Agron Duka, kryetari i PAA/ “Jo”-ja e BE-së na detyron të bëhen ndryshime kushtetuese, qeveri tranzitore dhe zgjedhje të lira

669
Sigal

Agron Duka, kryetar i PAA

Tek ne pushteti është marrë me vota jo legjitime, dhe mungesa e legjitimitetit e bën të veprojë në mënyrë jo demokratike. Më afër sulltanateve sesa formave të qeverisjes perëndimore.

 “Jo”-ja e BE na detyron ndryshime kushtetuese, qeveri tranzitore, zgjedhje të lira

Jakup B. GJOÇA

 Agron Duka, kryetar i PAA në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se kryeministri Rama nuk ka kontratë me shqiptarët dhe se pushtetin e ka marrë me vota jo legjitime, prandaj nuk jep dorëheqjen, pas “JO” – së së BE-së ndaj Shqipërisë, sikurse veproi kryeministri Zaev. Zoti Duka sqaron se lufta opozitare nuk janë vetëm protestat, por edhe bashkëpunimi i ngushtë me ndërkombëtarët. Zoti Duka thotë se reforma zgjedhor zvarritet qëllimisht nga mazhoranca, ndërsa kjo reformë duhet të garantojë që zgjedhjet të jenë të gjithëpranuara.

– Zoti Duka, Opozita në Maqedoninë e Veriut kërkoi dorëheqjen e Kryeministrit Zaev për “JO-në” e BE. Ndërkohë që Kryetari i Opozitës shqiptare nuk ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama. Ju si e shpjegoni?

Nuk ka ndonjë gjë të madhe për të shpjeguar, sepse ne kemi dy vjet që kërkojmë largimin e Ramës dhe kërkesa jonë nuk ka ndryshuar as pas dështimi i radhës së mazhorancës. Sikurse e kam shpjeguar edhe më parë, ndryshe nga Maqedonia e Veriut, ku kryeministri dha dorëheqjen, sepse ka një kontratë me qytetarët e atij vendi, tek ne pushteti është marrë me vota jo legjitime, dhe mungesa e legjitimitetit e bën të veprojë në mënyrë jo demokratike. Më afër sulltanateve sesa formave të qeverisjes perëndimore. Megjithatë opozita e bashkuar nuk ka ndryshuar qëndrim, por përballë një pushteti që nuk njeh logjikën demokratike, përdor një strategji dhe një taktik më të gjerë sesa keni parë në vitet e shkuara.

– Përse Opozita pas “Jo-së” së BE për Shqipërinë nuk ftoi shqiptarët të protestojnë kundër Shkakut të Dështimit që është Qeveria?

– Protestat janë një mjet i politikës për të dhënë një mesazh, për të komunikuar nëpërmjet sheshit dhe qytetarëve një mesazh qeverisë. Në vendet normale do të mjaftonin 10 protestat kombëtare, apo qindrat e përditshme që ndodhin, si ato të fermerëve, artistëve dhe banorëve të Astirit, për të prodhuar reflektimin e mazhorancës. Për arsyet që parashtrova më sipër, kjo nuk ndodhë. Prandaj dhe strategjia jonë nuk fokusohet vetëm te protestat. Një aspekt i rëndësishëm në këtë moment është edhe bashkëpunimi me komunitetin ndërkombëtarë, i cili luan një rol të rëndësishëm dhe po ndërgjegjësohet për pengimin e reformave në dëm të interesave të Shqipërisë.

– Mos vallë akoma Opozita nuk është alternativë qeverisëse?

– Sigurisht qe jemi një alternativë, dhe të jeni të bindur se është shumë e kollajshme të jesh një alternativë ndaj një qeverie që jep vetëm 4 milionë euro mbështetje për 350 familje fermerë në një vit, që përdor 20 milionë euro për 1 kilometër rrugë apo ka dështuar reformat në arsim, drejtësi, por problemi nuk është vetëm largimi i Ramës, por zgjidhja përfundimtare e krizave që po riciklojmë prej të paktën një dekade. Që të tejkalojmë këtë moment të vështirë, duhen ndryshime kushtetuese të cilat mund të realizohen me një qeveri tranzitore dhe të marrin legjitimitet nga vota e lirë dhe e ndershme e qytetarëve. Kjo është një rrugë më e vështirë, që do më shumë kohë dhe sakrifica, por është rruga që do të na nxjerrë në krye, jo për interesin tonë, por të gjithë qytetarëve.

 

Që të tejkalojmë këtë moment të vështirë, duhen ndryshime kushtetuese të cilat mund të realizohen me një qeveri tranzitore dhe të marrin legjitimitet nga vota e lirë dhe e ndershme e qytetarëve

 

Aleati i Opozitës, Nard Ndoka menjëherë pas “Jo-së” së BE u shpreh se Shqipëria është në udhëkryq, qeveria në panik, por edhe Opozita e përgjumur. Ju pajtoheni me qëndrimin e Ndokës që Opozita është e përgjumur?

– Në një front kaq të gjerë opozitar, është normale që gjithsecili të ketë këndvështrimin e tij, megjithatë kam përshtypjen se z. Ndoka, për sa i përket pjesës së opozitës i referohet përqendrimit të qëllimshëm të opozitës te interesat integruese të Shqipërisë, të cilat sugjeronin një ulje tonesh. Personalisht nuk mendoj se opozita është e përgjumur, përkundrazi, 9 kushtet e imponuara me votë nga Bundestagu, parlamenti i një fuqie të madhe botërore, pasqyrojnë ndërgjegjësimin që aksioni opozitar ka prodhuar jashtë vendit. Në gjykimin tim, do të jenë këto kushte që do të çojnë në zgjidhjen e krizës, kjo është një meritë e posaçme e opozitës.

Strategjia jonë nuk fokusohet vetëm te protestat. Një aspekt i rëndësishëm në këtë moment është edhe bashkëpunimi me komunitetin ndërkombëtarë, i cili luan një rol të rëndësishëm dhe po ndërgjegjësohet për pengimin e reformave në dëm të interesave të Shqipërisë

Zoti Duka, duket sikur kryetari i PD pajtohet me faktin që duhet kryer Reforma Zgjedhore që pasandaj të bëhen zgjedhje të parakohshme parlamentare. A ka marrëveshje mazhorancë – Opozitë me ndërkombëtarët për të bërë zgjedhje parlamentare kur të bëhet Reforma Zgjedhore?

– Përfundimi i Reformës Zgjedhore është një nga nëntë kushtet e Bundestagut, prandaj zbatimi i tij është çështje kohe. Ndërsa për sa i përket zgjedhjeve të parakohshme, nuk ka nevojë të ketë një marrëveshje paraprake, pasi në thelb, vetë zbatimi i kushteve të imponuara nga Bundestagu, ndëshkimi i krimit zgjedhor dhe gjykimi mbi legjitimitetin e 30 qershorit, çojnë vendin në zgjedhje të përgjithshme dhe vendore. Fakti që Reforma në drejtësi po vonohet me qëllim nga ana e mazhoracës, ne si opozitë nuk kemi asnjë mënyrë për ta penguar, është provë se janë të vetëdijshëm se me ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, me përfundimin e SPAK-ut, mbaron koha e tyre politike.

– Kryetari i PD nuk ka pohuar që do ndryshimin e Kodit ZGJEDHOR, edhe pse ky kod penalizon Opozitën. Sipas jush, pse Basha nuk flet për ndryshimin e Sistemit Zgjedhor?

– Basha ka folur shpesh herë për ndryshimin e sistemit zgjedhor, madje ka shprehur preferencën e tij për një sistem mazhoritar me dy dhoma, pra me një senat që kontrollon aktivitetin e parlamentit. Çështja e sistemit është e rëndësishme sepse është maturuar në shoqërinë shqiptare mendimi se sistemi aktuali nuk ka qenë pozitiv për vendin; dhe ky është një debat që duhet të bëhet pavarësisht faktit se Rama, i cili ka thënë se nuk do ndryshim sistemi, apo Basha kanë apo jo vullnet për të ndryshuar. Megjithatë, është e rëndësishme që reforma zgjedhore të jetë gjithëpërfshirëse dhe sidomos të prodhojë kushtet që zgjedhjet e ardhshme të jenë pa asnjë kontestim, pra të jenë të lira dhe të ndershme.

 

Nëse nuk bëhen ndryshime të Kodit ZGJEDHOR ju aleatët e PD do të vazhdoni të jeni nën ombrellën e PD?

– Dëgjoni, nuk është e rëndësishme çfarë duam ne si aleatë të Partisë Demokratike, sepse për shembull nëse do të ishte çështje interesi personal unë vendin në parlament e fitoj me çdo sistem zgjedhor, ajo që është e rëndësishme është çfarë do shoqëria shqiptare. Nëse ka ardhur koha për një sistem tjetër, do të ishte në nderin e opozitës që të luftojë për realizimin e tij në të mirë të interesit të përgjithshëm. Sigurisht kjo nuk varet vetëm nga Basha, unë apo opozita e bashkuar, por edhe nga kundërshtari politik. Prandaj, përpara se të deklarojmë nën cilën ombrellë jemi, është mirë që të punojmë për të gjetur një konsensus politik për këtë çështje.