Akademik Rexhep Qosja: Vizita e Ramës i shërben besueshmërisë rajonale, paqes dhe fqinjësisë së mirë

438
Sigal

Mirënjohje për heronjtë e lirisë dhe pavarësisë  së kombit. Vizita e Ramës, historike dhe me rëndësi kombëtare

Festat e  28-29 Nëntorit kanë kohë që kanë ndezur atmosferën festive dhe përkujtimore jo vetëm në kryeqytet, por në të gjithë vendin. Megjithatë, sytë e të gjithë shqiptarëve dhe bashkatdhetarëve kudo në botë janë në Tiranë, e cila mbetet padyshim një qendër e veçantë, ku aktivitetet kulturore, historike dhe kombëtare, gjejnë mbështetjen e qindra personaliteteve, figurave të historisë, artit, politikës dhe  mbarë qytetarëve. 28 Nëntor, festa e Pavarësisë më shënon 102- vjetorin e saj, ndërsa festa e Çlirimit, këtë vit, e ka jubile dhe përkujton 70-vjetorin e fitores mbi nazi-fashizmin. Për të festuar këto ngjarje të rëndësishme, panairin e librit si dhe përvjetorin e krijimit të Shoqatës “Labëria”, në Kryeqytet mbërrin sot Profesor Rexhep Qosja, një nga intelektualët më popullorë të kombit shqiptar. Gjatë një bisede telefonike me Prof. Qosjen ai foli për “Telegraf” për vizitën e tij sot në Shqipëri.

Prof. Qosja, Ju sot udhëtoni drejt Tiranës. Kush është  qëllimi i kësaj vizite?

Unë do të jem disa ditë në  Shqipëri dhe sot pasdite do jem i ftuar në Muzeun Historik Kombëtar, ku Instituti i Librit dhe Promocionit “Toena” do të  çelë në orën 18:00, ekspozitën “Vlora në telajo” me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit të Atdheut. Ndërsa, një ditë më vonë do të jem i pranishëm në hapjen e Panairit të Librit.

Profesor, Ju  jeni edhe Kryetar Nderi i shoqatës “Labëria”. A do keni takime me ta?

Është e vërtetë dhe se unë, ditën e mërkurë më  12 nëntor,  ora 11:00 do të jem i ftuar në sesionin shkencor “Labëria në 70-vjetorin e Çlirimit të Atdheut nga pushtuesit nazi-fashist” .

Profesor, çfarë do të thotë për Ju 70-vjetori i Çlirimit?

Një ditë e madhe që meriton vëmendjen maksimale  pasi lidhet më një datë të rëndësishme sikurse është ajo  çlirimit prej fashizmit dhe nazizmit. Mendoj, se të gjithë shqiptarët duhet të jenë krenarë për këtë ditë, e cila na bashkojë me krahun fitues të luftës. Kjo lufte tregoi se, kombi ynë nuk e ka kursyer kurrë gjakun e bijve dhe bijave të tij për lirinë dhe Pavarësinë e vendit.

Profesor, ka pasur shumë debate dhe diskutime për luftën, rishikimin e disa situatave të veçanta që lidhen me luftën dhe figurat që e drejtuan atë ….

Është koha që pas 70 vitesh të gjendet një gjuhë e përbashkët. Kjo gjuhë nuk do jetë thjeshtë nga disa njerëz apo grupime që flasin lartë e poshtë. Me këtë gjuhë duhet të flasin  intelektualët e vërtetë dhe duhet që kjo çështje të jetë objekt i një mendimi shkencor. Më duhet të them se Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare e popullit shqiptar është një nga epopetë më të lavdishme të saj. Dhe bashkë me këtë luftë duhen respektuar edhe ata që drejtuan dhe udhëhoqën këtë luftë. Enver Hoxha mbetet komandanti i kësaj lufte dhe kjo nuk ka asnjë dyshim. Por unë përsëri në kuadrin e paqësimit dhe vlerësimit me qetësi të historisë do të kërkoja që politika dhe politikanët duhet të zhvishen nga ngarkesat politike për këtë ngjarje të rëndësishme për kombin dhe t’ja lënë historianëve dhe e theksoj, mendimit shkencor.

Profesor, Ju sot erdhët në Tiranë, ndërkohë që, Kryeministri Edi Rama ndodhet në Beograd. Jeni pro apo kundër kësaj vizite?

Më duhet t’ju them se vizita e Edi Ramës në Beograd,  bëhet afërsisht pas 67 vitesh nga vizita e Kryeministrit të Kohës, Enver Hoxha, e cila ishte edhe e fundit në marrëdhëniet mes dy popujve që jetojmë shumë pranë njëri-tjetrit. Ndaj, vizitën e Ramës e konsideroj si tepër të rëndësishme dhe më të rëndësishmen e nivelit të lartë Serbi-Shqipëri. Kjo vizitë ka mbështetjen e gjithanshme të SHBA-ve dhe BE-së dhe tregon se Shqipëria, jo rastësisht është në NATO dhe e meriton që të jetë pjesë e Bashkimit Europian.

Disa  kritikë  kanë qenë kundër vizitës së  Kryeministrit Rama në Beograd. Kam parasysh opozitën, situatën e krijuar pas ndeshjes së Kombëtares etj…

Më duhet të ritheksoj, edhe një herë se kjo vizitë  i shërben  besueshmërisë rajonale, paqes dhe fqinjësisë së mirë. Kjo i tregon të gjithë shqiptarëve kudo në botë, faktorit evropian dhe atij botëror se roli i Shqipërisë  në  Ballkan është i qartë dhe i prerë: Stabilitet dhe vetëm stabilitet!

Engjëll MUSAI