Ambasadorja Yuri Kim: Udhëheqësit e partive do të mbajnë përgjegjësi në përzgjedhjen e kandidatëve të inkriminuar për deputet

151
Sigal

Ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim, ka deklaruar vazhdimisht se krerët e partive politike, do të mbajnë përgjegjësi për kandidatët në zgjedhjet e 25 prillit dhe pastërtinë e figurës së tyre. Të gjitha deklaratat e ambasadores, lidhen me faktin se elementë të krimit të organizuar kanë arritur në të shkuarën të depërtojnë në Kuvendin e Shqipërisë. Madje edhe në zgjedhjet e fundit lokale, të cilat opozita i bojkotoi pati sërish persona me rekorde kriminale. “Paralajmërim: Ndërsa partitë përgatiten për zgjedhjet, udhëheqësit do të mbajnë përgjegjësi për ata që garojnë nën flamurin e tyre. Ju lutemi kontrolloni kandidatët tuaj – mos fyeni votuesit, mos minoni demokracinë, mos promovoni korrupsionin”, . Por dje, kryeministri Rama, ka gjetur një mënyrë për ti “bërë bisht” këtyre thirrjeve, duke deklaruar se përgjegjësia për kandidimin mbetet individuale. Pra ndryshe nga ambasadorja Yuri Kim, që paralajmëron se krerët e partive janë ata që do të mbajnë përgjegjësi direkte për zgjedhjet e kandidatëve nga ana e tyre, Rama deklaron se përgjegjësia mbetet individuale. “Ne kemi ligjin, zbatojmë ligjin. Përgjegjësia e kujtdo që gënjen në vetëdeklarim, është përgjegjësi individuale jo partie! Partitë nuk janë drejtori policie, por verifikojnë sipas ligjit dhe sipas ligjit i kemi bërë verifikimet gjithmonë. Nuk kemi ndërmend të ngremë salla torturash në selitë e partive, nëse dikush fsheh diçka. ”, -vijoi kryeministri. Shpesh Edi Rama ka përdorur si justifikim për kandidatët me rekorde kriminale, faktin se ai nuk ka qenë në dijeni të krimeve të tyre. Rasti më i bujshëm është ai i Elvis Roshit në Kavajë, të cilin Rama e mbështeti dhe promovoi edhe pas akuzave të opozitës se Roshi kishte kryer disa vepra penale në Itali. Asnjë prej krerëve të partive të tjera, nuk ka bërë deklarata të tilla si të kryeministrit, duke e pranuar në heshtje përgjegjësinë e plotë për listat që do të hartojnë.