Arian Galdini: Aleancat e krimit me qeverinë e kanabisit, roli i SHBA dhe BE, Reforma në Drejtësi dhe opozita e 27 Janarit

286
Jakup B. GJOÇA

Edi Rama është Kryeministri i kanabisit dhe aleancës së krimit

Arian Galdini Kryetar i Partisë për Liri, Demokraci dhe Etikë
Ne si opozitë kemi sfidë të qartë nga populli, 27 janari dëshmoi se populli opozitar është gjigandi i madh dhe i mirë që ka nevojë të shprehet
Arian Galdini, Kryetar i Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë në një intervistë për gazetën “Telegraf” thotë se gjatë takimeve të tij me funksionarët e lartë të BE në Bruksel dhe Uashington, ata kanë pohuar se qytetari shqiptar është i parapëlqyeri i Brukselit dhe kurrsesi politikani dhe qeveritari i Tiranës. Zoti Galdini e cilëson Edi Ramën si kryeministri i kanabisit dhe i aleancës së krimit, megjithatë, pohon se në protestën e 27 janarit, opozita thjesht u numërua, ndërsa populli opozitar ka nevojë që të shprehet. 
-Zoti Galdini, në takimet tuaja të shumta me politikanë të Bashkimit Evropian, cili është mendimi i tyre, ikona që kanë ata për qeverisjen e kryeministrit Edi Rama?
– Gjatë vizitës zyrtare dhe bisedave që unë kam zhvilluar si Kryetar i LDE – Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë në Bruksel kam kuptuar se ka më shumë miq e dashamirës të Shqipërisë atje, sesa në klasën politike shqiptare. Pakica plaçkitëse politike në Shqipëri përpiqet të krijojë armiq e kundërshtarë të shqiptarëve në Bruksel e Perëndim, por nuk mund ta fshehin të vërtetën se të vetmit keqbërës, pengues dhe të ligj këtu janë politikanët shqiptarë që na kanë sunduar e zgrapur pa pikën e mëshirës në këto 27 vite. Ikona dhe i parapëlqyeri i Brukselit është qytetari shqiptar. Asnjë iluzion e asnjë dëshpërim nuk duhet të lejojmë ne që të krijohet këtu, a thua se ndonjëri prej politikanëve tanë është i favorizuari i Brukselit apo Uashingtonit. Kemi hyrë në një fazë të re, kur i vetmi i parapëlqyer dhe i favorizuar i Brukselit dhe Uashingtonit është qytetari shqiptar. Duhet vetëm vetëdijësim nga ne qytetarët për këtë.

– Si mund ta kuptojmë që ende ambasadori i SHBA dhe i BE, por edhe ambasadorë të shteteve kryesore të BE në Tiranë përkrahin politikën e kryeministrit Rama?
– Nuk e di nëse kjo është e vërtetë. Mund të mos jenë në një frekuencë me pritshmëritë politike të palëve dhe aktorëve politikë në veprim në vendin tonë, por nuk mund të themi se janë të pajtuar me politikën e Kryeministrit Edi Rama. Ka një ndryshim thelbësor mes mospërputhjes me palë politike në pozitë a opozitë dhe njehsimit me politikën e Ramës, në qëndrimet e përfaqësive diplomatike të SHBA dhe BE në Tiranë. Sidoqoftë unë besoj sinqerisht që gara dhe përballja jonë si Opozitë nuk është me asnjë diplomat a qëndrim ndërkombëtar, por me Edi Ramën dhe qeverisjen e tij të mafies estetike. Kursi i interpretimit, llogarikërkimit, përplasjes apo fajësimit të përfaqësuesve diplomatikë apo politikë të Perëndimit është një kurs i gabuar që na shndërron vetvetiu në titanikes vullnetarë që shkojmë me dritëshkurtësi për ti rënë ballazi ajsbergut për tu mbytur po vetë ne… E keqja e kësaj mbytjeje është se ne nuk kemi as orkestrën epike të Titanikut që të luajë muzikë virtuoze për ta bërë mbytjen si një akt kurajoz. Ne jemi një opozitë që nuk kemi as orkestër e as artistë mes nesh, sepse tek ne veglave u bien kuzhinierët e përhershëm. Andaj duhet ndryshim dhe ndryshim i fortë përmbajtësor.

-A nuk është njëkohësisht kontradiktor me qëndrimin e ambasadores së BE në Tiranë, kritikat e BE se në Shqipëri korrupsioni dhe inkriminimi nuk luftohen?
– Nuk dua fare të komentoj e as analizoj Perëndimin. Jam properëndimor apriori e me gjithë shpirt. Jam më së pari proamerikan e paskëtaj jam proeuropian. Miqtë nuk interpretohen. Miqtë pranohen sikurse janë. Nëse ne fajësimet dhe përgjegjësitë ia nisim t’i zbulojmë e pranojmë tek vetja, atëherë po që kemi çdo të drejtë e legjitimitet për t’u kërkuar reciprocitet edhe miqve të perëndimit… Por kur harrojmë të shihemi në pasqyrë, nuk kemi sesi të bëhemi nopranë me diplomatët dhe përfaqësuesit e perëndimit.

– Kur BE kritikon Shqipërinë për korrupsion dhe inkriminim të politikës, si edhe mosluftimin e krimit të organizuar, kë politikë, kë qeveri, kë kryeministër fotografojnë këto kritika kaq të ashpra? 
– Që Edi Rama është Kryeministri dhe protagonisti i fotos së Shqipërisë së mafies estetike, këtë e di edhe Moduro i Venezuelës. Edhe pasuesi i Chavezit në Amerikën Latine do ta kishte të vështirë të spikatej kaq fort e kaq thekshëm sa bie në sy Kryeministri i kanabisit dhe aleancës së krimit sikurse është Edi Rama. Komunisti i Venezuelës ndihet i sfiduar kur sheh foton e Shqipërisë ku mbizotëron kanabisi i Ballkanit. Të dy këta janë armiq dhe urrejtarë karshi Opozitës në vendet përkatëse. E megjithatë ish shoferi i autobusit në Venezuelë as që krahasohet dot me shoferin e tepsisë sonë, sepse ai flet në emër të sindikatave, ndërsa ky i yni mburret poshtë e lartë se në Shqipëri nuk ka sindikata. Madje, Kryeministri ynë ia ka dalë mbanë që të jetë KM i vendit dhe kreu i të vetmes sindikatë në vend, që është as më shumë e as më pak por sindikata e krimit. Këtë e di Brukseli, e di Londra, e di Berlini, e di edhe Uashingtoni.

– Mos vallë, ne shqiptarët duhet të kemi një tjetër konceptim për Bashkimin Evropian? Se edhe ata, pak janë të interesuar, që Shqipëria të demokratizohet dhe të integrohet në BE?
– Ne shqiptarët duhet të reformojmë madje transformojmë konceptin dhe kulturën tonë demokratike. Të fillojmë të kuptojmë e vendosim që të mos shesim votën 20 euro dhe blejmë vendin e punës 6.000 euro. Të fillojmë të refuzojmë të na udhëheqin e sundojnë politikanët e përhershëm që na kanë plaçkitur e qeverisur në këto 27 vite. Të fillojmë të luftojmë pa kompromis për tê drejtat dhe dinjitetin tonë qytetar. Tu mbyllim portën dhe shanset të gjithë politikanëve të korruptuar e të njohur ai keqbërës në këto 27 vite. Të gjejmë kurajë për të ngritur krye e për të mos u pajtuar me të keqen si fakt i kryer. Atëherë po, që mund edhe të fitojmë të drejtën për të reflektuar mbi BE dhe politikat e BE. Kur ne ndjekim, duartrokasim e u dorëzohemi të njëjtëve batakçinj e manovratorë politikë që na kanê zhytur në llum e ligështi në këto 27 vite, ç’kuptim ka të lejojmë të na bëhet politikë e poshtër terapeutike duke na treguar me gisht fajtorët e jashtëm. 

– Sipas jush, cili do të jetë produkti përfundimtar i Reformës në Drejtësi?
– Nuk e di. Sinqerisht nuk e di. Por mund të them se uroj e dëshiroj që të kërcasin prangat dhe ndëshkimet spektakolare për të gjithë ata që na kanë sunduar e plaçkitur në këto 27 vite. I lutem Zotit çdo ditë që Perëndimi t’i shkojë deri në fund këtij angazhimi për funksionalitetin e reformës në drejtësi deri në ndëshkimin e atyre që janë treguar makutër e mizorë me pushtetet që shqiptarêt ua kanë besuar e deleguar me votën e tyre në këto 27 vite. 

-Të shumta janë akuzat politike ndaj PD dhe kryetarit të saj, për opozitë të dobët ndaj qeverisë dhe kryeministrit Rama. Cili është mendimi juaj për politikën opozitare të deritanishme të PD? Ku gabon dhe ku duhet të përqendrohet?
– Jam mik dhe aleat i Lulzim Bashës. Pres, uroj dhe shpresoj që PD më së pari dhe ne si Koalicion Opozitar të kuptojmë se pa një proces vetëshqyrtimi dhe misionarizimi nuk do të arrijmë dot kurrë të bëhemi as cenues e aq më pak konkurrues me Shumicën qeverisëse tê mafies estetike që drejton Edi Rama. Kështu si jemi, me këtë kompozim vizual, njerëzor, ideor dhe ligjërues, ne nuk mbërrijmë dot tek rritja. Mund të përqendrohemi, konservohemi, rezistojmë, por vështirë se mund të krijojmë kushte e ambient për fuqinë e rritjes. Rritja kërkon thelb, jo fjalime. Rritja kërkon shpirt, jo gjetje kompozicionale. Rritja kërkon misionariëm, jo marifete. Rritja kërkon besim, jo numërim. Rritja kërkon shpresë, jo inat. Rritja kërkon njerëzit e dinjitetit, risisë, konkurueshmërisë, e jo kaqolat e bindshmërisë dhe partishmërisë. Pa këto procese të përmbushura, misioni ynë opozitar do të jetë si fuqia e xhuxhit. Sado muskuloz e i zemëruar të jetë xhuxhi, nuk hyn dot në ring për fitore. Xhuxhëria e bën opozitarizmin mision inati. Rritja e fut në ring dhe e bën fituese opozitën. Ose do hapim mendjet dhe zemrat për më të mirët ndër ne. Ose me kaqola e klientët e përhershëm do mbetemi xhuxhët e zemëruar që nuk rritemi kurrë.

– Protesta e 27 janarit 2017, çfarë impulsesh solli në politikë? Cilat duhet të jetë këtej e tutje strategjia opozitare e PD-së?
– U numëruam. Kaq. Po nuk filluam të hapemi për më të mirët, xhuxha do mbetemi ne si politikë. Në 27 janar, populli opozitar dëshmoi se është gjigandi i madh dhe i mirë që ka nevojë të shprehet. Ne si opozitë kemi sfidë të qartë nga populli opozitar që të rritemi në përmasën dhe kërkesën e popullit opozitar.
1
Pakica plaçkitëse politike në Shqipëri përpiqet të krijojë armiq e kundërshtarë të shqiptarëve në Bruksel e Perëndim, por nuk mund ta fshehin të vërtetën se të vetmit keqbërës, pengues dhe të ligj këtu janë politikanët shqiptarë që na kanë sunduar e zgrapur pa pikën e mëshirës në këto 27 vite
2
Pres, uroj dhe shpresoj që PD më së pari dhe ne si Koalicion Opozitar të kuptojmë se pa një proces vetëshqyrtimi dhe misionarizimi nuk do të arrijmë dot kurrë të bëhemi as cenues e aq më pak konkurrues me Shumicën qeverisëse tê mafies estetike që drejton Edi Rama. Kështu si jemi, me këtë kompozim vizual, njerëzor, ideor dhe ligjërues, ne nuk mbërijmë dot tek rritja