Ahmetaj në inaugurimin e qendrës shumë-funksionale në Elbasan, “Ndihma ekonomike, periudhë tranzitore

659
Rruga e duhur drejt një të ardhme të sigurt në tregun e punës
Ahmetaj në inaugurimin e qendrës shumë-funksionale në Elbasan, “Ndihma ekonomike, periudhë tranzitore. Qëllimi është integrimi në tregun e punës”
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, mori pjesë sot në inaugurimin e hapjes se qendrës shumë-funksionale “Salih Çela” në qytetin e Elbasanit, e rikonstruktuar falë një investimi në vlerën mbi 130 milionë lekë nga buxheti i shtetit, përfshirë pajisjen e laboratorëve të informatikës, elektronikës, mekanikës dhe terrenet sportive.
Qendra shumë-funksionale është një ofrues i arsimit dhe formimit profesional, në nivelin e mesëm dhe pas të mesmes, si dhe formim profesional për të rinjtë e të rriturit. Kjo qendër do të ofrojë kualifikime e trajnime profesionale me kohë të plotë dhe të pjesshme, që synojnë grupmosha të ndryshme, të rinjtë, të rriturit dhe personat me aftësi të kufizuara apo nevoja të veçanta, në përputhje me nevojat e tregut të punës.
Në fjalën e tij drejtuar nxënësve dhe mësuesve të shkollës, Ministri Ahmetaj tha se arsimi professional është rruga e duhur drejt një të ardhme në të sigurt në tregun e punës, dhe se shumë të rinj tashmë janë ndërgjegjësuar për orientimin drejt arsimit professional, sikurse tregojnë dhe shifrat në rritje, nga 3 mijë nxënës para pak vitesh, në 20 mijë aktualisht, falë edhe reformimit të sistemit.
“Qendrat multifunksionale janë një risi e reformimit të gjithë arsimit profesional. Ka shumë shkolla profesionale në Shqipëri. Ne kemi vendosur që t’i bashkojmë në qarqe dhe të bëjmë atë që po bëjmë këtu sot në Elbasan. Pra qendrat multifunksionale, në funksion të një strategjie më të mirë në shërbim të brezit të ri, për t’i aftësuar në përputhje me nevojat që ka tregu i punës, dhe që ne të kemi mundësi të menaxhojmë kërkesën e sipërmarrjes dhe ofertën. Pra, gjithë atë dëshirën që ju keni për t’u pajisur me aftësi teknike, profesionale për të ardhmen tuaj, ta menaxhojmë më mirë në funksion të punësueshmërisë tuaj menjëherë sapo të dilni nga bankat e shkollës” – tha Ministri.
Ahmetaj shpjegoi para nxënësve e mësuesve të shkollës, rëndësinë e promovimit dhe zhvillimit të mëtejshëm të arsimit profesional, edhe në optikën e debateve më të fundit lidhur me përfituesit e ndihmës ekonomike dhe strategjinë e qeverisë për integrimin e tyre në tregun e punës.
“Unë dua të ndaj me ju një element shumë të rëndësishëm të logjikës që ne kemi për arsimin profesional. Po ta keni dëgjuar kohët e fundit, ne kemi një debat që është kthyer në një debat politik i drejtuar, unë mendoj në drejtimin jo të duhur, përsa i përket ndihmës ekonomike. Një pjesë e politikës e trajton ndihmën ekonomike sikur është qëllim në vetvete. Kryeministri dhe të gjithë ne, e trajtojmë ndihmën ekonomike si një periudhë tranzitore të një familje, një moment i vështirë, ku shteti me ato mundësi që ka, ku qeveria me ato mundësi që ka, subvencionon. Nuk është mjaft kurrë sigurisht, por mbi të gjitha, nuk është qëllim në vetvete.
Qëllimi i një qeverie është ta luftojë varfërinë jo duke u shtirur, e duke shkuar tek ai njeri, tek ajo familja, tek ai qytetari në nevojë, e duke u shtirur sikur po i qan hallin, por duke bërë reforma të thella ekonomike në favor të rritjes ekonomike. Vetëm rritja ekonomike e zbut varfërinë” – tha Ahmetaj, i cili përsëriti thirrjen për përfituesit e ndihmës ekonomike që të drejtohen në qendrat e formimit profesional, duke përfituar edhe gjysmën e pagesës së papunësisë.
“Tashmë qeveria po nxjerr një vendim ku të gjithë ata që kanë dalë nga ndihma ekonomike, që janë në moshë pune, kanë mundësi të shkojnë të trajnohen në qendrat e formimit profesional, në një qendër multifunksionale si kjo. Të marrin një certifikatë për punën e tyre, e ndërkohë që janë duke mësuar këtu, qeveria, buxheti i shtetit, do t’i paguajë 55 mijë lekë të vjetra në muaj, pra gjysmën e pagesës së papunësisë vetëm që të trajnohen.
Qëllimi është që ata të bëhen gjithmonë më të punësueshëm. Ndihma ekonomike duhet të jetë një situatë e përkohshme, që në finale duhet të shfrytëzohet ashtu siç duam ta shfrytëzojmë ne, për të trajnuar fëmijët e atyre familjeve, apo anëtarë të atyre familjeve në ndihmë ekonomike, që të bëhen më të punësueshëm” – tha Ministri.
Sigal