Afera e inceneratorëve/ Zyrtarët në parajsë, qytetarët e nënshtruar përdoren sa për vota. Në një vend të BE, protestat nuk do ndalnin

48
Sigal

Afera e inceneratorëve – Nëse kjo ndodhte në një vend të BE, qytetet do ishin djegur nga protestat

Rama jeton në parajsën e vetë, njerëz të nënshtruar para tij përdoren sa për vota

Çështja e inceneratorëve do të mbahet mend gjatë në kujtesën e shqiptarëve. Ajo është një ndër skemat piramidale më grabitqare e me vjedhjen më masive të shqiptarëve, ku pas kompanive “guackave”  fshihej shteti që firmoste. Dëmi i pallogaritshëm nga vjedhja e plehrave do t’i kushtoëj shqiptarëvë shumë më shumë sa flitet ditëve kur zbulohen copëzat e një puzzle mafioz: me ministra e zyrtarë janë në pranga e shtetarë të tjerë në kërkim bashkë me pronarët e vërtetë. Shqiptarët duan drejtësinë, por si popull i varfër që janë, duhet të duan më shumë të dinë se ku janë dhe si do t’u kthehen atyre më shumë se 1.3 miliard euro që i’u mor me ceremoniale nga shteti për t’i gënjyer për gjoja furra djegësash, që s’u ndezën kurrë. Emra pleqsh e të moshuarish, duke ju përdorur të dhënat e tyre, ID apo firma nëpër vërtetime dhe akte noteriale ishin drama e parë sesi në mënyrë kaq të organizuar, vidhej në kurriz të shqiptarëve. Opozita nisi denoncimet e në komisione parlamentare mbrojtjet qesharake të shtetarëve kanë mbetur si humor i zi nëpër videot e youtube. Dhe çdo ditë që kalon skandalet e inceneratorëve sa vijnë e vetëm shtohen.

Protesta e qytetarëve të Divjakës konfirmon problemet në ‘inceneratorin’ e Fierit

Pas publikimit të një video – regjistrimi në të cilën dëgjohet kryetari i Bashkisë Divjakë duke ofenduar banorët që protestojnë ndaj mënyrës së trajtimit të mbetjeve urbane, i zgjedhuri më 14 maj, Josif Gorrea sqaron se për disa probleme në inceneratorin e Fierit e kanë pasur të pamundur të shkarkojnë atje dy kamionë me plehra, që i kanë kthyer dhe derdhur në një venddepozitim të hershëm të mbetjeve urbane të njësisë vendore që ai drejton.

Një video e regjistruar nga banorë të Bashkisë Divjakë teksa ata diskutonin nëpërmjet telefonit me kryetarin e kësaj njësie vendore, Josif Gorrea lidhur me mënyrën e trajtimit të mbetjeve urbane pranë banesave të tyre, shfaq një komunikim jo etik të kryetarit të zgjedhur më 14 maj, si dhe problemet që ka inceneratori i Fierit në funksionimin e tij. “Këta kanë pretendime që mos të derdhen më. Le të mbulohen thonë. Po vetëm të mos derdhen më”,dëgjohet t’i komunikojnë Gorresë kërkesat e banorëve, një prej personave që ndodhet mes tyre. Në atë moment, dëgjohet kryetari i Bashkisë Divjakë, i cili me ton të lartë ofendon një prej protestuesve. “Protestat t’i kishte bërë 10 vite më parë ai Like k…va aty. Para 10 vjetësh t’i kishte bërë. Sot ai nuk më bën dot mua p..dhë, thuaji atij Likes”, dëgjohet të shprehet Gorrea. I pyetur nga BIRN se si po vepron Bashkia Divjakë në menaxhimin e mbetjeve urbane, kur kjo njësi vendore është përcaktuar që në këtë drejtim të mbulohet nga inceneratori i Fierit, Gorrea tha se janë duke u dërguar tek djegësi. Sipas tij, video është regjistruar para rreth 15 ditëve dhe në atë moment djegësi i Fierit kishte pasur probleme dhe për këtë arsye kishin shkarkuar në një vendgrumbullimi mbetjesh urbane të mëparshme në territorin e Bashkisë Divjakë. “Aty atë ditë janë hedhur dy kamionë më mbetje pasi ka pasur raste që djegësi i Fierit nuk ka punuar. Kishte probleme ato ditë dhe i shkarkuam aty dy kamionë dhe po i mbulonim”,- pohoi Gorrea dhe sqaroi se atë ditë nuk kishte pasur mundësi t’i shkarkonin në landfillin e inceneratorit e për këtë arsye ishin kthyer dy kamionë prapa. Por, ai këmbënguli se kishin filluar t’i mbulonin menjëherë mbetjet e depozituara në vendgrumbullimin e vjetër. Sipas Gorresë, aktualisht nuk ka pasur më probleme në inceneratorin e Fierit dhe po vijojnë t’i shkarkojnë atje. “Video ka 15 ditë që është bërë. Ata janë ish-punonjës të Bashkisë Divjakë. Ne shkuam dhe i mbuluam. Ajo është një pikë grumbullimi prej 15 vjetësh. Ajo situatë ka ndodhur për shkak të qefmbetjeve si pasojë e riorganizimit të organikës së bashkisë. Nuk janë banorë, por punonjës dhe ish-punonjës. Është prerja e fijeve të abuzimeve me detyrën, pasi rrinin kot”, -pohoi Gorrea gjatë një komunikimi telefonik. Ai pranoi se kishte tejkaluar normalitetin lidhur me fjalorin e përdorur. “Edhe njeriu ka momente dhe ai ka qenë një moment i keq. Ndodhi pasi u provokua nga një punonjës bashkie që i ka hedhur mbetjet urbane atje për dhjetë vjet dhe merret tani me mua që kam rreth një muaj në drejtim të bashkisë. Unë me atë isha i nxehur se më ka provokuar dy tre herë më parë”,- tha Gorrea. Skandali i inceneratorëve nisi në vitin 2014 me një vendim të qeverisë për të shpallur një emergjencë mjedisore, si justifikim për të dhënë koncesionin e inceneratorit të Elbasanit. I njëjti grup kompanish mori më pas koncesion për inceneratorin e Fierit dhe atë të Tiranës. Dy koncesionet e para janë konfiskuar nga prokurorët, ndërsa dy javë më parë u vendos edhe sekuestrimi i kompanisë, që operon kontratën e inceneratorit të Tiranës. Prokuroria e Posaçme njoftoi se hetimi paraprak ka zbuluar se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët e vërtetë të projektit dhe se kompania ka lëshuar miliona euro fatura të falsifikuara, të paguara nga taksapaguesit e Tiranës, Durrësit e bashkive fqinje me të. Të dhënat e bilancit të kompanisë të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, si dhe të dhënat e pagesave të thesarit të buxhetit të shtetit tregojnë se, deri në kohën e sekuestrimit në gusht 2023, fusha e mbetjeve të Tiranës duket se u ka kushtuar taksapaguesve minimalisht 100 milionë euro. Inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit i kanë kushtuar buxhetit të shtetit rreth 50 milionë euro të tjera./ Birn

Ekspertët e PD-së: Dosjet e inceneratorëve edhe në Zimbabve

Grupi i ekspertëve të opozitës, të cilët janë mbledhur nën angazhimin e Belind Këlliçit kanë përgatitur një dosje të plotë në lidhje me aferën e inceneratorëve. Sipas të dhënave shumë nga materialet e publikuara në media, por dhe ato të cilat janë disponuar nga njerëzit e opozitës janë mbledhur, janë analizuar dhe është krijuar një dosje voluminoze në lidhje me çështjen e inceneratorëve. Në krye të aferës së inceneratorëve janë Edi Rama, Erion Veliaj dhe Engjëll Agaçi, si padronë të këtyre djegësve. Kjo dosje e plotë do të dërgohet edhe në Zimbabve. Burime zyrtare i thanë Cna, se çuarja e dosjes është një akt i rëndësishëm jo vetëm politik, por edhe qytetar, sepse kemi të gjitha dyshimet dhe faktet e pamohueshme tashmë, se nga Shqipëria është mashtruar zyrtarisht nga kompania e inceneratorëve edhe qeveria e Zimbabve. Këtë e ka provuar SPAK me kërkesën e bërë së fundmi për sekuestrimin, por ka dhe shumë të dhëna të tjera që tregojnë se ka pasur një skemë mashtrimi, një skemë falsifikimi dhe një skemë të madhe të evazionit fiskal, të një grupi të strukturuar kriminal që fillon në Elbasan, shkon në Fier dhe në Tiranë. Në bashkëpunim me njëri – tjetrin thuajse të njëjtët persona kanë korruptuar zyrtarë bashkish, zyrtarë të lartë të administratës shtetërore dhe ka akuza për ministra, një prej tyre ndodhet në pranga. Ish sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit akuzohet nga vetë segmentet dhe strukturat e rilindjes, ish zv. Kryeministri Arben Ahmetaj nga ana tjetër. Ish kryeministri Sali Berisha drejton gishtin tek kryebashkiaku i Tiranës, kryeministri e kështu me radhë. Dosja do të çohet e plotë në Zimbabve jo thjesht dhe vetëm për çështjen e emrave të pronarëve pasi nuk njihet si ka funksionuar skema në atë vend, por për të vënë në dijeni shtetin për aferën që ka ndodhur në Shqipëri, për faktet dhe provat e gjetura, për mashtrimin se si u ndërtua kompania nga shtetasi Klodian Zoto. Pra nuk kemi të bëjmë me një kompani holandeze me eksperiencë në partneritet me Paul Wurth apo Energy Recuperator. Kemi të bëjmë thjesht dhe vetëm me një skenar të një qytetari shqiptar që në fakt nuk kishte eksperiencë në çështjet e ndërtimit të inceneratorëve, kjo sepse dhe në Elbasan ai ka qenë nënkontraktor. Është kompania Energy Recuperator ajo që ka pasur eksperiencë për ndërtimin e tyre, e cila në fakt, te kompania që ka shkuar në Zimbabve nuk rezulton as Energy Recuperator as Paul Wurth të jenë më aksionerë, por thjesht dhe vetëm kanë qenë pjesë e një skeme mashtrimi të bërë ndaj shtetit shqiptar. Dosja është e plotë. Përmban rreth 1400 faqe, të cilat do t’i çohen zyrtarisht qeverisë së Zimbabves, e cila më pas mund të hetojë, apo strukturat e atij shteti do të hetojnë dhe zbardhin të vërtetën e një skeme mashtrimi, që ka filluar në Shqipëri që nga inceneratori i Elbasanit dhe më pas ka marrë botën mbarë, -theksoi për Cna i njëjti burim.

*** Afera e inceneratorëve, Hoxha: Duhet trajtuar me ligjin antimafia, Rilindja është një mafie

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Lisandër Hoxha ka thënë se afera e inceneratorëve duhet të trajtohet me ligjin e antimafias. Në një dalje televizive Hoxha tha se Rilindja është një  mafia, e cila ka përdorur pushtetin politik për të vjedhur. Hoxha theksoi se asnjë nga zyrtarët e qeverisë nuk kishte atributet politike dhe administrative për të ndërmarrë veprime juridike lidhur me inceneratorët. “Është lajmi i mirë që po hetohet, sepse deri dje mohohej si çështje, por hynte në retorikën politike ‘shikoni sa e pastër është Tirana sot’, që i kanë sytë e mbuluar me incenerator, në fund të ditës çfarë është!? Është vjedhje publike e parave të shqiptarëve? Ç’do të thotë kjo? Cili kryefamiljar blen internetin kur ky shërbim nuk i jepet, por vazhdon e paguan çdo muaj? Më gjeni një rast në Shqipëri ose në botë dhe të themi të kundërtën. Këtu rasti është se inceneratori i Tiranës nuk është ndërtuar kurrë dhe vazhdon të paguhet çdo muaj si shërbim. Pse? Askush prej zyrtarëve të qeverisë nuk i kishte atributet politike dhe administrative për të ndërmarrë të gjithë ato veprime juridike në kohë rekord, me shumë skandale, me njerëz të vdekur që kanë firmosur, me vendime, të cilat janë lidhur akoma pa u krijuar kompania. Imagjino që shteti të lidhë kontratë me një kompani e cila akoma nuk është krijuar. Kjo do të thotë që çështja e inceneratorëve në vetvete duhet trajtuar me ligjin antimafia. Rilindja është mafie, sillet si mafie, ka përdorur pushtetin politik për të vjedhur ashtu siç bëjnë grupet mafioze dhe në rastin konkret po ju rikujtoj pyetjen: Cili njeri paguan çdo muaj për një shërbim që nuk ekziston”?- tha Hoxha.