Sigal

Enton Abilekaj

Shkoi 10 numri i deputetëve të rinj. Ata që të mërkurën do të kalojnë mes kordonit të policisë për t’u mbrotjur nga protestuesit opozitarë, do të ulen në vendet e opozitës dhe do të bëjnë sikur. Pa thënë asnjë “Ave Maria”, jo në emër të “Babait, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë”, por në emër të nevojës urgjente të Edi Ramës për fasadë, do të pagëzohen opozitë e re.

Sigurisht që këtë nuk e beson as Edi Rama, sigurisht që nuk e besojnë as ata vetë që janë opozitë. Sepse po të ishin nuk do kishin dalë kundër vendimit të opozitës.

Edhe po të dilnin kundër vendimit të opozitës, nuk duhet të pranonin të merrnin mandatet në shkelje flagrante të nenit 164 të kodit zgjedhor që thotë fjalë për fjalë: “Mandati i deputetit, i fituar sipas neneve 162 dhe 163 të këtij Kodi, ndërpritet vetëm për shkaqet e parashikuara në nenin 71 të Kushtetutës. Nuk përbëjnë shkak për ndërprerje të mandatit marrëveshjet apo deklaratat paraprake individuale apo kolektive për heqje dorë nga mandati.

Në rastin e shkronjave “a” dhe “b” të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës, deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati.

Në këtë rast Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës”. Nëse do të ishin opozitarë do të kishin kërkuar mbledhje të menjëhershme të komisionit të mandateve për të shqyrtuar ligjshmërinë e shpalljes së vakancës.

Edhe nëse do ta pranonin mandatin që ua dha maxhoranca në shkelje të Kodit, duhet të ishin aty që ta kundërshtonin Ramën, t’i tundin përpara syve përgjimet e publikuara të Prokurorisë, t’i kërkonin të tërhiqej nga aventura e Asamblesë së emëruar me vota të blera dhe t’i hapë rrugën zgjedhjeve të lira.

Nëse do të ndanin të njëjtat shqetësime me opozitën nuk do ta lejonin procesin funeber të dukej seancë parlamentare, nuk do vraponin bashkë me rilindasit për t’iu shmangur zemërimit të protestuesve.

Nuk janë opozitarë se kanë frikë nga protesta e opozitës njësoj si maxhoranca. Nëse do të ishin opozitarë nuk do të pranonin kordonet e turpshëm të policisë qe mbrojnë të zgjedhurit nga zgjedhësit.

Ata janë aty me dëshirën e Ramës, të pagëzuar nga Rama. Ata janë aty për ngazëllimin e një njeriu të poshtëruar nga opozita e vërtetë, që po mundohet të themelojë një opozitë pa vezë dhe pa bojë, por me kokën ulur dhe me gojën mbyllur.

Kjo e shpjegon arsyen pse Kuvendi, në shkelje të Kodit Zgjedhor, nxitoi t’i sjellë në vendet bosh të opozitës. Të gjitha këto dihen, maxhoranca i joshi deputetët e opozitës të kalonin në anën e tij.

Disa me para, disa me interesa të tjera, disa duke u përkedhelur ëndrrën e parealizuar për tu bërë deputet. Në mes të kryeqytetit, mu në atë që quhet tempulli i Demokracisë, në mes të ditës, përpara kamerave dhe syve të gjithë shqiptarëve, Edi Rama joshi 10 burra dhe gra, mori 10 vota përfaqësimi.

Po ditët e fushatës elektorale, në mes të natës, atje ku nuk ka as kamera sigurie, madje as drita nëpër shtigjet e fshatit, ku askush nuk sheh dhe ku njerezit vuajnë për bukën e gojës?

Çfarë ka ndodhur? Deri dje e tregonin përgjimet, sot e tregon opozita e re në parlament, se çfarë ka ndodhur ditët përpara 25 qershorit 2017 në shtëpitë e varfra të shqiptarëve. Ata që do të kalojnë të mërkurën korridorin e turpit, mes policëve që i mbrojnë nga votuesit, shërbejnë si provë e qartë e deformimit të vullnetit të atyre që protestojnë.

Zbardhën para kohe dosjet 339/1 dhe 184, u treguan shqiptarëve se cfarë është në gjendje të bëjë Edi rama për pushtet fals dhe opozitë false.