Prof. Bajram Hysa: 25 prilli, një imperativ historik për demokracinë dhe integrimin

623
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

“Brenda 100 ditëve të para të qeverisjes do të hapim negociatat me BE-në”,- tha zoti Basha, gjatë një takimi elektoral me të rinjtë në zonën e Kavajës. Ndërkohë që kryeministri, ende në detyrë, e ka vendosur integrimin në kllapa dhe thuajse nuk e zë më në gojë, zoti Basha duket se po e vlerëson këtë proces si përmasë të lirisë njerëzore dhe të drejtë të patjetërsueshme të shqiptarëve, si alter ego të veprimtarisë politike të opozitës. Zoti Rama, që njeh vetëm një metodë qeverisjeje, atë me monopolistë dhe oligarkë, e di se integrimi evropian nuk lejon burokraci dhe kleptokraci, por është një proces që shqyrton gjithçka, shmang gabimet dhe ruan vlerat e demokracive kombëtare. Mbi këtë lexim transhedencial ai ka hequr dorë nga tautologjitë pohuese pro integrimit dhe merret me shifrat e kodet e “patronazhimit” dhe kalkulimeve elektorale, duke përvetësuar identitetet e qytetarëve, duke bëre një veprim të paskrupullt dhe despotik, i cili e di se e pret humbja e pashmangshme në këto zgjedhje. Çështja e integrimit nuk është një sport demokracie apo kapriçio e forcave politike, por është një ide udhërrëfyese, ndërvarësi reciproke, një çështje ekzistenciale, që vendi të dalë nga izolimi ku e futi qeveria e “Rilindjes” dhe t’i nënshtrohet një konkurrencë të pashmangshme, si ekonomike ashtu edhe shoqërore. Gjithë sekreti është se nuk ka kohë, duhet shpejtuar.

Debati në këto zgjedhje duhet të ishte përgjegjësia e vonesave dhe ndërlikimeve që na kanë nxjerrë nga shinat e integrimit, se si të përfitojmë përkrahjen e politikës evropiane për zhvillimin e demokracisë, institucioneve dhe tregut të lirë. Shqipëria në këto zgjedhje është në kërkim të vetvetes. 25 prilli është ora e fatit që nuk duhet humbur, është shansi i vetëm i integrimit. Beteja për demokracinë dhe integrimin ofron shanset më të mëdha për fitore të opozitës demokratike dhe dhënien fund të tranzicionit sfilitës 30 vjeçar. 25 prilli është çështje mbijetese për Shqipërinë dhe shqiptarët, për sundimin e së drejtës për sovranitetin dhe rendin juridik të saj. Vetëm nëpërmjet qëndrimit tonë moral ditën e votimit, mënyrës sonë të të menduarit, vullnetit tonë, ne do të mund të realizojmë me votë konvertimin etiko-politik properëndimor, pa të cilin rrezikojmë të kthehemi në një provincë të Lindjes. Një gabim në zgjedhje mund të çojë në shkatërrimin tërësor të demokracisë, të ndërgjegjjes kombëtare. Mund të vihet në diskutim vetë ekzistenca e kombit tonë, pasi ai do vazhdojë të shpopullohet tërësisht nga të rinjtë dhe forcat vitale të mendjes dhe të punës. Prandaj gjithkush që është shqiptar i vërtetë duhet të ketë një vizion të qartë mbi situatat, t’i thërrasë arsyes dhe ta vlerësojë 25 prillin si një mundësi të artë, si një imperativ historik. Qeverisjen Rama e pret një fund fatal, pasi ai dëshmoi për 8 vite rresht se ishte një vazhdues i denjë i doktrinës totalitare, me një arrogancë të pashoqe dhe me një kompleks të qartë inferioriteti, duke u përpjekur për të krijuar një demokraturë, “njeriun e ri” të patronazhuar nga partia, për të mbytur të gjitha rrymat dhe përpjekjet opozitare, duke vendosur kontroll të plotë mbi shoqërinë, mbi shtetin dhe mbi gjithçka.