Vaksina ruse dhe kineze, Shehu: Shfaqje cirku, Rama fsheh gjendjen tragjike me vaksina të paçertifikuara

201
Sigal

Ish-Ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu ka reaguar ashpër sot ndaj asaj që ai e quajti si një shfaqje cirku, nisjen e një fushate vaksinimi për të moshuaritv në sheshin Skënderbej, nën çadra të hapura.

Shehu gjykon se “Kryeministri në ikje kërkon të fshehë gjendjen tragjike me teatralitete, duke përdorur vaksinat ruse e kinezetë  paçertifikuara nga agjensi europiane, amerikane apo britanike, kur asnjë e dhënë shkencore e profesionale nuk bëhet publike për efikasitetin e tyre, nivelin e komplikacioneve, fazat e cilësinë e eksperimentimit të tyre.” Në vijim, argumentimi i plotë i Dr. Shehut, drejtuesi politik i PD-së në Gjirokastër.

Nga Tritan Shehu

“Rama organizon “shfaqje cirku” vaksinash të paçertifikuara për të fshehur faktin që Shqipëria renditet në fund të botës për nivelin e vaksinimit e pasojat e COVID-19.

Këto vijnë nga keqmenaxhimi mbi njëvjeçar i epidemisë, që po paguhet me numrat nga më të lartë në botë të humbjeve të jetëve të qytetarëve e mjekëve, infeksioneve të larta ditore, pamundësisë për t’u testuar, mjekuar në kushte spitalore e të përshtatshme, shpenzimeve personale ambulatore për mostrajtimin si europianët edhe për vaksinimin etj.

Sipas Observatorit Britanik ne qendrojmë në nivelin afrikano-qendror me 2,16 doza (jo vaksinime) për 100 banorë, kur mesatarja botërore është 6,76, duke përfshirë dhe vendet më të prapambetura,

Ndërkaq Kryeministri në ikje kërkon të fshehë këtë gjendje tragjike me teatralitete, duke përdorur ato vaksinat ruse e kineze të ardhura njera nga Emiratet, tjetra nga Turqia, vaksina të paçertifikuara nga agjensi europiane, amerikane apo britanike.

Asnjë e dhënë shkencore e profesionale nuk bëhet publike për efikasitetin e tyre, nivelin e komplikacioneve, fazat e cilësinë e eksperimentimit të tyre.

Institucionet shtetërore përgjegjëse që duhet të bëjnë këto, si Komiteti Covid, Komitetit i Vaksinave, Agjensia e Barnave etj vazhdojnë të heshtin, duke harruar se heshtja nuk i përjashton nga përgjegjësitë.

Aq më shumë kjo, kur jo shumë kohë më parë po këto institucione si dhe Ministria e Shëndetësisë e deri te Kryeministri vetë, deklaronin se në Shqipëri nuk mund të hyjnë vaksina të paçertifikuara nga EMA ose FDA.

Ndërsa sot çdo gjë kthehet “kokëposhtë”, pa asnjë argument profesional e komunikim zyrtar, duke trajtuar kështu qytetarët shqiptarë si “të dorës së dytë” përballë atyre europianë.

Në këto kushte kur vihet në lojë siguria e shqiptarëve, shëndeti masiv i popullsisë, jeta e tyre dhe kur heshtja qeveritare është e plotë, institucionet përgjegjëse duhet të reagojnë.

Sidoqoftë tashmë më 25 prill do të reagojë publiku i gjerë, i cili meriton po ato standarte, cilësi e nivele sigurie edhe për vaksinat ashtu si qytetarët e vendeve të tjera të BE.”