Ambasadori kroat Stipetiç: Shqipëria në rrugën e duhur, dielli për të lind në Perëndim

501
Ambasadori kroat në Tiranë, Aleksander Stipetiç, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, me rastin e festës kombëtare të Kroacisë, një rëndësi të madhe diplomati kroat i kushton marrëdhënieve dypalëshe shqiptaro-kroate dhe procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në fjalën e tij Stipetiç shprehet se Ne e dimë që për Shqipërinë dielli lind në Perëndim.
-Zoti ambasador, duke Ju uruar për Festën Kombëtare, na lejoni t’ju shprehim urimet dhe komplimentet për punën dhe misionin Tuaj në Shqipëri.
Faleminderit shumë. Shqipëria dhe Kroacia janë dy vende në gadishullin Ballkanik dhe kanë marrëdhënie miqësore, bazuar mbi një traditë të gjatë bashkëpunimi. Afërsia gjeografike dhe pikat e përbashkëta historike sugjerojnë që marrëdhëniet mes dy vendeve kanë një dimension. Kroacia dhe Shqipëria janë vende mike dhe tradicionalisht kanë patur respekt të vërtetë për njëra-tjetrën. Miqësia dhe respekti reciprok mes popujve të Shqipërisë dhe Kroacisë daton nga Mesjeta dhe më pas. Kohët e fundit, mbështetja e Kroacisë për popullin shqiptar ka qenë specifikisht e dukshme lidhur me pavarësinë e Kosovës. Ne e kemi mbështetur Kosovën që nga fillimi i betejës së saj për pavarësi.
-Cila është e ardhmja e marrëdhënieve tona dypalëshe? Cilat janë apektet e këtyre marrëdhënieve që ju sugjeroni se janë të nevojshme për zhvillimin e mëtejshëm të tyre?
Duke patur parasysh marrëdhëniet dypalëshe politike totalisht miqësore dhe të shkëlqyera, del absolutisht e nevojshme edhe intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik. Dhe, ekzistojnë potenciale të mëdha për këtë qëllim. Sa për fillim, kemi projekte të përbashkëta rajonale si ndërtimi i autostradës Adriatiko-Joniane, që të dy qeveritë e mbështesin. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për projektin e madh energjetik të gazsjellësit Adriatiko-Jonian. Të dyja projektet do të sigurojnë mundësi të reja biznesi si edhe do të rritin potencialin ekonomik të dy vendeve tona. E ashtuquajtura ‘’Autostrada Blu’’ do të shtojë lidhjet mes Kroacisë dhe Shqipërisë dhe do të sigurojë një akses më të mirë ndaj produkteve shqiptare në tregjet evropiane dhe kroate dhe anasjelltar, natyrisht. Pa dyshim që edhe përfitimet do të rriten. Kostoja e transportit detar është eficente dhe do të shtonte lidhjet mes Shqipërisë dhe Evropës. Një fluturim direkt Zagreb-Tiranë do të ishte i domosdoshëm. Këto lidhje do të sjellin përfitime shtesë për dy palët dhe do të ndihmonin në krijimin e një mjedisi më tërheqës për bizneset e dy vendeve.

-Cilët janë sektorët ku kompanitë kroate janë më të interesuara për të investuar në Shqipëri?
Realisht, të gjithë sektorët. Unë shoh mundësi edhe në fushën e turizmit, bujqësisë madje edhe në industrinë farmaceutike për shembull. Ekonomitë kroate dhe shqiptare janë shumë të ngjashme. Që do të thotë se ne kemi njohuritë dhe përvojën, në ndërkohë që Shqipëria po shndërrohet në një treg në rritje me një ambient të favorshëm investimesh.
Pak vite më parë, kanë ekzistuar pengesa reale në Shqipëri si një destinacion për të investuar – si për shembull mungesa e energjisë elektrike dhe ujit, mungesat në infrastrukturë dhe në zbatimin e ligjit. Personalisht, vlerësoj shumë atë që populli shqiptar arriti në një periudhë kaq të shkurtër kohore – për vetëm dy dekada. Industria e ndërtimit ka lulëzuar, infrastruktura e transportit po merr formë dhe furnizimi me energji elektrike dhe ujë nuk përbën më një problem. Shqipëria po ecën shpejt pasi ka njerëz të cilët kanë dëshirë të zjarrtë për mundësi. Ky është një vend premtues me shumë potenciale. Përsa i përket shtetit të së drejtës, procesi i integrimit në BE do të japë veçanërisht rezultate.
-Si e sheh Kroacia frymën e re të bashkëpunimit me projekte konkrete që vendet e Ballkanit Perëndimor vendosën të ndërmarrin në forumin Ekonomik të Vjenës të mbajur në Tiranë?
Kroacia mbështet çdo projekt të përbashkët rajonal dhe çdo iniciativë rajonale që ka për qëllim stabilizimin dhe prosperitetin e vendeve tona fqinje. Një perspektivë e një paqeje të qëndrueshme dhe e një stabiliteti ekonomik është gjithçka që ne kërkojmë, të gjithë ne në rajon. Ballkani Perëndimor ka nevojë për transformim të qenësishëm për të lënë pas një të kaluar turbulente konfliktesh dhe për të zgjedhur në vend të kësaj një të ardhme të stabilitetit dhe të respektit reciprok. Qëllimisht unë theksoj respektin mes kombeve dhe popujve. Unë me të vërtetë besoj se, duke mësuar të respektojmë njëri-tjetrin, vlerat dhe traditat e njëri-tjetrit ne do të bëjmë një rrugë të gjatë dhe do të fillojmë më në fund te vlerësojmë fqinjësinë tonë. Ne duam që fqinjët tanë të shndërrohen në Partnerët tanë – në të gjitha sferat e jetës sociale, ekonomike dhe madje edhe politike. Ne kemi nevojë të respektojmë reciprokisht Partnershipin. Kjo është e ardhmja për të cilën ne aspirojmë. Për vendet e rajonit, Bashkimi Evropian është faktori vlerë dhe modeli kryesor i respektimit të Partnershipit. Për të gjithë ne kjo është ajo që Bashkimi Evropian kërkon. Bashkëpunimi rajonal dhe iniciativat për të cilat jemi dëshmitarë do të japin rezultate dhe do të ndihmojnë rajonin të fokusohet në transformimin e tij dhe në anëtarësimin në të ardhmen në Bashkimin Evropian. Ne nuk kemi dyshime se rajoni ka nevojë për BE-në. Anëtarësimi në union është shans historik unik për vendet e Ballkanit Perëndimor. Padyshim edhe BE-ja ka nevojë për integrimin e Ballkanit Perëndimor për shumë e shumë arsye të qarta. Lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar janë vetëm disa prej këtyre arsyeve.
-Kroacia është një nga vendet për t’u marrë shembull nga vendet e Rajonit të Ballkanit Perëndimor sa i takon rrugës së ndjekur për integrimin në Bashkimin Europian. Në këtë kuadër, çfarë këshillash do t’i jepnit klasës polItike, por edhe qytetarëve shqiptarë?
Siç mund të jeni në dijeni, rruga e Kroacisë drejt Bashkimit Evropian ishte e gjatë dhe e vështirë. Kushtet për vendin tim ishin të shumta. Përpjekjet e jashtëzakonshme që ne bëmë për të kryer reformat e detyrueshme, sidoqoftë, rezultuan se ishin me mjaft përfitim për vendin tim. Negociatat tona paraprake me BE-në ne i konsideruam si proces të ndërtimit të shtetit pasi ristrukturimi i institucioneve dhe i shoqërisë si një e tërë rezultuan fondamentale dhe të plota. Të njëjtat reforma do të kërkohen edhe nga Shqipëria. Do të jetë dukshëm një process i gjatë dhe që do të ndryshojë jetën për të gjithë qytetarët shqiptarë. Këshilla kryesore që mund t’u japim autoriteteve shqiptare është që të punojnë shumë dhe seriozisht sa më shumë të jetë e mundur për reformat. Ato janë përfitimi kryesor. Përveç kësaj, është i një rëndësie të madhe edhe fakti që të gjithë factored politikë t’i mbështesin ato dhe të kontribuojnë sistematikisht në këtë proces me angazhim të plotë. Të gjitha vendet në rajon kanë nevojë për këtë transformim. Ne të gjithë kemi nevojë për standarte evropiane dhe praktikat e Bashkimit Evropian për të lënë pas të kaluarën tonë të vështirë dhe për të punuar për një të ardhme në paqe dhe në begati.
-Ku konsiston ndihma që Kroacia i ofron Shqipërisë sa i takon integrimit të vendit në BE?
Ambasadori Stipetiç : Ashtu siç ju e dini shumë mirë, Kroacia ka qenë një përkrahëse e forte e rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian që nga fillimi dhe vazhdojmë të jemi ndërmjet avokatëve kryesorë të zgjerimit të këtij unioni. Deri tani, ne kemi mbështetur autoritetet shqiptare në shumë aspekte në raport me asistencën e nevojshme dhe të kërkuar. Megjithatë, pjesën kryesore e kemi përpara. Në bisedimet përpara anëtarësimit Shqipëria do të ketë nevojë për asistencën tone teknike dhe për përvojën tonë. Siç edhe e thashë më lart negociatat tona për anëtarësimin në BE ishin një proces shtetformimi për ne. Në këtë proces u përfshinë rreth 2 000 ekspertë. Institucionet kroate do të bëjnë më të mirën e tyre për të ndihmuar autoritetet shqiptare në këtë periudhë shumë domethënëse në procesin e integrimit. Ne e duam Shqipërinë në BE sa më shpejt të jetë e mundur. Ne e dimë që Shqipëria ka nevojë për Bashkimin Evropian. Ne e dimë që për Shqipërinë dielli lind në Perëndim. Kjo metaforë flet qartë. Shqiptarët kanë nevojë për këtë mundësi te jashtëzakonshme historike. Ata kanë nevojë dhe e meritojnë të gjithë mbështetjen tonë. Edhe Bashkimi Evropian ka nevojë për Shqipërinë. Tashmë, ne nuk kemi asnjë dyshim.
-A mendoni se Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur sa i takon ecurisë së saj në integrimin europian?
Natyrisht që Shqipëria është në rrugën e duhur. Autoritetet shqiptare kanë punuar për reformat me vendosmërinë më të madhe. Si rezultat i kësaj, vitin e kaluar Shqipërisë iu dha statusi kandidat. Shqipëria ka punuar shumë mbi prioritetet e përcaktuara nga Komisioni Evropian dhe mendoj se Shqipëria do t’ia arrijë qëllimit për t’iu bashkuar BE-së. Natyrisht që ka ende shumë për të bërë. Kroacisë iu deshën tetë vjet që të përfundonte negociatat me Bashkimin Evropian. Edhe Shqipëria do të testohet në shumë mënyra. Bashkimi Evropian nuk do të tregohet i butë me Shqipërinë. Kjo është ajo që shoqëria ka nevojë dhe që Shqipëria do të përfitojë prej kësaj.
Sigal