Prof. Dr. Zamira Çavo: Kujt mendojmë se po ia hedhim?

571
Sigal

Gati 100 vite më parë Gjergj Fishta teksa studionte shqiptarët, mes të tjerave thoshte:”Mburremi se ia shesim kokrrën e petllës 3 grosh…” Sikur të jetonte sot do habitej: 100 vjet nuk mjaftuan për të ndryshuar?!!

Kujt mendojmë se po ja hedhim?

– Kërkojmë turizëm dhe përpiqemi të parit, që na vjen si klient t’ia hedhim me çmimet, pastaj me shërbimin. Këtë verë kam shëtitur shumë në Shqipëri. Nuk them se nuk ka progres, por shërbimi është gati primitiv,” Bio” si 100 vite më parë: kush të ta hedhë! Të sjellin pjata të ciflosura, peshk me luspa të pa pastruar, sallatë ku gjen gjurmë balte… dhe çmimet si në Shqipëri. Po kujt mendojmë se ia hedhim? Vetvetes. Pasi vitin tjetër ata, që kanë shkelur në këto lokale, me siguri nuk vijnë më. Mendimi se “më mirë një vezë sot se një pulë mot” është mentaliteti i njerëzve të varfër në mendim, të varfër në shpresa, dembelë dhe të pasigurt! Shkon në lokal luksoz, ku çdo gjë duket perfekt dhe të vjen shishja e ujit plastike me tapa, që nuk hapen dot! Nuk kemi EDUKATËN e punës. NUK kemi Përgjegjësinë për punën! Dhe, mbi të gjitha, vazhdojmë të mburremi, se “ia hodhëm”!

– Shkon në spital dhe nuk po flas për shërbimin në spitalet publike. Por në spitalet private, ku “bukuria e hijeshia” e mjedisit të befason. Ashtu si të befasojnë edhe çmimet. Por shërbimi është njësoj, si në ambulancat e lagjeve, ku të duhet të presësh me orë të tëra, se “mjeku ka urgjencë”, teksa ky i fundi është në kafe, duke bërë thashethemet e radhës për politikën ose për kolegët. Mentaliteti si dikur: Bëjmë sikur punojmë! Dhe kujt ia hedhim? Vetvetes! Nuk kemi Edukatën e punës!
– Por nuk kemi as Edukatën elementare! Shikoni togjet e plehrave pranë lokaleve, në plazhe, në rrugë…. Plehra, që hidhen ku të munden, shishe plastike, që fluturojnë rrugëve nacionale nga makina “luksoze”. Kujt mendojmë se po i a hedhim? Vetvetes!

E di që shumica do thonë se shteti e ka fajin! Po ka faj, se ka degraduar arsimin dhe edukimin. Se gjithçka është formatuar për t’i lënë njerëzit “Të lirë” në injorancën e tyre. Dhe e dini? Nuk ka gjë më shkatërruese për një vend, kur i jep “lirinë” njerëzve injorantë! Ata shkatërrojnë vetveten duke mos e kuptuar këtë e duke i lejuar politikës të bëjë “qejf” me fatet e tyre!
Ktheni sytë nga vetvetja njerëz!