Ambasadori Arben Pandi Cici: Samiti Biden-Putin, befasues apo i shumëpritur.

591
Sigal

Autori është anëtar i Organizatës Euro-Science

Shtëpia e Bardhë është duke përgatitur udhëtimin e parë ndërkombëtar të Presidentit JoeBiden, që kur ai i zgjodh President i 47-të i ShBA-së. Vizita e parë e tij do të jetë në Evropë, ku klima mikpritëse duket se, përshumë arsye,është më pozitive, por edhe më sfiduese, pavarësisht pritshmërisë  në rritje, se ajo ndaj paraardhësit të tij, ish Presidentit Donald Trump. Gjithsesi kjo agjendë do të jetë jo vetëm e ngjeshur, por edhe e nxehtë, si një përplasje gjeopolitike Samitesh në Evropë. Ajo fillon me Takimin e G-7, vazhdon më 11-13 qershor në Mbretërinë e Bashkuar, mandej me Samitin e NATO-s në Belgjikë, më 14 qershor, dhe përmbyllet me Takimin e nivelit të lartë me Presidentin rus Vladimir Putin.  Rusia nuk do të marrë pjesë as në takimet e G-7 dhe as në NATO. Ajo u pezullua nga ajo që ishte atëherë G-8 në 2014 pas aneksimit të Krimesë dhe në mënyrë të ngjashme, NATO pezulloi të gjithë bashkëpunimin me Rusinë në përgjigje të “veprimeve të saj agresive” në Ukrainë.

“Të dy palët do ta kenë të ligjshëm pretendimin se kanë bërë përpjekje me mirëbesim për të përmirësuar marrëdhëniet mes tyre e për pasojë, krijimin e një klime ndryshe në marrëdhëniet ndërkombëtare”

Takimi i parë i nivelit të lartë midis Presidentit amerikan dhe Presidentit rus, i cili do të zhvillohetmë 16 qershor në Gjenevë, u konfirmua njëkohësisht si nga Shtëpia e Bardhë ashtu edhe nga Kremlini. Ata lëshuan deklarata të shkurtra pa demonstruar një pritshmëri të lartëtë kësaj ngjarje, deri diku e papritur, nisur nga marrëdhëniet e tensionuara midis këtyre dy fuqive bërthamore.  “…Udhëheqësit do të diskutojnë gamën e plotë të çështjeve të ngutshme, ndërsa ne kërkojmë të rikthejmë parashikueshmërinë dhe stabilitetin në marrëdhëniet SHBA-Rusi”, u nënvizua në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë mbi organizimin e këtij samiti. Vetëm pak javë pas zgjedhjes President, Biden kishte pohuar në fjalën e tij para nëpunësve të Departamentit të Shtetit se ai do të kishte një qasje rrënjësisht të ndryshme ndaj Rusisë sesa paraardhësi i tij, Trump. “Ne synojmë të diskutojmë gjendjen dhe perspektivat e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve Ruso-Amerikane, problemet e stabilitetit strategjik, si dhe çështje aktuale në agjendën ndërkombëtare, duke përfshirë ndërveprimin në luftën kundër pandemisë së koronavirusit dhe zgjidhjen e konflikteve rajonale”, deklaroi njëkohësish Kremlini zyrtar.

Konteksti i vizitës:

Do të jetë takimi i parë i Biden me Putin që nga marrja e detyrës por jo i pari mes tyre, duke përfshirë edhe një takim të vitit 2011, i cili mbahet mend për shkëmbim batutash aspak miqësore mes tyre. Ky samit vjen gati tre vjet pas takimit të Putinit me Trump (dhe të vetmit mes tyre) dhe zyrtarët e sotëm amerikanë pohojnë se takimi i Presidentit rus me Biden do të duhet të jetë ndryshe nga ai i korrikut 2018, gjatë të cilit Trump doli në krah të Putinit dhe hodhi hapur poshtë zbulimin e ShBA-së për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet 2016. Rusia, si “kërcënimi më i madh” për sigurinë e ShBA-së dhe aleancat e saj dhe raportet komode të ish Presidentin Trump me Putin, ishin një nga armët forta të kalit të betejës së Biden për në Shtëpinë e Bardhë për të zhvlerësuar figurën e kandidatit të tij kundështar, jo më larg se nëntorin e kaluar.  Muajin e kaluar, administrata amerikane njoftoi se po dëbonte 10 diplomatë rusë dhe po sanksiononte dhjetëra kompani dhe individë rusë në përgjigje të akuzave të cështjes SolarWinds dhe ndërhyrjeve ruse në zgjedhjet presidenciale në ShBA.  Edhe intervistat e muajve të fundit të të dy udhëheqësve, të shoqëruara me akuza për njeri-tjetrin, i ashpërsuan marrëdhëniet mes këtyre dy fuqive, të trazuara si asnjëherë tjetër, si pasojë e të cilave për herë të parë mbas 20 vitesh, Rusia thirri në Moskë ambasadorin rus në Uashington. Megjithatë, çështjet madhore globale të ditëve të sotme dhe mosmarrëveshjet thellësisht të mprehta që shtrohen për zgjidhje sot mes ShBA-së dhe Rusisëdhe jo vetëm, i detyruan këta dy udhëheqës të hedhin mbrapa të kaluarën, edhe shumë të afërt, të raporteve jo shumë miqësore dhe të shigjetimeve të hidhura mediatike mes tyre, deri disa javë më parë. “…Ne nuk takohemi me njerëz vetëm kur biem dakord. Në fakt është e rëndësishme të takohemi me udhëheqësit kur kemi një sërë mosmarrëveshjesh, siç po bëjmë me udhëheqësit rusë, ” nënvizoi sekretare e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, duke ju përgjigjur kështu edhe kritikëve të organizimit të këtij samiti të rëndësishëm.

Çështjet e mundshme për diskutim:

Rendi i ditës ende nuk është bërë publik por, sipas njoftimeve herëpashershme  të Shtëpisë së Bardhe dhe Kremlinit,një sërë çështjesh të mprehta, në dinamikë dhe ndryshim të përditshëm, do të shtrohen për diskutim gjatë këtij samiti të madh. Me rendin e ditës janë ngarkuar këshilltari për sigurinë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Jake Sullivan dhe homologu i tij rus, NikolaiPatrushev, një rend dite, shtyllat dhe fryma e të cilit janë hedhur në takimin e 19 majit të Sekretarit të Shtetit të ShBA-së Antony Blinken me Ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov.

“Do të kontribuojë në uljen e tensioneve nëpërmjet vendosjes së linjave të hapura të komunikimit mes Washingtonit dhe Moskës për çështje të rëndësishme të sigurisë botërore”

U shpreh publikisht gatishmëria për të hedhur ne tryeze të gjitha çështjet e mundshme për diskutim, pavarësisht në se arrihet marrëveshje apo jo. “Unë ia bëra të qartë Presidentit Putin, në një mënyrë shumë të ndryshme nga paraardhësi im, se ditët kur Shteteve të Bashkuarastepeshin përballë veprimeve agresive të Rusisë – ndërhyrja në zgjedhjet tona, sulmet kibernetike, helmimi i qytetarëve të saj – kanë mbaruar, ” pohoi Biden, i cili më 13 prill zhvilloi bisedën e parë telefonike me Putinin, bisedë që sipas komenteve dhe fjalëve të korridoreve diplomatike ishte “një shkëmbim i parë i tensionuar”. Gjithsesi, nga njoftimi i Shtëpisë së Bardhë nënkuptohen se temat që do të mund të diskutohen janë të mprehta, të nxehta, zgjidhja e të cilave kërkon mund, vëmendje, vendosmëri, përgjegjësi, mençuri e shpirt kompromisi, për të mirën dhe interesat e të dy vendeve dhe të botës mbarë. Ndaj, kur Presidenti Joe Biden do të takohet me homologun rus Vladimir Putin më 19 qershor, ai do të jetë një nga samitet më të ndjekur të vitit. “… Ata diskutuan një numër çështjesh rajonale dhe globale, duke përfshirë qëllimin e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për të ndjekur një dialog strategjik të qendrueshëm mbi kontrollin e armëve dhe çështje të reja të sigurisë, të bazuara në zgjerimin e “Traktatit të Ri START”. Presidenti Biden gjithashtu e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara do të veprojnë në mënyrë të vendosur në mbrojtje të interesave të tyre kombëtarë në përgjigje të veprimeve të tilla të Rusisë, si ndërhyrjet kibernetike dhe ndërhyrjet në zgjedhje. Presidenti Biden theksoi angazhimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara ndaj sovranitetit dhe integritetin territorial të Ukrainës. Presidenti shprehu shqetësimet tona në lidhje me ndërtimin e papritur ushtarak rus në Krimenë e pushtuar dhe në kufijtë e Ukrainës dhe i bëri thirrje Rusisë të ulë tensionet. Presidenti Biden riafirmoi qëllimin e tij për të ndërtuar një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të parashikueshme me Rusinë në përputhje me interesat e SHBA dhe propozoi një samiti në një vend të tretë në muajt e ardhshëm për të diskutuar gamën e plotë të çështjeve me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara dhe Rusia”, thuhet në njoftimin zyrtar të Shtëpisë së Bardhe të datës 13 prill.  Në vitin 2014, Rusia aneksoi në mënyrë të njëanshme Krimenë, një gadishull të rëndësishëm në Detin e Zi ku ndodhet qendra e një baze të marinës ruse, duke pësuar një dënim ndërkombëtar dhe sanksione. Pavarësisht kësaj Rusia qendroi në pozitën e saj duke paralajmëruar Shtetet e Bashkuara kundër dërgimit të anijeve luftarake në Detin e Zi dhe duke u kërkuar forcave amerikane që të qëndrojnë larg “për të mirën e tyre”. Agjencitë e inteligjencës amerikane kanë arritur në përfundimin se Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe se ajo qëndronte pas sulmeve kibernetike (vitin e kaluar) ndaj kompanive amerikane dhe sistemeve të softuerit.  Shtëpia e Bardhë zyrtarisht ka bërë me dije se vitin e kaluar, spiunët rusë sabotuan një pjesë të vogël të kodit kompjuterik të fshehur në një pjesë të njohur të softuerit të quajtur “SolarWinds”, i cili u përhap në 18,000 rrjete kompjuterike qeveritare dhe private. Hakerat hynë në skedarët dixhitalë të departamenteve të ShBA-së, të Drejtësisë, të Shtetit, të Thesarit, të Energjisë dhe Tregtisë dhe u mundën të kërkonin në komunikimet e nivelit të lartë, duke rrezikuar dosjet e gjykatës dhe informacionin bërthamor.  Administrata e Biden njoftoi sanksionet në mars kundër disa zyrtarëve të lartë rusë të nivelit të mesëm, së bashku me më shumë se një duzinë biznesesh dhe entesh të tjera, për shkak edhe të sulmit gati fatal të liderit të opozitës ruse, AlexeyNavalny, me agjentin-nervor Novichok dhe burgimin e tij në gusht të vitit 2020. Sipas qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar,shërbimi sekret rus përdori të njëjtin agjent-nervor për helmimin në vitin 2018 të ish-spiunit sovjetik Sergei Skripal dhe vajzës së tij në qytetin britanik Salisbury.  Janë ngritur publikisht dyshime se agjentë rusë paguajnë Talibanët për të sulmuar trupat amerikane në Afganistan, të cilat janë në fazën e rikthimit të tyre në atdhe dhe Presidenti Biden ka një ndjeshmëri të lartë për sigurinë e jetën e trupave amerikanë.  Rusia nga ana e saj ka mohuar në vazhdimësi të gjitha këto akuza prandaj duket se nuk do të jetë një samit i lehtë. Numri i çështjeve të shumta për të cilat këto dy fuqi kanë kohë që debatojnë e përplasen me njëra tjetrën janë pjesë e shqetësimit jo vetëm dypalësh por edhe global. Rezultati i bashkëpunimit të suksesshme të këtyre dy shteteve, marrja e masave reciprokisht të koordinuara në betejën kundër pandemisë Covid -19 dhe pasojave shkatërruese ekonomike, shëndetësore e sociale, si dhe debati përmbajtësor mbi çështjet e ndryshimit të klimës, mirëpriten nga gjithë bashkësia ndërkombëtare.  Pavarësisht kompleksitetit të cështjeve dhe qëndrimeve jashtëzakonisht kundërshtuese, fusha të tilla bashkëpunimi si beteja kundër Covit-19, ndryshimi i klimës, përcaktimi i “rregullave të lojës” për spiunazh edhe kibernetik dhe minimizimi i ndikimit destabilizues të tërheqjes së ShBA-së nga Afganistani, ofrojnë shpresë dhe mundësi për marrëveshje dhe bashkëpunim. Ka shumë gjasa që gjatë këtij samiti të diskutohet edhe cështja e debatueshme e ndërtimit të tubacionit të gazit natyror të Nord Stream 2, e cila shkaktoi konflikt, deri në propozime sanksionesh ndaj Gjermanisë, një nga aleatet amerikane më të rëndësishmeevropiane. Zyrtarë të lartë amerikanë këmbëngulin se tubacioni kërcënon sigurinë evropiane të energjisë, rrit ndikimin e Rusisë dhe paraqet rreziqe për Ukrainën dhe Poloninë duke krijuar anashkalimin e të dy vendeve. Nga ana tjetër, në reagimin e saj, Kancelarja gjermane Angela Merkel mirëpriti lajmin e samitit duke komentuar: “Diplomacia ka një shans vetëm nëse flisni me njëri-tjetrin.”

“Përpjekja për rivendosjen e dialogut dhe komunikimit me qëllim arritjen e “parashikueshmërisë  dhe stabilitetit” në marrëdhëniet me Rusinë , është një objektiv ambicioz dhe i guximshëm i administratës Biden”

Përse Gjeneva?

Nuk është aspak rastësi zgjedhja e këtij vendi tëveçantë për këtë samit të rëndësishëm. Presidenti Joe Biden propozoi që samiti me Presidentin rus Vladimir Putin të zhvillohet në një vend të tretë, në mënyrë që të palët dy mos kenë kushtëzime dhe të mund të diskutojnë një “gamë të plotë çështjesh”. Gjeneva, ky qytet i pasur, shumë i qetë, në brigjet e Liqenit të Gjenevës,ofron pamje mahnitëse të majës “Mont-Blanc, majës më të lartë në Evropën Perëndimore,përben më së miri një sfond intrigues për samitin. Gjeneva është qendër e rëndësishme e institucioneve dhe organizata ndërkombëtare shumëpalëshe dhe zemra e asnjanësisë së Zvicrës. Ky qytet u bë udhëkryqi kryesor i diplomacisë dhe intrigave në vitet e pasluftës përgjatë Luftës së Ftohtë dhe kryqëzimi ku diplomacia e bllokut Lindor të mbizotëruar nga Sovjetikët takohej lirshëm me Perëndimin kapitalist të stilit Amerikan. Gjeneva bëri sidomos histori kur më 19-20 nëntor të vitit 1985, Presidenti amerikan RonaldReagan u takua për herë të parë me Presidentin sovjetik Mikhail Gorbachev, një samit i konsideruar shumë i rëndësishëm për thyerjen e akullit midis Lindjes dhe Perëndimit dhe nxitjen e marrëdhënieve më miqësore midis dy udhëheqësve përgjatë mandatit të tyre presidencial.  Së fundmi kjo gjetje e administratës Biden kërkon jo vetëm të ringjallë reputacionin e qytetit si një qendër për diplomacinë ndërkombëtare, duke u distancuar nga administrata Trump, e cila kryesisht shmangu institucionet e saj globaliste si Organizata Botërore e Tregtisë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, organizata në të cilat administrata Biden është ri-angazhuar me seriozitet.

Rëndësia e Samitit:

Duke pasur parasysh tensionet e fundit, qëndrimet shumë të larguara të palëve dhe klimën e përgjithshme dypalëshe dyshuese ka pak besim se samiti mund të arrijë rezultate mahnitëse. Por përpjekja për rivendosjen e dialogut dhe komunikimit me qëllim arritjen e “parashikueshmërisë dhe stabilitetit” në marrëdhëniet me Rusinëështë një objektiv ambicioz dhe i guximshëm i administratës Biden. Edhe në se nuk do të arrihet një përparim i dukshëm nëdakortësimin mbi çështjet e nxehta që do të mund të diskutohet, të dy palët do ta kenë të ligjshëm pretendimin se kanë bërë përpjekje me mirëbesim për të përmirësuar marrëdhëniet mes tyre e për pasojë krijimin e një klime ndryshe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ky takim do të japë një mesazh të rëndësishëm në situatën e përgjithshme konfliktuale, do të kontribuojë në uljen e tensioneve nëpërmjet vendosjes së linjave të hapura të komunikimit mes Washingtonit dhe Moskës për çështje të rëndësishme të sigurisë botërore me interes për Rusinë dhe ShBA-në, veçanërisht në debatin mbi kontrollin e armëve bërthamore.  Megjithatë, të gjitha bien dakord për një fakt: Befasues apo i shumëpritur, ky samit do të jetë ngjarja diplomatike më e ndjekur në nivel global.