“Agallarët “ e politikës

Raporti i ISP: Kuvendi nuk  ushtroi funksionin mbikqyrës ndaj qeverisë, nismat ligjore që vendosin për jetën e qytetarëve mbeten në terr informative dhe diktohen nga Këshilli i Ministrave, kurse shumë prej deputetëve u paguan miliona pa e hapur zërin e gojës në Parlament. Ja lista

Këshilli i Ministrave vijoi të ishte burimi kryesor i nismave ligjore. Ndonëse duket se ka rritje të numrit të nismave ligjore nga deputetët (mbi 23-25%) një pjesë e tyre janë nisma de facto të qeverisë, të paraqitura indirekt si nisma të deputetëve të mazhorancës dhe pjesa më e madhe janë nisma për çështje politike ditore, pa ndikim pozitiv në nevojat për reforma dhe mirëqeverisje.

Gjatë sesionit parlamentar (2024) pati progres relativ në kuptimin e funksionimit të parlamentit, pas rikthimit të normalitetit në aktivitetet parlamentare në muajin mars. Vetë koncepti i “normalitetit” mbetet tregues jo i mjaftueshëm për të matur progresin demokratik, por bazuar në përvojat e mëparshme në Shqipëri, pjesëmarrja e të gjithë partive politike në aktivitetin parlamentar nuk duhet marrë e mirëqenë, edhe pse ky është një parakusht për një demokraci të qëndrueshme. Kuvendi vijon të ketë rënie të besimit dhe mbështetjes publike, kryesisht edhe për shkak të mënyrës sesi funksionon jeta parlamentare, konfliktualitetit politik, personalizimit, retorikës denigruese dhe distancës së madhe midis pritshmërive publike dhe produkteve parlamentare. Këshilli i Ministrave vijoi të ishte burimi kryesor i nismave ligjore. Ndonëse duket se ka rritje të numrit të nismave ligjore nga deputetët (mbi 23-25%) një pjesë e tyre janë nisma de facto të qeverisë, të paraqitura indirekt si nisma të deputetëve të mazhorancës dhe pjesa më e madhe janë nisma për çështje politike ditore, pa ndikim pozitiv në nevojat për reforma dhe mirëqeverisje.

Sigal

Kuvendi nuk arriti të përmbushë detyrimin kushtetues dhe ligjor për zgjedhjen e më shumë se 15 funksionarëve të lartë, përfshirë zgjedhjen e Avokatit të Popullit (nga 2022) apo Komisionerit kundër Diskriminimit (nga 2023), anëtarëve në KLGJ, KLP, ISSK, KPP, KDRTSH, etj.

Kuvendi vijon të ketë rënie të besimit dhe mbështetjes publike. Kuvendi nuk arriti të përmbushë detyrimin kushtetues për zgjedhjen e anëtarëve në KLGJ, KLP, ISSK, KPP, KDRTSH, etj.

Kuvendi nuk e ushtroi në tërësi funksionin mbikqyrës ndaj qeverisë. Gjatë sesionit nuk pati seanca të dedikuara pyetjesh dhe as mocione besimi/mosbesimi, si dhe disa nisma për interpelanca me kryeministrin ose u refuzuan nga mazhoranca, ose u realizuan pjesërisht pa pjesëmarrjen e kryeministrit, por delegimin tek një ministër.

Kuvendi bëri disa përpjekje për ushtrimin më transparent të funksionit mbikqyrës ndaj institucioneve të pavarura kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj, duke krijuar akses për opinione dhe rekomandime nga shoqëria civile. Megjithatë, në fazën fundore opinionet nuk u morën në konsideratë dhe rezolutat u miratuan si produkt negociatash midis Kuvendit dhe institucioneve, një praktikë që krijon shqetësime për transparencën dhe konceptin e mbikqyrjes parlamentare.

Bazuar në programin analitik të Këshillit të Ministrave 2024, deri në gusht 2024 parlamenti do të duhej të kishte në program 34 drafte ligjore për vendimmarrje, por nga monitorimi 5 rezulton se qeveria ka depozituar vetëm 62% të tyre. Në total 13 ligje (38%) nuk janë paraqitur ndonëse është VKM dhe angazhim institucional e politik i qeverisë. Nga ana tjetër Kuvendi ka miratuar rreth 10 akte ligjore, që nuk janë pjesë e programit analitik, por nisma në kuadër të nevojave dhe prioriteteve politike afatshkurta.

Kuvendi shënoi disa akte të rëndësishme konsensuale (PS-PD), përfshirë ndryshimin në Kodin Zgjedhor (lidhur me listat e kandidatëve në zgjedhje e votën e diasporës), si dhe amnistinë për të burgosurit, por dështoi të realizojë reformën zgjedhore dhe dy aktet e mësipërme u shoqëruan me kritika publike për shkak të mungesës së transparencës (Kodi) dhe përfshirjes në amnisti të subjekteve të SPAK.

Kuvendi inicioi dy komisione të posaçme (kundër korrupsionit dhe kundër dezinformimit) nën drejtimin e dy prej figurave kryesore partiake të PS. Opozita nuk ka pranuar (ende) të jetë pjesë e tyre. Nismat kanë krijuar shqetësime lidhur me objektin e paqartë të tyre, mbivendosjet ndaj komisioneve të tjera, qasjes metodologjike dhe përdorimit politik të tyre si arritje e partisë në pushtet. Duke vlerësuar se roli i shoqërisë civile është monitorues, adresues me opinione dhe rekomandime, si dhe vlerësues i performancës, disa organizata të njohura kanë informuar komisionet se nuk do të jenë pjesë e strukturave të tyre teknike.

Sesioni aktual 2024 nisi me ndërprerjen e mandatit të deputetit Ahmetaj, ish-zv/kryeministër i shpallur në kërkim ndërkombëtar për korrupsion. Gjatë kësaj periudhe 8 deputetë u paraqitën në SPAK në kuadër të hetimeve të ndryshme, disa prej të cilave kanë të bëjnë me vetë deputetët si subjekt hetimi. Vetë Kuvendi e shndërroi seancën dëgjimore me drejtuesin e SPAK (në komision dhe në seancë plenare) në një prej seancave më të gjata, me tone agresive dhe akuza të shumta politike.

Një vendim i rëndësishëm i Gjykatës Kushtetuese (mandati i zonjës Xhaçka) në mënyrë të pajustifikueshme dhe të pabazuar në aktet rregullatore, u injorua nga Kuvendi. Retorika denigruese politike ndaj institucioneve të pavarura, si p.sh., sulmet e vazhdueshme ndaj drejtuesit të SPAK, presioni politik në komision ndaj kryetarit të KLSH, nxorën gjithashtu në pah përpjekjen e partive, deputetëve apo grupeve të caktuara për të kufizuar apo cënuar pavarësinë e institucioneve të pavarura kushtetuese, një shqetësim ky në rritje për të ardhmen.

Sesioni i fundit parlamentar shënoi “mungesën aktive” të liderëve politikë në debatin parlamentar,

Në fundin e muajit korrik Kuvendi ndryshoi pa sqarime publike dy nga tre drejtuesit kryesorë (kryetarin dhe zv/kryetarin), si dhe gjatë sesionit dy partitë e mëdha ndryshuan kryetarët e grupeve parlamentare dhe disa drejtues të tjerë në komisione. Ndryshimet e vazhdueshme reflektojnë zhvillimet e brendshme politike në prag të vitit zgjedhor, por në thelbin e tyre konfirmojnë mbipushtetin e partive ndaj parlamentit, me pasoja negative në integritetin dhe llogaridhënien e parlamentit.

Deputetët më efektivë vijuan të jenë pothuajse të njëjtët si në sesionet e mëparshme parlamentare: Erion Braçe (PS), Jorida Tabaku (PD), Ina Zhupa (PD), Bujar Leskaj (PD), Petrit Vasili (PL), Klotilda Bushka (PS), Tritan Shehu (PD), etj. Deputetët e PSD vijojnë me rekorde negative (nën 13%) në fund të renditjes, kurse partitë e tjera kanë kuota nën 30%.

Gratë deputete vijuan të shënojnë nivel shumë më të lartë angazhimi dhe efikasiteti sesa deputetët e gjinisë tjetër. Në vlerësimin e përgjithshëm gratë deputete patën mesatare prej 37% të efikasitetit parlamentar ndaj vetëm 33% të gjinisë tjetër. Vlerësimi nuk përfshin cilësinë e angazhimit, e cila mbetet kritike për dy gjinitë, por nivelin e përgjithshëm të angazhimit në ushtrimin e funksioneve dhe përgjegjësive parlamentare.

Kryetarja e Kuvendit lajmëroi në fundin e muajit korrik se ka depozituar dhuratat në regjistrin e posaçëm, praktikë pozitive, që aplikohet për herë të parë në Kuvend. Gjatë sesionit nuk pati asnjë rast të deklarimit publik të gjendjes në konflikt interesi të deputetëve, ndonëse raportime të shumta ofruan të dhëna kritike për ekzistencën e tij. Deklarimet në aktivitetet e të tretëve munguan edhe këtë sesion, tregues tjetër i devijimeve nga standardet e Kodit të Sjelljes.

box

Deputetët që u paguan pa e hapur zërin e gojës në Parlament

Raporti i Institutit për Studimet Politike mbi efikasitetin e deputetëve në sesionin e shkuar ka bërë një renditje të deputetëve më pak efikasë gjatë periudhës janar-gusht 2024.

Agron Çela i PS, Gledis Çeliku i PSD, Gertjan Deda i PSD, Niko Kuri PS/MEGA, Shkëlqim Bullari i PS dhe Tatiana Piro e PS janë 6 deputetët më pak efikasë.

“Nga të dhënat monitoruese janë gjashtë deputetë, që nuk kanë arritur të lënë “gjurmë parlamentare” në sesionin e fundit parlamentar, duke mos pasur asnjë angazhim personal në komisionet e Kuvendit dhe as në seancat plenare. Nuk është vetëm çështje statistikore (0 fjalime), por është shumë më komplekse. Ata nuk kanë iniciuar asgjë, nuk kanë bërë asnjë propozim, nuk kanë folur për asgjë dhe nuk kanë ushtruar kështu pjesën më të madhe të detyrimeve kushtetuese dhe ligjore parlamentare”, -thuhet ne raportin e Institutit për Studimet Politike.