Akademik Artan Fuga: Një ditë zie kombëtare për vrasjen e Klodianit

172
Sigal

Unë dua të shprehem profesionalisht për këtë protestë. Unë them se asnjëherë nuk ka vetëm një shkak. Edhe nëse ka shtysë politike, nëse qytetaria vendos të mos e ndjekë politikën, nuk e ndjek atë. Prsh, politika thërret qytetarët e pjesëmarrja nuk është as 50 për qind. Nëse qytetari nuk i përgjigjet politikës, atëherë njeriu nuk vjen në demonstratë. Secili ka legjitimitetin për t’u shprehur. Opozitës politike i intereson të përkrahë protestën, aq më tepër që kauza është vrasja e të riut nga polici. Opozita do donte që ta kishte lëvizje si tharmë për mobilizim të forcave opozitare, si dhe të diskretitimit të mazhorancës. Nga ana tjetër, mendoj se, qeveria do të lëshojë sa më pak. Përfundimi është që varet sa qytetarë dalin në protestë. Opozita normal që përfiton. Shumë thonë se në një tjetër protestë 3 persona janë vrarë, por ky është diskutim kot. Nuk diskutohet si ka qenë gjendja në të kaluarën, por ne si qytetarë na intereson e tashmja. Ligjërimi i tillë është ofendues për qytetarin. Nuk ka njeri pro dhunës, por kur dhuna është atje, duhet parë çështja. Çdo akt dhune është një gjuhë. Kur të rinjtë nuk artikulojnë pakënaqësinë, nuk kanë zë në institucione, kur nuk kanë punë, kur kanë shumë kritika e dëgjohen shumë pak, atëherë lind edhe kjo gjuhë. Rinia është përpjekje për të thënë ‘jemi edhe ne’. Kësaj rinie i duhet përgjigjur me dhënien e shanseve të barabarta, me politika për rininë krejt të tjera me këta që janë. Problemi të mos politizohet. Jemi komb që ka pësuar frakturë brezash. Të rinjtë nuk e gjejnë veten në institucione dhe struken në rrjetet sociale. Kam vërejtje edhe për mazhorancën, por kam edhe kritikë për opozitën, që duhet që të thotë reformat më konkretisht. Nuk mund të mbyllet çështja, duke thënë se ka shkuar tek familja. Nuk mund të mbyllet çështja publike me gjëra private. Po të isha unë, do të shpallje një ditë zie kombëtare. Policia e Shtetit mbron jetën e qytetarëve, por duhet që të shohë brenda vetes, për t’u reformuar.