Agron Duka: Edi Rama abuzon me pushtetin, ka shkrirë PS me shtetin

589
Agron Duka, ish- ministër i Nanos dhe shumë vite deputet i PS, u largua nga PS, pikërisht në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, për shkak të qëndrimit totalitar të kryetarit të PS, Edi Rama edhe pse zoti Duka ishte projektuesi i programit politik të PS për bujqësinë, në intervistën për gazetën “Telegraf”, pohon se kandidatura e Blushit është një fenomen demokratik në PS, e cila edhe pse duket e humbur ne numra, tani për tani është e fituar në përmbajtje, pasi Edi Rama, si kryeministër, por edhe si kryetar i PS abuzon me pushtetin, ka shkrirë PS me shtetin dhe antiramët në PS, do të rrëzojnë liderët si Rama. Zoti Duka, duke kritikuar koncesionet e qeverisë së “Rilindjes” thotë se “firmat fituese janë disi te çuditshme”. O janë periferik nga bota e biznesit, por kanë njohje me pushtetin ose janë biznese politike te partisë”. Zoti Duka shprehet se duhet të zhbëhet sistemi elektoral aktual, që populli të votojë me lista të hapura deputetët, për të mos lejuar të bëhen deputetë persona të inkriminuar, nëpërmjet listave të mbyllura të kryetarit të partisë. 

– Zoti Duka, çfarë do të thotë për PS kandidatura e Ben Blushit apo fenomeni “Blushi” në Partinë Socialiste?
– Gara është element ndërtues i demokracisë dhe rregullat e saj janë themeli i domosdoshëm për t’u respektuar. Pavarësisht konfirmimeve elektorale të partisë, kushtetuta e partisë obligon secilin të jetë variabël i këtij ligji politik. Blushi, si fenomen është edhe më domethënës se Blushi individ. Duket se ka një front në bllok kundër nisjes së tij, duke lançuar edhe ata mbështetës, që mendoj se nuk janë të pakët. Presioni i bërë ndaj përkrahësve të Blushit, përveç se është një fenomen shumë negative në një parti demokratike, dëshmon edhe që anti Ramët, jo vetëm nuk janë pak, por në një moment tjetër, më oportun, do të shfaqen si shumicë brenda PS. Në gjendjen aktuale është cenuar demokracia e brendshme dhe janë rritur dozat e servilizmit, duke e bërë partinë më pak të shëndetshme. Në një periudhë të ngjashme Zoti Rama jo vetëm garoi për kryetar, por ishte i lirë të shpaloste idetë e tij për drejtimin e PS dhe bëri takime në të gjithë Shqipërinë me anëtarësinë e saj. Pas garës, megjithëse ai humbi ndjeshëm përballë kryetarit të PS, zotit Nano, nuk pati asnjë pasojë negative as për të, as për përkrahësit e tij, por përkundrazi, Rama u zhvillua lirshëm brenda gjirit të PS, derisa një ditë arriti të bëhet kryetar i saj. Krahasoni për një çast këto dy standarde të asaj kohe të Nanos dhe këtë aktualin të Ramës, duket qartë që janë shumë larg. Gara që tenton të bëjë Blushi sot në PS është garë e humbur sa i përket numrave, por e fituar në raport me përmbajtjen. Ndoshta kritikat për shkak të vërtetësisë që bartin dhe kur burojnë nga brenda shkaktojnë efekt shumëfish më tepër, por duhet të mësohemi edhe brenda partisë, ku bëjmë jetën politike, nëse mendojmë ndryshe të flasim. Në të kundërt, përse jemi në demokraci!

– Ju njihni shumë mirë udhëheqësit e PS, mentalitetin e tyre. Pyetja është: A është sot PS një parti demokratike, në vetveten e saj, a ka frymë debati konstruktiv, a ka udhëheqje kolegjiale?
– Përgjigjen e kësaj pyetje unë e fillova me përgjigjen ndaj pyetjes së parë, unë do thosha se ndër vite PS është bërë me autokratike. Liberalizmi i Nanos tashmë është thjesht një arkiv apo kujtesë, të cilën pakkush mund ta riaktivizojë. Debati është i pakët. Pakënaqësia dhe kritikat së shumti vijnë nga jashtë partisë, ish përfaqësues të saj, ose opinioni publik. Shembull i lënies jashtë vëmendjes nga lidershipi i PS të shumë emrave si Meidani, Malaj, Legisi, Lakrori, Ruka, Bizhga, Gashi, Bello…e shumë e shumë të tjerë, dëshmon se brenda partisë vullneti i njëshit është dominues si dhe janë argumentet provë se krehja e bishtit është më frytdhënëse për karrierën se sa mendimi kritik. Nuk dua të merrem me krahasime të emrave konkretë të kolegëve të mi, ata që përmenda më sipër janë të “rëndë“për t’u zëvendësuar, jo vetëm për kontributet në PS e në politike në përgjithësi, por edhe për kulturën dhe edukatën që ata bartin. Mund të imagjinoni dot që Meidani të godasë në nerva e sipër deputetin opozitar? Me deputetët e “emëruar“, shumicën prej tyre, megjithëse ai do t’i dëshironte të gjithë, Rama ka centralizuar pushtetin politik dhe ekzekutiv, duke krijuar varësi të pakontestueshme. 
– Kongresi i PS në mars 2016, a mund të ketë vlerë politike, nëse nuk zgjidhet me garë kryetari i PS, por zgjedh vetëm forumet e tjera të PS?
– Vlerë politike natyrisht që do ketë, sepse në fund të fundit politikë do prodhojë, por sipas mendimit tim, do t’i shkurtojë jetën në pushtet. PS është parti e madhe, por ky lloj pushteti do ta konsumojë shpejt. Zgjedhjet në kongres janë një shans për ta bërë gjithëpërfshirëse. Nëse në zgjedhjet e 2013 PS dhe aleatët morën rreth 1 milion vota, dy vite më vonë morën rreth 250 mijë më pak dhe zgjedhjet e ardhshme tendenca do të jetë në rënie. Kjo nuk është vetëm shkak reformash apo masash, siç mendohen të gjejnë justifikim krerët e PS, por sjellje dhe abuzim me pushtetin, shkrirja e partisë me shtetin një rendiment i së shkuarës. Liria ka humbur aksione në këtë parti. 
– Nëse kryetari aktual i PS drejton Partinë me frymë totalitare, a mundet që si kryeministër të jetë model në qeverisje, në respektim të raporteve kushtetuese të pushteteve dhe institucioneve kushtetuese?
– Ky është një debat që ka ardhur duke e rritur temperaturën. Rama ka përqendruar shumë pushtete në duart e tij, duke lënë mënjanë pjesën e LSI, e cila është një mini-qeveri brenda qeverisë. Ky centralizim dhe përpjekja për të shtënë në dorë dhe sistemin e drejtësisë janë shenja jo të mira. Presioni i ndërkombëtarëve ka qenë oguri i mirë për të frenuar marrjen në një dorë të të gjithë pushteteve, pavarësia e të cilave është emblema e Kushtetutës.

– Në qeverisjen e kryeministrit Edi Rama mbizotërojnë 3 P, d.m.th dhënia me koncesion edhe i atyre shërbimeve publike shtetërore, që në çdo shtet tjetër demokratik, ato janë vetëm shërbime të detyrueshme shtetërore. Ju si mendoni: Për të mirën e përgjithshme jepen me koncesion edhe shërbimet publike shtetërore?
– Vë re një teprim me koncesionet. Kjo dhe për faktin se firmat fituese janë disi te çuditshme. Ose janë periferikë nga bota e biznesit, por kanë njohje me pushtetin, ose janë biznese politike të partisë, që përdoren për të rritur financat e grupit që të përdoren po nga ata në episode sa elektorale, aq dhe pasjen në dorë të sistemit. Kjo krijon monopole dhe në shërbimet publike, tashmë nuk do të jenë në dorë të qytetarëve edhe për 25 apo 30 vite. 
– Sa legjitim është ky parlament, derisa të gjitha palët politike pranojnë që ka deputetë të inkriminuar, ligji i dekriminalizimit zvarritet dhe nuk bëhet shpërndarja e tij?
– Parlamenti është legjitim, për sa kohë ka kaluar në një sistem zgjedhor, është certifikuar nga organet kushtetuese dhe tashmë kryen aktivitetin e tij ligjbërës. Mund të thuhet që nuk është efektiv aq sa duhet. Kodi Elektoral me lista të mbyllura ka favorizuar kryetarët e partive të mëdha të “emërojnë“, njerëz që u binden urdhrave te njëshit, por falë Zotit kjo nuk është arritur të bëhet (për shumë arsye) për të gjithë anëtaret e parlamentit, kështu që në atë sallë ka deputetë me integritet e të afte, nga të dy krahët, që kontribuojnë në funksionimin normal të tij. A ka probleme? Nuk mund të thuhet jo. Por më shumë ka tepri fjalësh, sesa dosje konkrete dhe vendime gjykatash, që do ta bënin të besueshëm cilindo pretendim. 

– Vërtet shqiptarët, partnerët tanë ndërkombëtarë duhet të shpresojnë se Byroja Kombëtare e Hetimit (edhe nëse si institucion votohet nga parlamenti ynë) do të mund që të hetojë korrupsionin e zyrtarëve të lartë? Deri tani korrupsioni nuk luftohej, ngaqë na mungonte Byroja e Hetimit?
– Korrupsioni është një fenomen i vazhdueshëm dhe i vështirë për t’u luftuar, po të bëj një krahasim me fushën e bujqësisë, ai i ngjan një sëmundje virusale, e cila përsoset vazhdimisht për t’i rezistuar preparatit me të cilin e luftojnë, kështu që me kalimin e viteve duhet gjetur një preparat i ri, sepse ndaj të vjetrit sëmundja krijon imunitet. Me këtë dua të them që format e luftës ndaj korrupsionit duhet të përsosen vazhdimisht. Ndoshta ristrukturimi i institucioneve sipas reformës në drejtësi do të sjellë produkt pozitiv. Byroja e Hetimit dhe paketa e reformës pas debateve të shumta ka mbërritur drejt fundit. Komisioni i Venecias ka dhënë dhe po jep opinionet e duhura. Pozita dhe opozita kanë rënë dakord në disa episode. Pretendohet nga opozita se qeveria ka ndryshuar draftin e dakortësuar që përmbante opinionet e rekomandimet e Venecias. Kjo merret vesh lehtësisht dhe do të mësojmë ku është ngutur dhe kush është fshehur. Vizita e Kerry-t mendoj që ka shërbyer për politikën, për të mos humbur shanset e bashkëpunimit me partnerin më të madh që ne kemi. Mendoj se ndërgjegjja politike dhe përgjegjësia qytetare do shërbejnë për të bërë më të dobishmen. 
– Zoti Duka, parlamenti ka edhe komisionin për Reformë Zgjedhore, por as PS, as PD nuk pranojnë të ndryshojnë sistemin aktual Elektoral Proporcional, të zhbëjnë listat e mbyllura të kandidatëve për deputetë. Nëse nuk do të ndryshojë Sistemi aktual Elektoral, a mund të pretendohet për reformë zgjedhore?
– Reforma zgjedhore është pranuar nga të gjithë palët, si domosdoshmëria e munguar. Palët po draftojnë dhe kanë hedhur pretendimet. Tashmë partnerët tanë dhe Komisioni i Venecias po na ofrojnë ekspertizën më të mirë. Për sa i përket listave, unë kam qenë dhe jam për lista të hapura. Mendoj se kandidatët duhet të votohen e të vlerësohen realisht dhe jo të fshihen pas emrit te partive, kjo sjell deputetë me integritet dhe cilësi. Meraku se në parlament do futen njerëz me lekë dhe “të fortë” është i pabazë, populli ka treguar që nuk ka gabuar asnjëherë, por kemi qenë ne me listat e mbyllura që kemi gabuar, duke futur elementë të inkriminuar në parlament, të jeni të sigurtë që Lulzim Basha dhe Sali Berisha apo Edi Rama e Gramoz Ruçi e të tjerë politikanë të spikatur do të fitojnë para të tjera me lista të hapura, të cilat gjithnjë duhet të shoqërohen me një skaner të saktë të financimit të subjekteve. 
Sigal

Petraq Barjami