”Aferat elektorale me rindërtimin në Vorë”, Vojo Bregu: Bashkia krijon listë të re me 244 banesa

255
Sigal

Koordinatori politik i LSI-së në Vorë, Vojo Bregu akuzon Bashkinë e Vorës, ku për të në kundërshtim me ligjin kanë hartuar një listë totalisht të re me 244 banesa me pretendimin se janë prekur nga tërmeti. ”Kjo listë i është dërguar para 10 ditësh për miratim Institutit të Ndërtimit me qëllimin e vetëm, përfitimin e dëmshpërblimit fiktiv pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit”,-thotë Bregu në konferencën për shtyp. Nga ana tjetër, ai i bën thirrje SPAK-ut që në këtë kohë të rëndësishmë, të angazhohet maksimalisht dhe seriozisht për zbardhjen e aferave elektorale me rindërtimin në Vorë dhe në të gjithë Shqipërinë.

Deklarata e plotë

Përshëndetje!

Jemi këtu sot sërish për të denoncuar publikisht abuzimet e vazhdueshme të Bashkisë së Vorës me procesin e rindërtimit me qëllim deformimin e votës së qytetarëve të kësaj bashkie. Në kundërshtim me ligjin, kjo bashki ka hartuar një listë totalisht të re me 244 banesa me pretendimin se janë prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.

Kjo listë i është dërguar para 10 ditësh për miratim Institutit të Ndërtimit me qëllimin e vetëm, përfitimin e dëmshpërblimit fiktiv pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit. Falenderojmë punonjësit e ndershëm të Bashkisë së Vorës, të cilët na kanë informuar mbi këtë masakër elektorale që po përgatitet, dhe në të njëjtën kohë i bëjmë thirrje kryetarit të pazgjedhur të kësaj bashkie që të heqë dorë nga skemat për deformimin e vullnetit të qytetarëve të Vorës.

Gjithashtu, i bëjmë thirrje SPAK-ut që në këtë kohë të rëndësishmë për fatet e Shqipërisë, të angazhohet maksimalisht dhe seriozisht për zbardhjen e këtyre aferave elektorale me rindërtimin në Vorë dhe në të gjithë Shqipërinë. Për SPAK, do të mjaftonte që oficerët e policisë gjyqësore, të shikonin fizikisht dosjet e rindërtimit, për të kuptuar që abuzimet me objekt tjetërsimin e votës së qytetarëve janë evidente.

Po ashtu kërkojmë nga KLSH, që të nisë urgjentisht një hetim administrativ, lidhur me shpërdorimin e parave te taksapaguesve shqiptare, për qëllime pastërtisht elektorale, jo vetëm në Vorë, por dhe në Kavaje, Durrës, Kruje, Shijak. Për Lëvizjen Socialiste për Integrim, vota është e shenjtë, dhe ne nuk do të reshtim së denoncuari çdo fakt ose provë që do të kemi gjatë kësaj periudhe zgjedhore.

Lëvizja Socialiste për Integrim, garanton të gjithë qytetarët e prekur nga tërmeti, se pas 25 prillit e drejta do të shkojë aty ku i takon dhe të gjithë ata që janë prekur nga tërmeti do të dëmshpërblimin e merituar dhe garantojmë që zyrtarët që kanë abuzuar, do të marrin ndëshkimin e merituar.

Faleminderit!