KLGJ vendos sot për mandatin e skaduar 6 vjeçar të Dvoranit

398
Sigal

Komisioni për Zhvillimin e Karrierës pranë KLGJ, “aspirinë” për vendimet që shkelin Kushtetutën

Reforma në Drejtësi katandiset tek mandati i skaduar 6 vjeçar i Dvoranit

Jakup B. GJOÇA

Sot Këshilli i Lartë i Gjyqësorit do të marrë vendim nëse Ardian Dvorani do të jetë akoma anëtar i Gjykatës së Lartë, e për rrjedhojë, edhe kryetar i KED-it.  Shqipëria dhe partnerët e saj, SHBA dhe BE pretenduan se bënë një reformë të thellë në Drejtësi, për të bërë katharsin nga gjyqtarë të korruptuar, nga gjyqtarë, që dikur ishin edhe masha e persekutimit të disidentëve të regjimit komunist. Mirëpo fenomeni “Dvorani” jo vetëm rrëzon këto pritshmëri, por zhgënjen gjithë shpresat e shqiptarëve për drejtësi. Hetuesi që persekutoi shkodranët në 1990, me akuzën për terrorizëm kundër pushtetit popullor pse guxuan të rrëzonin bustin e Stalinit, anëtari i Gjykatës së Lartë që ka 6 vjet me mandat të skaduar, gjyqtari që kaloi vetingun, por që nuk justifikoi qindra milionë lekë.

Vendimi i Këshillit për Zhvillimin e Karrierës pranë KLGj në shkelje të Kushtetutës

Komisioni për Zhvillimin e Karrierës pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor në një shkresë zyrtare u shpreh se Ardian Dvorani mund të vazhdojë të qëndrojë në detyrë pasi ai nuk është zëvendësuar nominalisht.  Ky vendim i Këshillit është në shkelje të Kushtetutës dhe të Ligjit të Statusit. Komisioni i Karrierës përbëhet nga tre anëtar të KLGJ-së dhe ka për detyrë të asistojë Këshillin në aktivitetin e tij. Komisioni i përbërë nga anëtarët e KLGJ, Ilir Toska, Marçela Shehu dhe Alban Toro theksojnë se duke qënë se anëtarët e rinj nuk kanë zëvendësuar nominalisht gjyqtarin Dvorani, ai mund të vazhdojë të qëndrojë në detyrë. Emërimet në Gjykatën e Lartë nuk bëhet nominalisht. Kushtetuta parashikon se anëtarët e rinj zëvendësojnë gjyqtarët, të cilëve ju ka mbaruar mandati. Gjyqtarit Dvorani i ka mbaruar mbaruar mandati që prej vitit 2014, shumë më herët se të gjithë anëtarëve e tjerë të Gjykatës së Lartë, të cilët dhanë dorëheqjen apo u shkarkuan nga vetingu. Në përputhje me përcaktime dhe frymën kushtetuese, vendi i tij duhet të ishte i pari për t’u zëvendësuar dhe Dvorani duhet të largohej që në momentin e emërimit të anëtarit të parë të ri të Gjykatës së Lartë. Nga ana tjetër Komisioni, nuk ka marrë parasysh se ndaj gjyqtarit Dvorani, ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila urdhëronte lëshimin e postit prej tij. Ndërkohë Komisioni i sugjeron Këshillit të mos e shqyrtojë çështjen, pasi është jashtë kompetencave të saj. Ligji për Statusin i njeh KLGJ-së të drejtën të propozojë kandidatë në Gjykatën e Lartë, të marrë masa ndaj tyre dhe t’i vlerësojë ata.  Sipas Kushtetutës, mbarimi i mandatit të anëtarit të GJL, bëhet me vendim të saj. Por gjasat që të ndodhë kjo janë të pakta. Kështu edhe në këtë rast, Ardian Dvorani do të vazhdojë të ushtrojë funksionin e tij në mënyrë të paligjshme.  Ardian Dvorani është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Lartë në Shkurt 2005 dhe mandati i tij 9-vjecar ka përfunduar në Shkurt 2014. Në vitin 2016, 35 deputetë të Kuvendit i kërkuan Gjykatës Kushtetuese të shprehej mbi përfundimin e mandatit të Dvoranit. Në qershor 2016, Gjykata Kushtetuese, me Vendimin Nr. 55, e shpalli antikushtetues atë pikë të ligjit që lejonte qëndrimin në detyrë pas mbarimit të mandatit të një anëtari të Gjykatës së Lartë derisa ai të zëvendësohej. Në mars të 2019, Gjykata e Lartë pushoi së funksionuari, pasi nga 19 anëtarë mbeti me me 1 anëtar, Ardian Dvoranin. Më 9 Korrik 2019, KLGJ shpalli tre pozicione të lira në Gjykatën e Lartë, për t’u plotësuar nga rradhët e juristëve të spikatur. Njëri prej tre vendeve ishte edhe ai i Dvoranit. Më 10 Mars të këtij viti, u emëruan tre gjyqtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushaj, Ervin Pupe dhe Ilir Panda, duke zëvëndësuar kështu gjyqtarin Ardian Dvorani.

Dvorani, persekutori i disidentëve

Ardian Dvorani është simboli i persekutorit politik të diktaturës në sistemin e ri të drejtësisë, sepse më 13 Dhjetor 1990 me akuzën “për akte terroriste kundër pushtetit popullor” kërkoi dënimin me 15 vjet burg të shkodranëve që rrëzuan bustin e Stalinit. Shkodranët e njohin mirë prokurorin e diktaturës Ardian Dvorani, por çdo qytetar tjetër ka të drejtë ta dijë se Ardian Dvorani është një shërbëtor i vjetër i Partisë së Punës sa herë ajo ka qenë në pushtet, në diktaturë dhe më demokraci,me emrin Partia Socialiste apo Rilindje! Ardian Dvorani ka qenë prokurori që, 1 ditë, pas krijimit të partisë së parë opozitare në vend, pas 45 vitesh diktaturë, akuzoi për terrorizëm dhe kërkoi 15 vjet për shkodranët që rrëzuan bustin e Enver Hoxhës.

PD: Ardian Dvorani është simbol i kalbjes së sistemit të drejtësisë në vend

Partia Demokratike paralajmëroi vendimin politik që i ashtuquajturi Komision i Pavarur i Kualifikimit do të merrte për Ardian Dvoranin me 100 milionë lekë pasuri të pajustifkuar dhe me disa shtëpi të fituara në konflikt interesi gjatë kohës që ushtronte detyra për kompani shtetërore. Fshehja e 100 milionë lekëve nga Ardian Dvorani nuk ishte fakt i mjaftueshëm për organin e vettingut që ta shkarkonte shërbëtorin e Edi Ramës në Gjykatën e Lartë. Ardian Dvorani është i vetmi gjyqtar në Republikën e Shqipërisë që nuk ka zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosi në 2016-ën se mandati i Ardian Dvoranit si anëtar i Gjykatës së Lartë kishte përfunduar që në 2014-ën dhe se qëndrimi në detyrë ishte antikushtetues. Përfundimi për Dvoranin dihej, sepse organi i vettingut nuk po funksionon si i pavarur, por në shërbim të Edi Ramës, për të lënë në sistem gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar dhe shërbëtorë politikë të Edi Ramës. Ajo çfarë mbetet e pasqaruar nga procedura e verifikimit të vettingut të Ardian Dvoranit është, nëse miku i familjes së Fatmir Xhafajt, ka patur ndonjë kontakt me Agron Xhafajn dhe a i ka shërbyer ndonjëherë vëllait të Ministrit të Brendshëm dhe bandës së tij të trafikut ndërkombëtar të drogës?