Ardhja e afganëve dhe Luli si loloja i regjimit

228
Sigal

Vetëm disa orë pasi kryeministri i vendit shpalli në Facebook vendimin për të pritur në Shqipëri qytetarët afganë që bashkëpunuan me amerikanët dhe të cilëve iu rrezikohet jeta si pasojë e rikthimit të talebanëve në pushtet, në media u shfaq edhe shefi i opozitës, që e përkrahu këtë qëndrim.

Natyrisht, nuk mund të ndodhte ndryshe. Pavarësisht që, ashtu sikurse është normale ka edhe shqiptarë që janë kundër, pavarësisht se shumëkush e sheh këtë si një përforcim të Edi Ramës në skenën ndërkombëtare, lideri i PD, një parti historikisht pro atlantike, që ka qenë nismëtarja e pritjes se muxhahedinëve me kërkesë të amerikanëve, nuk mund të sillej ndryshe në këtë rast.

Por ama, ndonëse thelbin e qëndrimit e kishte me detyrim përcaktim, nga Lulzim Basha nuk pritet as të bëjë duartrokitësin e qeverisë, as papagallin e deklaratave të saj.

Nga çdo opozitë normale, ndonëse mund të pritej përkrahja e hapjes së dyerve për refugjatët afganë, pritej po ashtu edhe kërkesa për transparencë. A ishte ky një vendim që duhej marrë nga një njeri i vetëm, apo në konsultim me institucionet e tjera, e pse jo edhe me opozitën? A u bë kjo, apo Rama e trajtoi si një nder personal për administratën amerikane? A duhej një konsultim publik paraparak, kur ashtu sikurse pranon vetë Rama i paska kërkuar personalisht sjelljen e afganëve në Shqipëri? A duhet diskutuar për kuota, pra sa do të pranojmë? A duhet të kënaqemi me premtimin se ata do qëndrojnë përkohësisht deris sa ti tërheqë SHBA, apo duhet të flasim për afate?

LEXO EDHE  Ja çfarë u shpjegon nxënësve/ Skandali i mësueses: Shqipëria kufizohet me 3 shtete, s’përmend Kosovën

Një opozitë e përgjegjshme edhe kur e miraton një akt të qeverisë, siç bëri në këtë rast, është e dënuar t’i ngrejë këto dilema, që i shërbejnë rolit të saj parësor në mbrojtje të interesit publik.

Por, në deklaratën qesharake të Bashës, të gjitha këto elemente bazikë mungonin. Nga frika se mos e etiketojnë si antiamerikan ai heshti, nga paburrëria për të thënë të vërtetën, ai edhe njëherë më shumë nuk arriti të bëjë detyrën e tij.

Duke dashur të sillet si servil i diplomatëve ai më shumë po lë përshtypjen e një loloje që i bën fresk regjimit.

Sepse edhe në këtë pikë Basha duket i ngjashëm me Ramën. I pari po e përdor çështjen e ardhjes së afganëve të rrezikuar për kreditet e veta personale, edhe i dyti po bën të njëjtën gjë.

Vetëm se në këtë lojë bonusin e merr ai që ka pushtetin.