Ambasadori italian: Opozita duhet të jetë e fortë dhe e bashkuar

109
Sigal

“Njerëzit kanë nevoje të dëgjojnë zgjidhje të problemeve të tyre nga politika dhe jo të përballen me dhunën dhe gjuhën e urrejtjes”. Ky ka qenë mesazhi që ka dhënë nga Shkodra, ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci. Ai u shpreh se nevojat e qytetarëve janë shërbimi ndaj tyre, ndërkohë që theksoi se plotësimi i kushteve për në Bashkimin Europian duhet të jetë objektiv i të gjithë spektrit politik. “Gjëja e parë është që duhet të ulim tonet, sepse tonet që i drejtohen dhunës, revoltës, nuk mendoj se i bëjnë mirë vendit. Mendoj se qytetarët e këtij vendi kanë nevojë për një vend normal, për politikanë normalë, të cilët kujdesen për nevojat e qytetarëve, e nevojat e qytetarëve janë shërbimet publike, shkolla të reja, hapësira të reja, kjo është ajo çfarë kanë nevoje njerëzit nga politika e të gjithë kaheve politike, mazhoranca apo opozita. Sa i takon zgjedhjeve të 14 majit dhe situatës brenda opozitës ai ka deklaruar se do të jetë një ditë ë rëndësishme për të gjithë shqiptarët ndërkohë që është shprehur se vendit, por edhe vetë mazhorancës, i duhet një opozite e fortë në parlament dhe jo një opozitë që përcjell gjuhën e dhunës.“Zgjedhjet e 14 majit janë zgjedhje të rëndësishme pasi zgjedhin drejtuesit e 61 bashkive. Do të doja që me 14 Maj politikanët të mundohen që t’i ofrojnë zgjidhje qytetarëve. Do të dëshiroja që me 14 maj, politikanët të ofrojnë alternativa për banorët. Qëndrimi im është që edhe opozita të mbushë boshllëkun e krijuar, sepse në demokraci një mazhorancë ka nevojë për një opozite, opozita është e fortë nëse është e bashkuar, por këshilla ime si përfaqësues i Italisë, është që opozita duhet te jetë e fortë dhe e bashkuar që në parlament të bëjë një opozitë serioze mbi gjëra konkrete dhe jo vetëm kaos, kjo nuk i shërben askujt, as mazhorancës”, tha ambasadori Bucci.