27 bashki kanë zhvilluar mbi 4000 ankande fiktive

46
Sigal

Skandali/ Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Prvatë bënë kallzim  në SPAK, për shitjen nga bashkitë të pronave. Të gjitha ankandet e treta janë shitur nën 10 mije euro. E njëjta shifër shihet për pronat në Durrës, Elbasan, Korçë si edhe për toka dhe troje në bregdet. Qytetarëve që u janë  grabitur pronat me metodën online pranë drejtorive vendore të Kadastrës përmes një skeme mashtrimi me mikrokredi përbënë një nga mashtrimet më të mëdha financiare pas  piramidave

Skandali 27 bashki shesin në ankand pronat e qytetarëve, Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Privatë bëjnë kallëzim në SPAK.

 

Në 27 bashki të vendit janë zhvilluar mbi 1000 ankande fiktive ku qytetarëve u janë marrë apo grabitur pronat me metodën online pranë drejtorive vendore të Kadastrës përmes një skeme mashtrimi me mikrokredi.

Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë në Shqipëri përmes një kallëzimi të bërë në SPAK ka ngritur shqetësimin alarmues të disa proceseve fiktive ankandesh. Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, ka ndërmarrë në datë 20.11.2023 veprime konkrete duke depozituar në SPAK kallëzim penal për një Grup të Strukturuar Kriminal që në bashkëpunim ka konsumuar në vazhdimësi veprat penale të “Mashtrimit” me pasoja të rënda të kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorim detyre”, “Përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore”. “Personat e përfshirë në Grupin e Strukturuar Kriminal e të kallëzuar nga Dhoma, janë 13 individë/shtetas, ku përfshihen përmbarues, ish-përmbarues, vlerësues të pasurive të paluajtshme, përfaqësues ligjorë dhe ortakë të institucioneve financiare jobanka, si dhe persona të lidhur me ta. Materiali kallëzues drejtuar SPAK, shoqërohet me një dokumentacion provues me rreth 15000 dokumente dhe akte që po vijon të plotësohet me akte të tjera për organin e akuzës speciale, për çdo ditë, që pranë Dhomës, adresohen dhe administrohen prova dhe fakte të reja, referuar një prej veprimtarive kriminale më të rënda të ndodhura vitet e fundit, filluar në vitin 2016, që nëse nuk ndalet sot, do përhapet me shpejtësi gangrenizimi të pashërueshme në gjithë shoqërinë shqiptare. Provat shkresore tregojnë se në 27 bashki të vendit janë zhvilluar mbi një mijë ankande fiktive ku qytetarëve u janë marrë apo grabitur pronat nga “Micro Credit Albania” ose “Final”, me metodën online pranë drejtorive vendore të Kadastrës.

Ankande për shitjen e mijëra pasurive të paluajtshme të qytetarëve shqiptarë me vlera qesharake, me vetëm synim, qëllimin final, atë të kalimit të pronave nga apartamente e troje, në pronësi të këtij grupi të strukturuar criminal.

Nga komunikimet me bashkitë në gjithë territorin përllogaritet që janë shpallur mbi 4 000 ankande fiktive pronash dhe pasurish të paluajtshme”, -thuhet në një njoftim të Dhomës të shpërndarë për media sot në mëngjes. Apartamente, dyqane, magazina dhe toka ndërtimi në Tiranë janë nxjerrë në ankand me çmime të pabesueshme. Të gjitha ankandet e treta kanë përfunduar të shpallen për shitje nën 10 mije euro. E njëjta shifër shihet për pronat në Durrës, Elbasan, Korçë si edhe për toka dhe troje në bregdet. Nëse skema e “shitjes” me ankande fiktive do zbardhet nga SPAK si e vërtetë, kjo do rezultonte si një nga mashtrimet më të mëdha financiare në Shqipëri, pas atij të firmave piramidale. Skema e mashtrimit të mijëra qytetarëve me mikrokredi nuk është e re. Ajo është cekur disa herë në media vitet e fundit, duke identifikuar edhe persona dhe firma konkrete, si MCA, ADCA, FINAL etj. Dhoma Kombëtare në deklaratën e saj thekson se kjo skemë “prej vitesh ka atrofizuar jetesën e mijëra familjeve shqiptare, kjo nën trysninë e pashpirt të Shërbimit të Përmbarimit Mikrofinanciar dhe që prej 10 muajsh të këtij viti, po gllabëron pa asnjë skrupull moral e ligjor- pronat dhe pasuritë e paluajtshme të familjeve shqiptare.” Më poshtë, pjesë nga deklarata e pazakontë e Dhomës së Përmbaruesve: “Të dhënat e depozituara pranë SPAK janë të plota, për çdo individ, shtetas që ka rënë pre e këtij grupi të strukturuar kriminal; të dhëna dhe fakte shkresore që tregojnë për mijëra ankandet për shitjen e mijëra pasurive të paluajtshme të qytetarëve shqiptarë, të gjitha me vlera qesharake, me synim – qëllimin final, atë të kalimit të pronave nga apartamente deri troje, në pronësi të këtij grupi të strukturuar kriminal. Dhoma Kombëtare po ndjek çështjen nga afër dhe do bashkëpunojë çdo ditë me organin e akuzës speciale për të stopuar njëherë dhe përgjithmonë këtë veprimtari kriminale, që prej vitesh ka atrofizuar jetesën e mijëra familjeve shqiptare, kjo nën trysninë e pashpirt të Shërbimit të Përmbarimit Mikrofinanciar dhe që prej 10 muajsh të këtij viti, po gllabëron pa asnjë skrupull moral e ligjor, pronat dhe pasuritë e paluajtshme të familjeve shqiptare. Dhoma Kombëtare u bën thirrje mediave dhe gjithë publikut të gjerë të shohin faktet që po i sjellim me aktet bashkëngjitur dhe të njoftojnë njëri-tjetrin, të gjithë individët dhe familjet e prekura nga ky grup i strukturuar kriminal, që aktualisht prezantojnë vetëm 1305 raste të ankandeve fiktive të shpallura për shitje pronash, por që janë shumë më tepër dhe që mund të kenë përfunduar me grabitjen e tyre. Dhoma Kombëtare inkurajon të gjithë shtetasit që mund të dyshojnë për gëzimin qetësisht të pronave të tyre, të verifikojnë pa humbur kohë këtë listë që po e sjellim sot, pranë zyrave kadastrale të qyteteve përkatėse dhe të kontrollojnë statusin e pronës së tyre. U bëjmë thirrje qytetarëve të verifikojnë sa më shpejt, pranë administratës së bashkive dhe gjykatave ku kanë pronat, nëse pasuritë e tyre të paluajtshme janë përfshirë në ankandet fiktive deri ditën e këtij njoftimi. U bëjmë thirrje të gjithë të mashtruarve që kanë riblerë me “dhurim” pronat e tyre nga pronarët e rinj mikrofinanciarë të mos kenë frikë, dhe të tregojnë të vërtetën e tyre, në SPAK, pranë Dhomës, në Media, kudo. Askush nuk mund t‘i shantazhojë më! Dhoma Kombëtare është e gatshme të mirëpresë, të ndihmojë dhe orientojë këdo nga mijëra shtetasit që kanë rënë pré apo pa dijeninë e tyre kanë mbetur peng e kësaj skeme kriminale, që për pak nëse nuk denoncohej fort, mund të kthehej në një dramë shoqërore, kombëtare.” – thuhet në njoftimin e shpërndarë nga Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Privatë në Shqipëri.