Arben Ahmetaj: Modeli i ri ekonomik promovoi sektorë të qëndrueshëm

479
Kur diskutojmë ligjin e energjisë është një moment shumë i mirë për të bërë një reflektim të rrugës së gjatë dhe rruga e gjatë ka gurët e vet kilometrikë. Cila ishte arsyeja që 2012-ta ishte gropa më e madhe e varfërisë? Ka qenë politika e qeverisë e asaj kohe dhe trashëgimia e saj, prandaj theksojmë që 2014-ta ka qenë një nga vitet më të vështirë e megjithatë viti i kthesës. Nëse dëshironi të flasim për ndihmën ekonomike, ishte 6.5 % në 2005-ën, e dorëzuat nën 1 %, statistikisht. 2014-ta, me atë mal me borxhe, me ato gropa në energji, me atë korrupsion të trashëguar ne tatime dhe taksa, shënoi mbylljen e këtyre gropave dhe kthesën e madhe ekonomike. Kemi hequr taksën e sheshtë, kemi kthyer taksën progresive. Doni shifra? Në 423 mijë të punësuar, 415 mijë të punësuar kanë ulje të drejtpërdrejtë taksash dhe nga ulja e drejtpërdrejtë e taksave përfitojnë çdo vit 23 milionë dollarë në konsum. Do të sjell vetëm dy çmime, çmimin e naftës dhe çmimin e ilaçeve. Çmimi i ilaçeve është ulur drejtpërsëdrejti 10 për qind dhe janë 10 milionë dollarë, të cilat u shkojnë qytetarëve në nevojë. Çmimi i naftës, 15 milionë dollarë çdo muaj konsumohet më pak nga familjet dhe është para që shkon në konsumin e përditshëm familjar. Kjo është arsyeja që në vitin 2014 kemi rritje të konsumit. Nuk ka muaj në vitin 2014 që konsumi të mos jetë rritur, diku në mënyrë serioze, diku në mënyrë modeste, por vetëm është rritur dhe tremujori i katërt ka kapur shifrën 4.1 %. Do të duhet të tregoj që eksporti i lëndëve djegëse nga Shqipëria është ulur në mënyrë drastike për shkak të rënies së çmimeve. Pra, mineralet dhe hidrokarburet janë ulur në mënyrë drastike, gati 15 për qind vetëm në mars. E megjithatë, mbulimi vazhdon të mbetet 51 për qind. Si është e mundur një gjë e tillë? Është modeli i ri ekonomik që ka funksionuar. Këto industri në rënie janë zëvendësuar me industri të reja që kanë kontribuar në eksporte. Pra është një model ekonomik që promovon sektorë të qëndrueshëm. Është rritur eksporti i makinerive dhe pajisjeve. Po ju jap vetëm një shifër. Marsi i vitit të kaluar ka pasur 6.8 milionë dollarë eksporte në makineri dhe pajisje nga Shqipëria. Ky muaj, marsi i vitit 2015, ka 14 milionë dollarë. Pra dyfishi. Ka filluar ekonomia shqiptarë të fokusohet tek prodhimi, madje dhe tek prodhimi i makinerive dhe pajisjeve, megjithëse në mënyrë modeste. Importi i makinerive dhe pajisjeve vetëm në muajin mars është rritur 43 %. Vetëm në muajin mars janë importuar makineri dhe pajisje 104 milionë dollarë. Këto para janë makineri dhe pajisje, hyjnë në ciklin e prodhimit ekonomik brenda gjashtë muajve. Vazhdojmë me energjinë. Është e rëndësishme të themi një çmim këtu. Po patjetër, unifikimi i çmimit ishte i drejtpërdrejtë për të mbyllur korrupsionin në energji, për të mbyllur vjedhjen në energji por, në të njëjtën kohë, për të siguruar dhe një shëndetshmëri të sistemit dhe të kompanive. Po, jemi të majtë. Po ua theksoj, jemi të majtë. Folët drejtpërsëdrejti për subvencion. Vendosëm të subvencionojmë 16 milionë dollarë në vit për familjet në nevojë. Jemi të majtë dhe subvencioni për shtresat në nevojë, për këtë mall, do të vazhdojë dhe do të konsumohet i gjithi në favor të tyre. A doni çmimin? Po flisni për çmim të lartë. Po ua them. Çmimi mesatar në 2012-ën, kur ju qeverisnit, ishte 12.4 lekë kilovat/orë. Sot, në mars 2015 është 11.7 lek dhe në rënie, e ndërkohë mbledhja e të ardhurave dhe faturave nga abonentët familjarë nga 50 % po shkon 80 %. E pra, kthimi i ligjshmërisë është një nga themelet e programit të qeverisë dhe është kthyer simboli dhe profili i kësaj qeverie, qeveria që kthen shtetin ligjor. Janë 83 mijë të punësuar, nga të cilët gjysma janë të formalizuar. 40 mijë janë punësime të reja në vitin 2014. Vitin e kaluar u importuan makineri dhe pajisje 105 miliardë lekë, gati 1 miliardë dollarë, që hyjnë në ciklin ekonomik për 6 muaj dhe është një nga shifrat më domethënëse. Vetëm në vitin 2014 në QKR është rritur ritmi i regjistrimit të kompanive të reja 40 %. Vetëm në vitin 2014, janë regjistruar subjekte ekonomike të reja 17 mijë. Thënë kjo, diferenca midis nesh dhe jush nuk është vetëm rritja ekonomike, por dhe e vërteta, sepse thënë të gjitha shifrat, patjetër që ne nuk premtuan parajsën dhe patjetër që atë që kemi premtuar jemi duke e bërë. Kemi vetëm 18 muaj nga starti. 18 muaj janë dashur që të pastrojmë shtëpinë që të mos mbajë erë dhe tani nuk mban erë, tani ka marrë kthesën e duhur, të qëndrueshme, dhe jemi të bindur që 2015-ta dhe 2016-ta do të jenë vite shumë të mira ekonomikisht.
Sigal