Aleatët e PD-së apel Bashës: Kërko ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshe ne largohemi nga koalicioni

748
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Do reflektojmë marrëdhëniet me PD-së, nëse nuk ndryshohet sistemi zgjedhor

Forumi në gazetën “Telegraf”: Flasin aleatët e PD-së: Dashamir Shehi, Nard Ndoka, Agron Duka

Shtohen reagimet politike të aleatëve të PD-së, ndaj zërave se në reformën e re zgjedhore nuk do të ndryshohet sistemi zgjedhor, pasi edhe PD ka gjetur konsensusin me PS-së për këtë problem. Para 2 ditësh, bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore deputeti i PD-së kundërshtoi marrëveshjen e PD-së me PS-së për këtë çështje, por nuk pohoi ose iu shmang të përgjigjej, nëse PD-ja është për të ndryshuar sistemi zgjedhor. Madje, deri tani, asnjëherë PD-ja nuk ka pranuar që ka vullnet dhe do të këmbëngulë për të ndryshuar sistemin zgjedhor. Pa votat e PD-së, as PS-ja nuk mund të miratojë dot reformën zgjedhore. Kështu, që, nëse votohet reforma e re zgjedhore, pa u ndryshuar Sistemi Zgjedhor, atëherë kjo do të thotë, që PD dhe PS paraprakisht e kanë bërë pazarin më përpara. Prandaj, edhe aleatët e PD-së reagojnë, sepse shikojnë që deri tani PD-ja nuk po bën asgjë, sipas premtimeve që u ka dhënë.

Dashamir Shehi: Basha na ka premtuar, por deri tani nuk shohim të bëjë asgjë.

Deputeti Dashamir Shehi, një ndër aleatët më të ngushtë të PD-së, në një prononcim për gazetën “Telegraf” shprehet, se kryetari i PD-së u ka premtuar se PD-ja do të këmbëngulë për të ndryshuar sistemin zgjedhor, Shehi: Deri tani nga PD-ja në Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore nuk kam parë asnjë veprim konkret nga PD-ja për këtë çështje. Deri tani ky komision parlamentar nuk ka bërë asgjë për reformën e re zgjedhore. Mbase e zvarritin çështjen, që në fund, të justifikohen me ngutjen kohore dhe të mos bëjnë asgjë. Gjithashtu, Dashamir Shehi, kryetari i LZHK-së, vazhdon prononcimin për gazetën “Telegraf” duke thënë se, nëse përfaqësuesit politikë, që janë bashkëkryetarë në Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore janë shprehur për të mbajtur këtë sistem zgjedhor, atëherë ky është edhe mendimi i Kryeministrit dhe kreut të opozitës. “Nëse përfaqësuesit politikë të partive janë shprehur për të mbajtur këtë sistem, praktikisht këtë gjë e do Edi Rama dhe Lulzim Basha, se ata janë shërbëtorë në ato takime. Ne, nëse do të jetë ky qëndrim nga dy partitë e mëdha, do të shohim dhe do të përdorim mjetet tona për të luftuar dhe për ta ndryshuar këtë gjë. Por, fillimisht jemi në pritje të asaj që kemi diskutuar me kreun e Partisë Demokratike”, – thotë deputeti Shehi.

Deputeti Nard Ndoka: Do shkëputemi nga PD-ja, nëse nuk mban fjalën për sistemin zgjedhor

Nard Ndoka, në një prononcim për gazetën “Telegraf” thotë se PDK edhe mund të shkojë në zgjedhjet e ardhshme pa u bërë aleat me PD, nëse Kryetari Basha nuk këmbëngul që të ndryshohet sistemi zgjedhor.

Ndoka: Ky sistem zgjedhor që kemi aktualisht e ka bërë humbës PD-në dhe favorizon vetëm PS-në, duke na penalizuar partitë e tjera. Prandaj kryetari i PD-së duhet të bëjë çmos që të ndryshohet sistemi zgjedhor. Nëse nuk e bën, ne do të shikojmë mundësi të tjera, që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të marrim pjesë në formacione të reja zgjedhore.

Agron Duka, PAA: Sistemi aktual zgjedhor penalizon partitë e vogla

Edhe kreu i PAA-së, Agron Duka, pohon për gazetën “Telegraf” se aleatët e opozitës kanë marrë një premtim që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të kenë një sistem të ri zgjedhor. “Ne kemi marrë premtime nga Basha që do të ketë ndryshim të sistemit zgjedhor, por pa specifikuar për sistemin që ne do të kërkojmë. Ne kemi dhënë propozimet tona, pasi sistemi aktual dëmton jashtëzakonisht partitë e vogla”, – sqaron Duka.