Oligarkët e qumështit pluhur dhe vajit të palmës nga Ekuadori, po shkatërrojnë blegtorinë shqiptare

INFO

Nga viti 2014, numri i bagëtive në Shqipëri ka rënë me mbi 45%. Vendi ka gjithnjë e më pak lopë, më pak dele, më pak dhi, më pak mish e qumësht. Por mesa duket do të ketë më shumë fatura. Në vend që të ndihmojë prodhimin vendas, shteti kërkon llogari për një sistem që, sipas ligjit, nuk është përgjegjësi e bujkut, por e grumbulluesit apo përpunuesit. Vetëm se këta të fundit nuk duan të lëshojnë fatura, sepse humbasin para nga skema e TVSH-së. Në mungesë të një strukture që mbështet prodhuesin e vogël, Shqipëria po shkon drejt importit të bulmetrave dhe shkatërrimit të blegtorisë së mbetur.

Shqipëria është duke u përballur më një rënie dramatike të numrit të kafshëve të fermës në përgjithësi dhe sidomos të lopëve. Fermat po tkurren nga viti në vit, ndërkohë që ekonomia po tenton të shohë potenciale të tjera duke e lënë bujqësinë në mëshirë të fatit pavarësisht se jep kontributin më të madh në PBB.Të dhënat më të fundit të INSTAT të konsultuara, konfirmojnë se gjatë 2024 në vend u numëruan 224 302 krerë lopë nga 342 683 në vitin 2018.Tkurrja më e madhe ka ndodhur gjatë viteve 2021-2023 ku numri i lopëve ra nga rreth 277 000 në rreth 232 000. Sigurisht, një rënie kaq e madhe e numrit të lopëve do të pasqyrohej edhe në sasinë e qumështit që prodhohet në vend. INSTAT raporton se gjatë 2024 në Shqipëri u prodhuan rreth 745 000 litra qumësht lope, ndërkohë që 10 vite më parë shifrat tregonin 964 000 litra.

01

Qumështi natyral zëvendësohet me pluhur dhe vaj palme me shumicë

Sigal

Rënia e ndjeshme dhe kjo është pasqyruar edhe në rritjen e sasisë së qumështit pluhur që importon vendi, i cili më pas përdoret në stabilimentit e prodhimit dhe përpunimit të qumështit, por edhe në sektorin e prodhimit të ëmbëlsirave, etj.

Trendi është rënës, për shkak të uljes së numrit të popullsisë dhe rrjedhimisht edhe konsumit të përgjithshëm, megjithatë ka një zëvendësim të dukshëm të qumështit natyral të lopës me qumështin pluhur të importuar nga jashtë. Mësohet se gjatë kësaj periudhe shqiptarët konsumuan 200 mijë kg qumësht pluhur dhe pjesa dërrmuese e kësaj sasia është importuar nga kompanitë. Krahas qumështit pluhur, Shqipëria është kthyer në importuese masive e vajit të palmës, i cili po ashtu përdoret në industrinë ushqimore në vend të yndyrnave shtazore. Vendi importon mesatarisht 3 mijë ton vaj palme çdo vit për të përmbushur nevojat e industrisë. Sa për referencë, në vitin 2014 janë importuar rreth 380 ton vaj palme.

02

Akuzat e forta të ekspertit: Aksioni i qumështit u porosit nga përpunuesit e mëdhenj

Eksperti i bujqësisë, Ervin Resuli ka bërë një akuzë të fortë ndaj kryeministrit Rama. Sipas tij, aksioni kundër tregtarëve të vegjël të qumështit është porositur nga përpunuesit e mëdhenj të këtij produkti.

“Kjo vjen pas vizitës të kryeministrit në Cërrik për bujqësinë, ku aty ka pasur një kërkesë nga industria e përpunuesve të qumështit se tregun po e shkatërrojnë fermerët e vegjël, apo këta shitësit ambulantë. Por në fakt, nuk është aspak e vërtetë. Më shumë është një aksion i porositur se një aksion që nxit formalizimin dhe sektorin”, shprehet Resuli.

Eksperti i bujqësisë shpjegon se ka forma të tjera për të formalizuar tregtarët e vegjël të qumështit dhe ambulantët, modele, që janë zbatuar edhe në vende të tjera. Pa shkatërruar sipas tij këtë shtresë të popullsisë, që janë kryesisht pensionistë, apo të varfër që jetojnë me qumështin që prodhojnë maksimumi dy lopë që ata kanë.

03

Marketet e vogla mbeten pa furnizime qumështi

Prej ditës së hënë, pas nisjes së aksionit, në shumë markete të vogla në Tiranë është ndërprerë furnizimi me qumësht të freskët të prodhuar nga fermerët. Sipas një vëzhgimi të bërë nga Monitor, situata është e ngjashme në shumë lagje të kryeqytetit, përfshirë Astirin, Freskun dhe zonën 5 Maji.Tregtarët e marketeve, të kontaktuar, pohojnë se janë të paqartë për mënyrën se si duhet të veprojnë në lidhje me lëshimin e faturave.

Ndërsa furnizohen me sasi të konsiderueshme qumështi të freskët direkt nga fermerët e zonave rurale të Tiranës, ata nuk dinë se si ta formalizojnë këtë proces për faturim.

Fermerët nga ana e tyre pohuan se janë të pajisur me NIPT, por pavarësisht kësaj, prej tre ditësh qumështi i tyre po refuzohet nga njësitë e vogla të tregtimit.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) sqaron për Monitor se referuar udhëzimit nr.16, datë 03.04.2020, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar, të gjithë njësitë tregtare pa përjashtim që blejnë mallra nga prodhuesit bujqësorë e blegtoralë duhet të shoqërohen me faturë të fiskalizuar, të llojit autofaturim.

Skema për faturimin e mallrave të blera direkt prej fermerëve, nga një market lagjeje, bar, restorant apo supermarkete të mëdhenj është e njëjtë, si në rastin e tregtimit të mallrave bujqësore apo blegtorale te përpunuesit apo grumbulluesit e mëdhenj.

“Pra në rast se një biznes qoftë ky market i lagjes, bar, restorant apo çdo lloj njësie tjetër për mallrat bujqësore apo blegtorale nuk furnizohet nga një grumbullues apo përpunues, por direkt nga fermeri, detyrimin për lëshimin e autofaturës e ka blerësi. Edhe në këtë rast autofatura e ngarkuar në sistem bëhet nga blerësi, me të dhënat e shitësit. Autofatura nevojitet të firmoset edhe prej shitësit që në këtë rast është fermer, me qëllim gjurmueshmërinë e mallit për sigurinë ushqimore”, sqaron DPT.

Pra, marketi i lagjes që në këtë rast mund të konsiderohet grumbulluesi i vogël i qumështit të freskët të fermerit, pavarësisht se ky i fundit është i pajisur me NIPT apo pa NIPT bujqësor, mund t’i lëshojë fermerit autofaturë për mallin e blerë.

Për rastet kur fermeri nuk është i pajisur me NIPT bujqësor, Tatimet sqarojnë se me qëllim gjurmueshmërinë e produktit të shitur, nevojitet të shënohet në autofaturë vetëm emri i individit që ka shitur produktin dhe autofatura të firmoset prej shitësit.

Fermeri pavarësisht nëse është i pajisur me NIPT apo jo ka të drejtë të tregtojë produktet e tij blegtorale në dyqanet e vogla ushqimore, ndërsa detyrimin për lëshimin e faturës fiskale e ka blerësi.

Skema është e njëjtë edhe nëse fermeri qumështin e çon në pikat e grumbullimit dhe përpunimit, detyrimin për lëshimin e faturës fiskale (autofaturës për shitjen) e ka blerësi.

Pra, përpunuesi, apo grumbulluesi i licencuar ka detyrimin e lëshimit të autofaturës nëpërmjet ngarkimit në sistemin SelfCare.

Prej disa ditësh tatimorët kanë nisur aksionin për kontrollin e tregtimit të produkteve bujqësore.

Administrata Tatimore thekson sërish se fokusi i aksionit është forcimi i kontrollit në terren mbi lëshimin e autofaturës për tregtimin e produkteve blegtorale, te tregjet e mëdha të tregtimit të mallrave bujqësore, thertoret, baxhot dhe më pas grumbulluesit dhe përpunuesit e mëdhenj.

Tatimet pohojnë se tregtarët e vegjël dhe ambulantët nuk janë në fokus të aksionit. Nëpërmjet këtij aksioni tatimet synojnë të rrisin të ardhurat, dhe të forcojnë sistemin për gjurmueshmërinë e mallit.