Kombëtar. Apeli i artistëve protestues: “Hajde Ismail Kadare! Ku je, Kadare?! Hajde se po na tërheqin zvarrë. Na kanë rrethuar si romanin Kështjella dhe po na trajtojnë si të jemi kafshë. Në këtë skenë kemi vënë “Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur”, “Kush e solli Doruntinën”. Hajde këtu në sheshin e Teatrit.”