Diplomati Agim Nesho ngre alarmin për kapjen e drejtësisë në Shqipëri, duke e cilësuar këtë si një nga shenjat më të rrezikshme të zhytjes së vendit në autoritarizëm.
Nesho shkruan se kontrolli mbi Gjykatën Kushtetuese është një objektiv kyç i çdo regjimi autokratik, i përdorur për të justifikuar vendime të paligjshme, për të fshehur korrupsionin dhe për të bllokuar funksionimin e shtetit të së drejtës.
Ai i referohet edhe raportit të Komisionit Europian, ku theksohet rreziku i “korporatizmit të drejtësisë” dhe ndërhyrjeve të institucioneve më të larta në veprimtarinë e gjykatave. Ai thekson se kjo situatë ka zgjuar interes dhe shqetësim në opinionin publik amerikan, veçanërisht për shkak të dyshimeve mbi keqpërdorimin e fondeve të taksapaguesve amerikanë për të mbështetur një sistem drejtësie që tashmë shërben si armë politike për forcimin e pushtetit. Në këtë kontekst, Nesho ngre një pyetje thelbësore: A janë figurat zyrtare shqiptare që promovojnë imazhin ndërkombëtar të vendit të afta të përballojnë presionin dhe vëmendjen ndërkombëtare kur ato vetë bëhen pjesë e mekanizmit të kapjes së drejtësisë?
Çështja e pavarësisë së drejtësisë, sidomos e paprekshmërisë së veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese dhe vendimeve të saj, është një nga temat kryesore ku demokracia amerikane po përqendron vëmendjen në Shqipëri. Evidentimi i fakteve në Kongresin Amerikan për keqpërdorimin e fondeve amerikane në drejtësinë shqiptare, me qëllim që t’i jepet përparësi një force ideologjike për të konsoliduar pushtetin dhe për të përdorur drejtësinë si një armë politike kundër kundërshtarëve, ka krijuar një imazh jashtëzakonisht negativ për Shqipërinë në opinionin publik amerikan.






















