Akademik Artan Fuga: Reforma e Arsimit të Lartë shqiptar nis me abrogimin e ligjit ekzistues krejtësisht absurd

537
Sigal

Reforma e arsimit të lartë shqiptar nis me abrogimin e ligjit ekzistues krejtësisht absurd dhe i mbrapshtë, dhe mund të kryhet vetëm si kontribut i të gjithë faktorëve shoqërorë, studentëve që i thanë, ndal! abuzimit me ta, me qeverinë, me partitë parlamentare, me shoqërinë, si edhe me pedagogët e përfaqësuesit e universiteteve.

Jo si monolog (llogje me veten tënde)

Jo si dialog (llogje dyshe)

Por si plurilog, kontribut i të gjithë aktorëve të rëndësishëm shoqërorë.

Çdo vendimmarrje pa pëlqimin e trupave akademike do të sillte pasoja katastrofike, po aq sa edhe zbatimi i elektoralizmit politik populist në organizim e universiteteve shqiptare. Urra-të që vijnë nga aktorët universitarë në përkrahje të studentëve nuk mjaftojnë, pasi përgjithësisht ata kanë heshtur për të gjitha prapësitë e kuadrit ligjor dhe të metat e botës universitare! Trupat pedagogjike, të njohin përgjegjësitë e tyre dhe jo të hiqen dorëjashtë kësaj që po ndodh duke luajtur të pafajshmin.

Politika të mos kërkojë t’i bëjë universitetet si partitë politike! Duhet një konsensus i madh mbarëkombëtar për një strategji universitare për shekullin e 21-të. Përgjegjësia është e të gjithëve! Studentët na kanë vendosur me shpatulla për muri me shumë të drejtë!

Përndryshe do të mbetemi kombi më budalla në Evropë!

Madje kam frikë se jemi tashmë!

 

Shkarkoni drejtorët dhe bordet e agjencive që ka mbarsur ligji për Arsimin e Lartë!

Zoti Kryeministër!

Shkarkoni drejtorët dhe bordet e agjencive që ka mbarsur ligji për arsimin e lartë! Kështu niset mirëbesimi jo për monolog (llogje me vetveten).

Jo për dialog (llogje mes dy palësh). Por për konsensus (gjetje e rrugëve për të cilët gradualisht janë dakord të gjitha palët dhe aktorët e vendimmarrjes për arsimin e lartë)

Shtatë xhuxhmaxhuxhët e mbytën Borëbardhën!

Kurrë arsimi i lartë shqiptar nuk do të ngrejë kokë kur universitetet i survejojnë, kontrollojnë, torturojnë, duke u bërë palë me korrupsionin, mediokritetin, banalitetin, mbi kurrizin e studentëve agjencitë që parashikon ligji i sotëm idiot i arsimit të lartë!

– Këshilli i Arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor (KALKSH)

Ngjan si kaksh!

– Qendra e shërbimeve Arsimore (QSHA)

HAHAHA qqqshsh …aaaa

– Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë (AKFAL)

Hahahaha Kak Fal Më fal!

– Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSH)

AHAHAH AA Kkkkkkshshsh

– Agjencia e Sigurimit të Cilësisë ASCAL

Hahahaha ASCAL Askal Asgomar!

– Bordi i AkrediTimit

Bordi i diskreditimit thuaj!

Shkarkojini me shkelma në prapanicë z. Kryeministër drejtorët e tyre, kryetarët e bordeve të tyre, shpërndajini, sepse për vite me radhë kanë ngrënë lekët e studentëve, të buxhetit dhe nuk kanë bërë asnjë punë, kanë gënjyer, mashtruar publikun, kanë qenë prepotentë dhe janë hequr si feudalë kinezë të perandorisë Han! Këta burokratë të veckël që hiqen si Zeus! Me këta mbi krye ne jemi si neurotikët që i torturon mbi-uni autoritar shtrirë nën një divan psikanalisti!

O sot, o kurrë!

Kanë certifikuar mediokritetin, kanë torturuar dhe burokratizuar trupat e shëndosha të pedagogëve, nuk kanë përpunuar strategji dhe kanë luajtur e-ka-kush-e-ka me publikun, prindërit, studentët! Falënderojini, pastaj lehtësisht dhe butësisht jepuni një shkelm në prapanicë, simbolikisht, të ikin dhe të dalin në auditorë para studentëve dhe do të shihni se do t’i marrin me huahua, sepse nuk janë në gjendje të përballojnë auditorët! Edhe ligjin e kanë bërë duke menduar për postet që do të zinin më pas! Trafiku i influencave, korrupsioni psikologjik dh,e jo vetëm, konflikti i interesit në këto agjenci të kalbura, gënjeshtra dhe hipokrizia profesionale është e padurueshme!

Ata kanë marrë jetë studentësh! I kanë duart me jetët e tyre! Na e hiqni këtë sënduk nga qafa dhe le të krijojmë mekanizma që masin, nxisin dhe krijojnë cilësinë e vërtetë, sepse përndryshe nuk do të dëgjojnë studentët në auditorë veçse folklor, historirat e një shkence të harruar dhe budallallëqe ideologjike! Ata po marrin në humnerë universitetet, kombin, studentët dhe heshtin e heshtin në këto kohë të vrullshme sepse mjafton një audit t’u shkojë i nxjerr lakuriq përpara gjyqit të historisë!