Zëdhënësja e Fushatës së Partisë së Lirisë, Arla Merja, ka reaguar ndaj parregullsive që po shoqërojnë procesin e votimit të diasporës.
Në një deklaratë për media, drejtuar qytetarëve shqiptarë, ajo denoncoi manipulimin e procesit të votës dhe përpjekjet për të përjashtuar ata që nuk binden me regjimin aktual.
Merja theksoi se qeveria ka mashtruar sërish duke premtuar mundësinë e votës për diasporën, por në fakt ka krijuar barriera dhe pengesa që synojnë t’i mbyllin gojën qytetarëve të jashtëm që nuk janë të kontrolluar.
Deklarata e Zëdhënëses së Fushatës të Partisë së Lirisë, Znj. Arla Merja:
Të nderuar qytetarë!
Prej ditësh janë denoncuar parregullsi të shumta sa i përket votës së diasporës.
Shqiptarëve jashtë vendit po u cënohet e drejta themelore për të votuar. Procesi është i manipuluar, i deformuar dhe i ndërtuar për t’i përjashtuar qëllimisht ata që nuk i binden regjimit.
Qeveria ka mashtruar sërish. Premtuan votë për diasporën, por në prapaskenë kanë ndërtuar barriera, pengesa dhe një rrjet manipulimi që t’i heshtin ata që nuk i kontrollojnë dot. Sepse ata e dinë: diaspora nuk shitet, nuk frikësohet dhe nuk komandohet!
Denoncoj me forcë këtë farsë që po bëhet mbi fatin e votës. Kjo është një goditje brutale ndaj demokracisë, është një poshtërim i shqiptarëve që sakrifikojnë çdo ditë jashtë vendit, por duan të jenë pjesë e ndryshimit në atdhe.
Denoncoj këtë proces të manipuluar dhe kërkoj që çdo votë e diasporës te transportohet nga DHL-ja brenda afateve dhe rregullimeve ligjore.
Kërkoj të rregullohen listat e zgjedhësve pasi votues të diasporës figurojnë votues në njësi të ndryshme të Tiranës.
Askush nuk ka të drejtë të luajë me zërin e qytetarëve tanë.
U bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit:
Mos u frikësoni! Mos u trembni nga propaganda, nga shantazhet apo nga mashtrimet e tyre!
Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për zëra të fortë dhe qytetarë të vendosur. Demokracia nuk jepet dhuratë, ajo kërkon guxim dhe bashkim.
Qëndroni të fortë. Qëndroni të lirë. Qëndroni në këmbë.
Në këtë betejë nuk kemi luksin të heshtim. Është koha të qëndrojmë të bashkuar dhe të pamposhtur.
Zëri i diasporës do të dëgjohet, me çdo kusht. Kush përpiqet ta vjedhë, do përballet me përgjegjësi.