250 mijë euro për një Kryetar Bashkie

551
Sigal

Deputetët e PS-së: Në do të rikandidosh, bëj gati lekët, mos e vono përgjigjen se ka plot që presin

Dhe gati një vit na ndan nga zgjedhjet vendore të vitit 2015, por me sa duket, kryetarët e komunave dhe të bashkive në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe veçanërisht në ato të Elbasanit dhe Durrësit, kanë filluar të lëvizin çdo gurë për të mbajtur pushtetin. Edhe këtë herë, çelësi i suksesit të tyre ngelet ryshfeti dhe shumat e majme, kundrejt postit. Qysh tani, në pazaret e para përmenden edhe vlerat e milionave që duhen për kryetarë komunash, bashkish, apo edhe pozicione të tjera ndihmëse. Për kryetar komune vlera paraprake është 70 deri 100 mijë euro, për kryetar bashkie e rangut të dytë 150 deri 200 mijë euro, për kryetar bashkie të rangut të parë mbi 250 mijë euro, e kështu me radhë sipas zonave dhe rëndësive, ku ato ndodhen. Duket si habi, por në fakt ethet dhe pazaret e zgjedhjeve vendore, tashmë kanë nisur. Kjo po duket tek të dy kampet politike, por veçanërisht më evidente është tek të majtët. Dhe kjo është e pranueshme, sepse ata janë në pushtet dhe ata kanë edhe shanset dhe favoritet e fitores në shumicën e komunave dhe bashkive. Aq më tepër kur dy ditë më parë, është kërkuar nga deputetët e shumicës në Komisionin e Ligjeve, riformatimi i KQZ, pra marrja e kryetarit dhe shumicës. Rama prej disa ditësh u ka deleguar deputetëve në të gjitha zonat elektorale, porosinë (urdhrin) e tij sipas të cilit: “duhet të gjeni personin e përshtatshëm për të fituar në komunat dhe bashkitë”. Sipas një deputeti socialist nga Elbasani: “kjo porosi në formë urdhri padyshim nuk ka të bëjë me atë çfarë ne do t’i rekomandojmë Ramës, sepse në fund vendos ai si gjithmonë se kush dhe pse do të kandidojë, por kuptohet këtu luhet loja e madhe”. Pra kandidon ai që paguan, dhe rikandidon ai që paguan më shumë. Pazaret e zgjedhjeve vendore edhe kur në pushtet ishte PD nisnin qysh 1 vit e gjysmë përpara. Përmendeshin emra, thuhej se, “atë e do Berisha, ai është mik me Berishën”, por që në muajin e fundit nga zyra e kryetarit miratohej një emër krejt i panjohur, madje që nuk kishte patur lidhje fare me PD-në. E njëjta gjë po ndodh edhe me Ramën, i cili i ka vënë në rresht deputetët e tij dhe u ka caktuar detyra, të cilat duhet të zbatohen në afate të caktuara. Qysh tani në pazaret e para përmenden edhe vlerat e milionave që duhen për kryetarë komunash, bashkish, apo edhe pozicione të tjera ndihmëse. Për kryetar komune vlera paraprake është 70 deri 100 mijë euro, për kryetar bashkie e rangut të dytë 150 deri 200 mijë euro, për kryetar bashkie të rangut të parë mbi 250 mijë euro, e kështu me radhë, sipas zonave dhe rëndësive, ku ato ndodhen. Komunat e largëta dhe bashkitë pranë tyre kanë tjetër pazar, më të ulët se komunat dhe bashkitë pranë Tiranës. Në një bisedë me një kryetar komune ( i majtë) që ndodhet fare pranë Tiranës, u shpreh se: “kanë ardhur para disa ditësh, deputeti socialist i zonës dhe dy nga partia dhe ma bënë të qartë se, “po deshe me rikandidu, bëj gati 100 milionë, mendohu dhe mos e vono përgjigjen se ka plot që po presin ”. Pazar më të pastër nuk ka. Duket se, pazare të tilla janë tashmë legale, në komuna dhe bashki, në zgjedhjet për kryetar këshillash apo qarqesh, në emërime prefektësh apo drejtorësh, dhe nuk ka se si të mungojnë këto pazare në zgjedhjet vendore apo parlamentare. Po ashtu, edhe në zgjedhjet e 23 qershorit, vlera e çdo kandidati për deputet (me përjashtime të rralla) ishte 150 mijë euro, dhe kjo ishte taksative, veç parave që duhej të derdhje tek arka e partisë për fushatën tënde. Pazare të tilla tashmë kanë nisur të bëhen në tavolina zyrash në ministri, drejtori, komuna e bashki. Gjithçka e kthyer në pazar. Në Elbasan dhe Durrës ka kryetarë komunash që po plaken pasi kanë “fituar” 3 apo edhe 4 mandate, dhe sërish u rrotullohet mendja të rikandidojnë. Kuptohet se, pasi kanë mbushur thasët me para, pasi kanë bërë vila luksi me pishina dhe blerë apartamente në Tiranë e bregdet, pasi kanë dyllosur miliona lekë në banka, ata nuk e kanë për gajle të derdhin edhe 100 mijë euro për të blerë edhe një mandat të ri. Madje, ndonjë prej tyre shprehet se: “në qoftë se nuk më rikandidon partia, jam në gjendje të fitoj edhe si i pavarur, çelësin e fitores e kam në kasafortë”. Ky është realiteti më i turpshëm që ka mbërthyer sot politikën shqiptare, e cila pasi ka vendosur gjithçka,  jo për interesat e qytetarëve, por për interesat e kryetarit, luan me sentimentet e militantëve që përgjatë fushatës bëhen paçavure, për të marrë vota për ata që pas fitores së blerë, do tu kthejnë krahët dhe do tu mbyllin derën e institucionit.