2 marsi, Nishani: Meta ruajti dinjitetin e zyrës së Presidentit të Republikës

466
Sigal

Ish-Presidenti dhe kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, Bujar Nishani, i ftuar në studion e “Tempora” të gazetares Sonila Meço, tregoi se çfarë do të bënte ai nëse do të ishte në pozicionin që ndodhet sot Ilir Meta, pra kur po tentohet ti merren kompetencat kushtetuese.

Nishani nuk dha një përgjigje direkte nëse ai do të thërriste një tubim, siç bëri Meta, por u shpreh se Presidenti aktual ka bërë detyrën duke mbrojtur dinjitetin e zyrës së Kreut të Shtetit.

“Natyrisht që do të ishte një spekulim nëse do të thoja se çfarë do të bëja, por ajo që është e sigurt ka të bëjë me faktin e përgjegjshmërisë dhe përgjegjësinë e personit që është në zyrën e Presidentit të Republikës. Roli i Presidentit është të ruajë Kushtetutën. Varet se nga cili këndvështrim e shohim. Nëse e shohim në kontekstin e idesë së institucioni i Presidentit të Republikës, është i pavlefshëm, duhet të jetë i nënshtruar, padyshim që do ti duket e çuditshme që ka qëndrime kundërshtuese ndaj një tentative për të vendosur një regjim. Kemi disa fakte konkrete që vërtetojnë tejkalimin e asaj që ne e quajmë demokraci hibride.

Nëse Presidenti i Republikës ka ushtruar përgjegjësinë e tij bazike themelore, duke ruajtur dinjitetin e zyrës së Presidentit të Republikës, jo çdo institucion përfaqëson shtetin shqiptar. Nëse një person është në zyrën e Presidentit dhe ushtron përgjegjësinë e tij, unë mendoj se s`ka bërë asgjë më shumë se sa përmbushjen e detyrës së tij”, është shprehur Nishani.