Amerika aleat i shqiptarëve/ SHBA furnizon me dronë Kosovën, si burim jetik për organet e rendit në monitorimin e kufijve dhe hetimeve

30
Sigal

Policia dhe Inspektorati Policor i Kosovës morën të mërkurën një donacion prej 7 dronësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një ceremoni të organizuar në Prishtinë. Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, i shprehu falenderime Shteteve të Bashkuara të Amerikës për furnizimin dhe për mbështetjen, “në veçanti gjatë ditëve kur kemi humbur njërin nga rreshterët tanë”. Ai e ka cilësuar jashtëzakonisht të nevojshëm dhe të çmueshëm donacionin nga SHBA-ja. “Do të ndikojë në ngritjen e kapaciteteve të Policisë. Po ashtu edhe në monitorimin e kufijve dhe hetime. Janë dronë dhe pajisje që janë përzgjedhur dhe selektuar nga ekspertët e Policisë së Kosovës. Unë mund të garantoj ambasadorin e SHBA Jeffrey Hovenier, që Policia të gjitha këto pajisje do t’i përdorë për qëllime të ligjshme në mënyrë që të sigurojë shërbime më kualitative për të gjithë qytetarët”,- tha Gazmend Hoxha. Dronët e dhuruara për ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier, u cilësuan burim jetik për organet e zbatimit të ligjit në Kosovë. “Sigurojnë mbikqyrje dhe ofrojnë mbështetje taktike për misionet policore”,- tha ambasadori i cili shtoi se këto drone mund të përdoren për të luftuar kontrabandimin e migrantëve, narkotikëve e të tjera. Hovenier ka thënë se donacioni i fundit është vazhdimësi e qëndrimit mbështetës të SHBA-së për Kosovën.